Tituj vlerësimi për heronjtë e rezistencës antifashiste Isak Metalia e Xhevdet Ballanca, si dhe historianin Sali Hidri

Në përkujtim të 7 prillit 1939, Presidenti Ilir Meta dekoroi, me anë të një ceremonie solemne dy figura të shquara atdhetare, të cilët luftuan heroikisht kundër pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste.

Me “Dekoratën e Artë të Shqiponjës” u dekoruan (pas vdekjes) Isak Metalia “Për heroizmin e pashoq treguar në ditën e pushtimit fashist të vendit; për rezistencën dhe udhëheqjen e grupit drejt sakrificës sublime, në mbrojtje të lirisë së vendit, duke u bërë njëri nga heronjtë e parë të Luftës së Dytë Botërore.”

Sot u dekorua edhe Xhevdet Ballanca (pas vdekjes) “Për kontributin e çmuar, dhënë në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, për çlirimin e vendit nga okupatorët, si dhe për merita të veçanta si ushtarak karriere e drejtues me vizion në Forcat e Kufirit.”.

Ndërsa historiani zoti Sali Hidri u vlerësua me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”, me motivacionin “Për kontributin e çmuar dhënë në fushën shkencore dhe arkeologjike, si dhe kumtesat, botimet e paraqitjet dinjitoze të mbajtura  dhe përkthyera në akademitë prestigjioze, jashtë vendit.”

Në fjalën e tij përshëndetëse, Meta u shpreh se, “sot përkujtojmë 7 prillin 1939, një ditë të zezë në historinë e popullit tonë, por edhe një ditë nderimi për rezistencën heroike antifashiste të patriotëve tanë më të kulluar, që në momentin më të vështirë, i dolën për zot Atdheut, duke mos kursyer as jetën e tyre”.

“Është detyra jonë t’i mbrojmë heronjtë dhe veprat e tyre, pavarësisht ideologjive, periudhave dhe sistemeve të kohës, sepse në këtë mënyrë ne ruajmë kombin dhe rrënjët tona, që mbrohen më mirë duke i edukuar të rinjtë me dashurinë për Atdheun”, tha Meta.

“Sot kam kënaqësinë, që të nderojmë së bashku Isak Metalinë, i cili edhe pse ishte mbi 60 vjeç, me pjekurinë dhe zjarrin e një patrioti të vërtetë u deklaronte shokëve përpara se të jepte jetën: ‘Unë e kam nda mendjen me luftue për vendin tim. U thoni fëmijëve të mi se vdiqa për Shqipërinë’. Kjo fjali, thënë në çastet më të vështira të jetës së tyre u kthye edhe në një himn e frymëzim edhe për të tjerët, që luftuan deri në frymën e fundit”, u shpreh Meta.

“Ndihem krenar, sot kujtoj së bashku me ju, me respektin e merituar, jetën dhe veprën e ushtarakut patriot Xhevdet Ballanca, me rastin e 45-vjetorit të ndarjes së tij nga jeta. Oficer i nivelit më të lartë, i edukuar edhe në shkollat më të mirat të kohës jashtë vendit, Xhevdet Ballanca lindi në Dibër të Madhe në vitin 1889 në një familje të njohur, prej nga kishin dalë njerëz atdhetarë, si të mendjes, ashtu edhe të pushkës. Ai luftoi heroikisht, së bashku me Heroin e kësaj Rezistence, Mujo Ulqinakun, Heroin Hamit Dollani dhe luftëtarë të tjerë të lavdishëm, të cilët nuk e kursyen jetën e tyre në mbrojtje të lirisë”, tha Meta.

“Një tjetër figurë e shquar, me kontribute të veçanta është edhe Doktori i Shkencave, historiani, arkeologu dhe shkrimtari i njohur Sali Hidri, të cilin kemi fatin ta kemi sot mes nesh, i cili ka organizuar vit pas viti në nderim e përkujtim të dëshmorëve të luftës së 7 prillit 1939, aktivitete të ndryshme”, tha Meta.

“Hidri, me punën, profesionalizmin dhe mbi të gjitha me atdhedashurinë e tij, kudo ku ka punuar e sidomos në Durrës, ka spikatur nëpërmjet artikujve studimorë, librave të shumtë të botuar, duke u bërë i njohur dhe shumë i dashur, për të gjithë qytetarët, duke u respektuar si një prej personaliteteve më të ndritura të këtij qyteti”, u shpreh Meta./ATSH