Tipologji e metaveprës kadareane në gjuhë të tjera

josif papgjoni - kadare enver hoxha

Nga prof. Bashkim Kuçuku

Studimet shqiptare për veprën dhe metaveprën kadareane, në gjuhë të tjera, po mbërrijnë në një shkallare të lartë shkencore, në atë të përgjithësimeve, tipologjizimit, analizave të thelluara, si dhe të përfundimeve prej tyre, në rrafshin e kulturës europiane e botërore.

Ndonëse vetëm nga disa pak autorë dhe me projekte vetjake, në 25-30 vjetët që shkuan, është njëjtësuar e përvijuar, thuajse, tërësisht, shtrirja e botimeve të veprës së Ismail Kadaresë në gjuhët e tjera, në 46 gjuhë. Tanimë, atlasi botëror gjeogjuhësor i saj është i njohur tej rretheve akademike dhe universitare.

Krahas dhe pas kësaj arritjeje njëjtësuese, ato kanë përvijuar, gjithashtu, edhe integrimin/ndërfutjen e shumëllojshme në shtresa të ndryshme letrare, artistike, shkencore e arsimore, e cila është tregues i shndërrimit të saj në pjesë të kulturave përkatëse. Faktet janë fakte.

Nëse horizonti shqiptar i pritjes studimore, në shqip, do të ishte më i interesuar për gjurmimin e tyre, nuk do të çuditeshim, se si në një hulumtim të zakonshëm këmbëngulës për Enciklopedi kadareane, botuar më 2020 nga Onufri, janë të njëjtësuara 98 enciklopedi, fjalorë e përmbledhje të llojeve të ndryshme, nga të cilat 52 në anglisht, 26 në frëngjisht, të tjerat në gjermanisht, holandisht, italisht, spanjisht në të cilat është emri i Ismail Kadaresë dhe tipare të veprës së tij.

Metadiskurs-i kadarean, apo, kritika dhe studimet për veprën e tij, në gjuhë të tjera, është një sistem tjetër, madje, parësori, mjaft i pasur, i mvehtësishëm e i shumëllojshëm nga gjuhët dhe nga këndvështrimi letrar e kulturor. Pasuria dhe larmia e këtij sistemi koherent, konkretizohet, edhe në përmbledhjen anastatike Kadareja në kritikën botërore, në tre vëllime, që po boton Akademia e Shkencave e Shqipërisë, me 2500 shkrime e studime të llojeve të ndryshme, në vitet 1971-2000, vjelur në gazeta e revista dhe jo nga librat studimorë.

Dy vëllimet e para, në frëngjisht, afërsisht 1500 faqe, sapo kanë dalë. Vëllimi i tretë, në përgatitje, është në gjermanisht, italisht, spanjisht, anglisht, portugalisht, suedisht, etj. Megjithatë, kjo përmbledhje e vëllimëshme, mund të jetë vetëm pjesa më e madhe e metaveprës kadareane në këto 7-8 gjuhë të Europës dhe të Amerikës.

Në të nuk ka shkrime në gjuhët e Europës Lindore dhe të vendeve të tjera të Lindjes, madje, as në gjuhët fqinje të Ballkanit, sepse nuk kemi pasur, ne, mundësi t’i gjenim. Ndërsa, periudha kohore 2001-2020, përveç bibliografisë së botimeve, me përjashtime të rralla, është krejt djerrë.

Kaq e madhe është shumësia dhe larmia shkrimore, në tërësi, sa nuk mund të strukturohet, as në libra e as në projekte studimi akademik, pa një tipologjizim. Këto na detyruan e udhëhoqën edhe, ne, te Kadareja në kritikën botërore, për të ndjekur një tipologjizim sa më praktik, kryesisht, titullor, sipas titujve të veprave me 40 nëndarje, dhe, sipas tematikës dhe llojit të shkrimeve, me 12 ndarje tematike e llojore.

Po sjellim nja dy-tre shembuj për të pasur një ide për domosdoshmërinë metodologjike dhe metodike të tipologjizimit. Artikuj kritikë, pa studime janë 200 faqe të këtij formati të madh; takime me lexues dhe pritje të Ismail Kadaresë në institucione 110 faqe; ngjarje për Kadarenë dhe veprën e tij, pjesëmarrje në Juri 50 faqe. Mirëpo, brenda tyre mund të ndiqeshin edhe nënëdarje të tjera.

Degëzimet tipologjike të lëndës në vetvete, sipas metodave dhe këndvshtrimeve të studimit, janë, gjithashtu, të qarta: tematiko-ideore, antropologjike, psikanalitike, strukturore, narratologjike, krahasuese, diku feministike, madje, ndonjëherë edhe mjekësore, etj. të cilat mbeten për t’u përndarë më shkencërisht dhe studiuar veçmas.

Njëjtësimi i plotë i metaveprës kadareane, në gjuhë të tjera, është punë e të nesërmes dhe të ardhmes, sidomos studimi, përgjithësimet dhe përfundimet e mëtejshme prej saj në shqip. Vlera e madhe e shkrimeve të qindra autorëve: akademikë, profesorë, studiues, gazetarë, shkrimtarë të huaj meriton të shndërrohet, dhe kjo është përgjegjësi profesionale, kulturore e institucionale, pra, të shndërrohet në vlerë për shkencat e kulturën shqiptare.

Nuk është utopi, as e pamundur, përkundrazi, krejt e përligjur nga misioni i brezave, që, në ndonjë institucion shkencor të krijohet një bërthamë, pa të punësuar të përhershëm, për projekte të programuara e të vazhdueshme, të cilat t’u besohen studiuesve që i përballojnë shkencërisht përgjegjësi të tilla.


Lexo edhe:

ISMAIL KADARE: I KUSHTOHET V.