“Tirana 100 vjet kryeqytet” titullohet libri i autores Ana Shpuza, një guidë turistike e kryeqytetit shqiptar, i shoqëruar edhe me një aplikacion për turistët italianë, i promovuar në Muzeun Historik Kombëtar.
Promovimi i librit u shoqërua edhe me hapjen e një ekspozite me rreth 120 foto nga historia e zhvillimit të Tiranës deri më sot, si dhe 5 makete me rrugëtime konkrete brenda qytetit, që janë rrugëtime sa turistike, dhe historike.
Në ceremoninë e promovimit ishin të pranishëm ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, presidentja e shtëpisë botuese “Toena”, Irena Toçi, drejtoresha e Institutit Italian të Kulturës, Alessandra Bertini, autorja e librit Ana Shpuza, etj.
Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi në fjalën e tij tha se “sot falë kontributit të drejtpërdrejtë të Anës dhe të Cooperacione Italiane ne kemi në dorë një guidë për një grup shumë të rëndësishëm turistik për Tiranën e gjithë Shqipërinë që është turizmi italian. Kemi një numër të konsiderueshëm të turistëve italianë që vizitojnë Shqipërinë. Viti 2019 kishte rreth 500 mijë pasaporta italiane që hynë në kufirin shqiptar që janë pothuajse 2 herë më shumë se 3- 4 vite më parë, pra një numër i konsiderueshëm turistësh italianë hynë në Shqipëri”.
Por, vijoi Klosi, mendoj se kapaciteti i Tiranës dhe gjithë Shqipërisë për të pritur këtë grup të profilizuar turistësh është shumë herë më i madh dhe prandaj ne kemi nevojë të zhvillojmë teknologjinë.
“2020 dëshmoi se sa të nevojshme e kemi teknologjinë, por teknologjia të ngrihet mbi materiale serioze të punuara mirë me kujdes, me profesionalizëm dhe natyrisht mbase të analizuar dhe të kritikuara nga ata që mund të bëjnë diçka më mirë. Falë një pune të mirë që ka bërë bashkia e Tiranës , por tashmë të gjitha bashkitë e vendit, po krijohen në çdo bashki të qyteteve tona guida profesionale për çdo njësi”, – tha Klosi.
Ministri Klosi u shpreh se “viti 2020 me gjithë të këqijat që solli për botën e turizmit solli një njohje shumë më të madhe nga ne shqiptarët, kudo që ata ndodhen këtej e andej alpeve, shqiptarët e Malit të Zi, të Maqedonisë së Veriut për destinacionet tona turistike”.
Ndërsa presidentja e shtëpisë botuese “Toena”, Irena Toçi tha për ATSH-në se “çdo gjë lindi nga një tryezë. Në një bisedë që patëm me drejtoreshën e Institut Italian të Kulturës, Alessandra Bertini diskutuam për mungesën e një libri të formatit guidë turistike për italianët e shumtë që vijnë në Tiranë dhe duan të vizitojnë gjëra që nuk i shikon syri i lirë, apo nuk i di përpara se të vijnë në kryeqytetin tonë”.
“Duke shfrytëzuar edhe faktin që Tirana mund të bëhet vetëm një herë në jetë 100 vjeç ne u përpoqëm që të linim gjurmën tonë me punën tonë të përditshme duke sjellë në dritë një libër. Një libër të shkruar nga arkitektja Ana Shpuza, e cila e ka të lidhur punën e saj me Italinë dhe Shqipërinë,. Është vajzë shqiptare dhe ka studiuar në Itali arkitekturë në Universitetin Politeknik të Torinos dhe që ka bërë një punë kërkimore të rëndësishme në raport me historinë e Tiranës në disa aspekte kryesisht në atë historik e arkitekturor”, – nënvizoi Toçi.
Sipas saj, guida është në gjuhën italiane dhe shoqërohet nga një aplikacion që mund të shkarkohet në telefon dhe në këtë aplikacion turisti italian mund të marrë të gjithë informacionin e duhur për të vizituar Tiranën në mënyrë të planifikuar dhe për të marrë përmes librit dhe aplikacionit një informacion të zgjeruar për Tiranën.
Ekspozita që u hap me rastin e përfundimit të këtij projekti do të qëndrojë e hapur për disa ditë rresht në Muzeun Historik Kombëtar.
“Përveç fotografive të marra nga arkiva të ndryshme italiane dhe shqiptare, kjo ekspozitë përmban edhe 5 makete me rrugëtime konkrete brenda Tiranës, që janë rrugëtime sa turistike dhe historike”, – shtoi Toçi për ATSH-në.
Ajo bëri të ditur se “në të ardhmen këtë guidë do ta përkthejmë edhe në gjuhë të tjera të rëndësishme, përveç gjuhës shqipe, në anglisht e frëngjisht, sepse mendojmë se është një guidë turistike e certifikuar nga dora e një shkencëtareje të fushës së historisë dhe arkitekturës”.
Autorja e librit Ana Shpuza tha për ATSH-në se “këtë libër e kam shkruar gjatë kohës që isha me studime në universitet dhe përfaqëson jetën time, që ka qenë gjithmonë e ndarë midis Shqipërisë dhe Italisë”.
“Është një dhuratë që dua t’i bëj qytetit tim Tiranës dhe miqve të mi, pasi Italia është shteti ku jam rritur. Ky libër është guidë kulturore që trajton zhvillimin e qytetit të Tiranës nga pikëpamja historike si parathënie dhe nga ana urbanistike”, – tha ajo.
Shpuza u shpreh se “shpresoj të japë një këndvështrim më të thellë e më të bukur të Tiranës për gjithë qytetarët dhe sidomos turistëve që vijnë vizitojnë kryeqytetin tonë”.