I vetmuar këtë fund dimri,
Endem urës së Bruklinit,
Një oqean na ndan në mes,
Në prag të Shën Valentinit.
Kam mall…Eh, ç’mall ta dish!
Ç’mrekulli kur shoh në park,
Se si zogjtë në arrati,
Marrin sytë e mi për larg.
Hyj’i Shën Valentinit,
Botën si pajton tërheq,
Fat të ndryshëm ka gjithkush,
Qoftë i lumtur a fatkeq.
Mister dashuria, fshehtësi,
Një rebus i përhershëm mbetet,
Kë braktis, për ty jep edhe jetën,
Ajo lakmon, tjetrit i jepet.
Kryeneçe, ndëshkuese, sunduese,
Skllav bën dashuria edhe mbretin.
(Përherë veç njëri do më shumë,
Njëlloj s’e duam kurrë njëri-tjetrin)
Drithërimë, frymë e shpirt,
Zjarr që djeg, por kurrë s’na ngroh,
Marrëzi e lumtur, një enigmë,
S’dimë pse duam, kush na do…
Botë e tërë sikur të shuhej,
Hi të bëhej, të mos ish,
Do ta lindte, për atë Krisht,
Shpirt’ i dashurisë sërish.
Në të ftohtën ngricë të zemrës,
Frymë më jep Shën Valentini,
S’di në endem nëpër ëndërr,
A mbi Urën e Bruklinit.
*Titulli i origjinalit: “Mbi urën e Bruklinit”
ObserverKult
Lexo edhe:
TIMO FLLOKO: KUJT IA FAL TI PËRKËDHELJET DHE PUTHJET KËTË NATË?