Poezi nga Xhevahir Spahiu
Ora 6
Akrepat si dy krahë të hapur që presin
dhe ti s’po vjen
ti s’po vjen as në 6 e një minutë
në 6 e dy minuta vetmia ish me mua
unë isha me vetminë në 6 e tre minuta
në 6 e katër bota ishte po ajo
6 e pesa i ngjante 6 e gjashtës si dy pika uji
6 e shtatë, 6 e tetë, 6 e nëntë, 6 e dhjetë
Ti s’po vjen
S’po vjen
S’vjen
në 6 e pesëmbëdhjetë
hodha sytë si dy vetëtima në fushën e orës së qytetit
akrepat u thyen si dy krahë te një zogu
qe s’ekziston
Unë mora pikëllimin për dore
dhe ika.
ObserverKult
Lexo edhe:
XHEVAHIR SPAHIU: POEZIA E GAQO APOSTOLIT I NGJAN NJË DITARI LIRIK…
Poezia e Gaqo Apostolit i ngjan një ditari lirik, shfletuar nga gishtërinjtë e një ere të padukshme që s’dihet se nga fryn: gjendjet shpirtërore, në rrjedhën e viteve, rreken të kthehen në gjetje artistike që kapërcejnë çastin e, më tej, vetveten.
Janë rrathë të një fati njerëzor që priten me rrathë fatesh të tjerë. Pikërisht këtu nis bashkëbisedimi i ndjerë, i hapur, begator.
Dëshira ngulmonjëse për t’u rrëfyer është çlirim nga zjarrmia, nga ankthet, nga synimi për t’u dëshmuar. Ky dëshmim i vetvetes jashtë vetvetes, si me thënë, gjetiu e n’asgjëkund, në një botë të të gjithëve e të askujt, krijon një hapësirë lirie më tepër,pasuron lirinë fillestare. Në dukje, thjesht një përmasë iluzore, gjakim shpirtëror, i ngjashëm me vëllezërit siamezë, me dëshirën instiktive për t’u riprodhuar, për të lënë pas trashëgimtarë.
Edhe kënga, si fëmijët, përcjell kumbimin e gjakut tënd:
Damarët mavi kur t’i pres,
ikjen e saj nëpër muzg do të ndjej
në currilat e gjakut që rrjedh
Poeti nuk hesht; ai e di mirë se heshtja është e njëjtë në të gjitha gjuhët e botës…
TEKSTIN E PLOTË E GJENI KËTU