Myzyri është mjeshtri popullor i njohur gjithandej me emrin Usta. Krijues, këngëtar-tenor dhe interpret i shquar popullor në veglën e violinës i gjysmës së parë të shek. XX.
Përpara se Isuf Myzyri të hynte në jetën muzikore popullore të qytetit të Elbasanit, tradita e këngëve të vjetra popullore elbasanase ishte mbledhur dhe sistemuar nga Spiro Papajani më 1859 dhe Harallamb Papajani më 1877.
Sipas Prof. Shuteriqit: në Elbasan dëgjoheshin sidomos ato që i quajnë “këngë të vjetra”. Janë këngë qyteti, plot melizma.
I përdorin edhe pak fshatra veriore pranë, ku melizmat ua shtojnë, si në krahinën e Zaranikës.
Në fëmijëri Isuf Myzyri punoi në zanate të ndryshme. Martohet në moshë të re dhe ndahet pas disa vitesh.
Tërë jetën e tij e kaloi së bashku me të motrën e tij, dhe nuk u martua përsëri.
Më 1905 formon formacionin e tij me vegla popullore të përbërë nga Simon Vela me çyr, Mahmut Ashiku me llahutë, Arif Çerma-Topalli me dajre, Thoma Priftin e gërnetë, Mehmet Gurra me ud, Ibrahim Zaimin me çyr bishtëgjatë, Myrteza Gracenin dhe Riza Beratin me violinë.
Megjithëse veprimtarinë e tij si krijues “Usta Isufi” e filloi në moshë të madhe rreth viteve 1927-1928, me autorësinë e Usta Isufit njihen rreth 30 këngë popullore elbasanase.
Ndër këngët e kompozuara dhe përpunuara prej tij përmendim: “Në zabel të gjeta”, “Iku nata, agun malet”, “Dashunija si rrufe”, “Një lulishte me trandafila”, “Midis vetllash më ke një pikë”, “Ma mirë në pyll se në qytet”, “Si bilbili në pranverë”. Gjithashtu këngët “Ç’u dëshirush për me të pa”, “Spaske pasë pikë mëshire” etj.
Usta Isufit i njihet merita e ndërtimit të një repertori me këngë popullore elbasanase ku spikatin bukuria e frazës muzikore. Po ashtu edhe orientimi për nga vlerat e vërteta të kulturës muzikore të Elbasanit.
Si besimtar bektashian, Usta Isufi ka kënduar edhe një pjesë të repertorit muzikor fetar të këtij besimi.
Këngët e tij kanë kaluar gojë më gojë dhe nga njeri këngëtar në tjetrin. Jo vetëm në Elbasan por në gjithë Shqipërinë, në Kosovë dhe tek shqiptarët e Maqedonisë.
Në vitin 1950, në qytetin e Elbasanit, formacioni muzikor i Usta Isufit ka regjistruar disa disqe me këngë popullore në një shtëpi diskografike të ish- Bashkimit Sovjetik.
Ndër këngëtarët që ka regjistruar këngë në këto disqe me Usta Isufin është Ali Zena.
Një nga nipërit e mikut të Isufit, flet për ato çfarë gjyshi i tij i ka treguar,-“Isuf Myzyri, nuk ka ditur të lexojë notat e muzikës, por ka pasur memorje të mirë dhe vesh/talent të madh.
I mbeteshe hatri shumë dhe ishte pak si tip nevrik; duhet ta merrje me të mirë, t’i vije sipas qejfit.
S’guxonin elbasanllinjtë t’i thoshin, ‘O usta, ec na këndo ndonjë këngë,’ se nuk e bënte për inat, kështu që ia bënin me hile.
E diskutonin përpara se të kalonte usta Isufi tek kafeneja ku rrinte gjyshi im dhe e thërrisnin për raki a meze.
Pastaj deheshin dhe ia merrnin këngës, secili mos më keq, vazhdonin vargjet veç e veç (kuptoni ju, që t’i vinte radha Isufit).
Siç na thoshte babi (gjyshi nga ana e babait), ky i dëgjonte sa keq këndonin dhe u thoshte, ‘E di unë, e di se çfarë doni ju,’ dhe nxirrte veglën nga çanta.
Sa zgjaste dorën për tek trasta vet Isufi, ngrihej gjithë kafeneja dhe pastaj ia merrte këngës.
Këndonte rreth ngjarjeve dhe njerëzve të vërtetë e për dashuri, megjithëses kurrë nuk u martua.
Në fund fare, në mos rakinë e vet, usta Isufi dikujt do ia paguante rakinë edhe dikujt tjetër, ose nuk dilte nga kafeneja se i ngeleshe hatri.
Për rroba ishte maniak thuajse. I shndriste këmisha edhe pse s’kishte grua ne shtëpi t’ia lante dhe vishte jelekun (xhamadanin) siç e vishnin elbasanllinjtë një herë e një kohe, me xhufka te supet si tiransit.
Vishte dhe shallvare që vinin të ngushta tek pulpat… Flasim për vitet ’50. Pastaj, pas viteve ’60 Elbasani astistikisht ra shumë”.
Kulmin e krijimtarisë së tij Isuf Myzyri e pati në vitet e arta të mbretërimit të Mbretit Zog mes viteve 1929-1939.
Sipas studiuesve Isuf Myzyri ka lënë rreth 90 krijime poetike e muzikore por fatkeqësisht deri sot njihen vetëm 21 prej tyre. Prej tyre14 janë këngë dashurie, 4 janë këngë vaji. Ndërsa 2 këngë janë të luftës Nacional Çlirimtare dhe një krijim didaskolik.
Në vitet 30 kompozoi 16 këngë mes të cilave përmenden perlat “Nji lulisht me trandafila”, ” Ma mir n’pyll se n’qytet”. Pastaj “Errsina e pyllit”, “Kur hyna n’port t’kalasë”, “Në zabel të gjeta” etj.
Këndoi me zemër të pastër dhe me shumë dashuri bukurive të natyrës, dashurisë për jetën e fshatit.
Pastaj vetmisë së pyllit, jetës baritore, peizazhit të vendlindjes, vajzës elbasanase, bujarisë, traditës etj.
ObserverKult
Lexo edhe:
USTA ISUF MYZYRI KËNDOI ME ZËRIN E ZEMRËS, TAMAM SI NJË ASHIK
Isuf Myzyri
Si bilbili në pranverë
që këndon pa pushue,
Ah moj zemër, moj e mjerë
Qenke djegë e përvëlu.
Përse m’dhe kaq mundime
Se nuk mundem t’i mbaj,
Shumë po hek zemra ime
Nat’ e ditë me lot po qaj.
Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult