“Tirana Art Fest” në natën finale tek sheshi “Skënderbej”, promovim i të rinjve të talentuar

Sheshi “Skënderbej” në Tiranë është ndezur nën ritmet e muzikës dhe energjisë së të rinjve në natën finale të “Tirana Art Fest”, festivali i talenteve të reja i cili organizohet për të gjashtin vit radhazi, duke synuar promovimin e të rinjve të talentuar.

Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ndau foto nga ky aktivitet, ndërsa shtoi se “ku ka rini, ka festë dhe ‘Tirana Art Fest’ e dëshmoi këtë! “Mbrëmë ishte super finalja e madhe”, tha Veliaj.

Gjimnazistë të 21 shkollave të ndryshme të Tiranës, me talent në këngë, kërcim, apo instrument muzikor, u bënë pjesë e këtij konkursi që u finalizua me disa çmime për secilën disiplinë.

Të ftuar specialë të këtij spektakli organizuar nga Bashkia e Tiranës dhe Ministria e Arsimit në bashkëpunim edhe me TOB, RTSH etj., ishin artistë të mirënjohur si producenti dhe kantautori Ardit Gjebrea, këngëtarët Rovena Dilo, Roland Hysi, Mariza Ikonomi, Çiljeta Xhilaga, Kastro Zizo e Olsi Bylyku, ndërsa moderatorë ishin përzgjedhur Eva Murati, Gerta Heta dhe Eraldo Rexho.

Në përfundim të spektaklit talentet që u vlerësuan me çmime në këngë ishin Arsi Bako, Erma Mici dhe Martin Pano.

Grupi më i mirë u vlerësua “Harry Fultz Band”, artisti më i mirë hip hop, Marbi Bombaj, ndërsa këngëtarja me stilin më të veçantë, Deona Bulica.

Instrumentisti më i mirë i festivalit që u vlerësua me çmim është Marin Semini, ndërsa sa i përket disiplinës së kërcimit çmimi i parë shkoi për Rijon Gurra.

Ansambli më i mirë u shpall ai i shkollës “Sami Frashëri”, trupa e kërcimit modern u fitua nga të rinjtë e gjimnazit “Petro Nini Luarasi” ndërsa shkolla “Ismail Qemali” fitoi çmimin si shkolla e talenteve.

Të gjithë fituesit kanë përfituar bursa studimore nga Universiteti i New York-ut dhe Universiteti Mesdhetar në Tiranë./ATSH

LEXO EDHE: Premiera botërore e “Four Pills at Night” në festivalin e Locarnos