Tirana 100 vite kryeqytet, ekspozohen 120 foto bardhezi në sheshin “Skënderbej” (Video)

Në sheshin “Skënderbej” në qendër të Tiranës është çelur ekspozita fotografike “Tirana 100 vjet kryeqytet”. Përmes fotove bardhezi prezantohen gjurmët e qytetit, që në shekujt e parë pas Krishtit në Mozaikun e Tiranës, tek pazari, namazgjaja, vilat e viteve 1930 e  deri në ditët e sotme.

Organizatori dhe drejtori i përgjithshëm i “Alsar” Saimir Rusheku rrëfen realizimin e kësaj ekspozite, që i kushtohet kryeqytetit.

“Është bërë një prezantim për të pasqyruar momentet e rëndësishme, duke nis nga fisnikëria tiranase me themelimin e Strehës Vorfënore nga “Zyber Hallulli”, e tek mikpritja që kreu i parë i Bashkisë së Tiranës Ismail Ndroqi i bëri Kongresit të Lushnjes në Qafën e Kasharit. Më tej bëhet një prezantim i plotë ngritja e institucioneve në Tiranë, duke u shtrirë tek infrastruktura dhe zhvillimi i jetës qytetare”, shprehet  Saimir Rusheku, drejtor i fondacionit “Alsar”.

Fotot e realizuara nga 1920-ta në 2020-n sjellin zhvillimin kulturor, fetar, etnografik, sportiv, urbanistik dhe arkitektonik

 “Më pëlqen shumë, shumë interesante”, shprehet një qytetar.

“Me anë të fotove lexohet historiku i Tiranës. Ndjeva mallëngjim, duke parë shndërrimin e Tiranës”, thotë një qytetar.

“Këtu kam lerë edhe këtu jam rritur. Shumë bukur. Vetëm nuk më pëlqen, që pallatet e mëdha nuk kanë parqe për pushim”, tregon një tjetër qytetar.

Ekspozita pas sheshit “Skënderbej” dhe do të udhëtojë edhe në Prishtinë, Ulqin, Tetovë dhe Shkup./Shqiptarja.com