Kjo ese botohet në bashkëpunim me rrjetin letrar TRADUKI, si pjesë e projektit “Archipelago Yugoslavia – From 1991 to Today”.
Përktheu: Fadil Bajraj
Shpёrbёrja e pёrgjakshme e Jugosllavisё pёrkoi me kohёn e rritjes dhe pjekurisё sime. Ndёrsa komandanti suprem i hordhive tё sё keqes, Sllobodan Millosheviq, po pёrpiqej ta shkatёrronte tёrёsisht vendin tim, unё po formohesha si person dhe si njё qenie qё mendon. Jo vetёm nё emrin tim, por nё emёr tё tё gjithё neve tё vitete shtatёdhjetё, mund tё them se nё mёnyrё vendimtare na ka prekur pёrvoja e shpёrbёrjes sё Jugosllavisё, se na ka pёrcaktuar dhe pёrkufizuar se ҫfarё jemi dhe ҫfarё do tё bёhemi. Edhe pse ёshtё bёrё i zakonshёm termi „Shpёrbёrja e Jugosllavisё“ nuk ёshtё termi mё adekuat, mё shumё ka tё bёjё me vrasje nё mёnyrё mё mizore dhe tinёzare nga motive tё ulёta. Koha e kryerjes sё krimit zakonisht merret viti 1991, kur Sllovenia dhe Kroacia u shkёputёn nga Jugosllavia dhe kur filluan konfliktet ushtarake.
Jam mё i prirur pёr mendimin e avokatit Srgja Popoviq, ndoshta interpretuesi mё i zgjuar i tmerrit tonё, se vdekja e Jugosllavisё ndodhi pikёrisht mё 28 shtator 1990, kur u miratua Kushtetuta e Serbisё, e cila praktikisht e ndau republikёn e Millosheviqit nga shteti federal. Serbia me kёtё akt juridik u shpall shtet i pavarur dhe sovran dhe pushoi sё respektuari rendin juridik tё RSFJ-sё. Nё fakt, Serbia ishte e para qё u shkёput nga Jugosllavia, por nё kaosin e pёrgjithshёm tё asaj kohe tё trazuar, ajo kaloi pa u vёnё re, e errёsuar nga propaganda e Millosheviqit pёr ruajtjen e shtetit federal, pas tё cilit fshehej njё plan pёr fillimin e luftёrave dhe krijimin e Serbisё sё Madhe, nё tё cilёn ai do tё ishte zot absolut.
Nё atё kohё isha 14 vjeҫ dhe fillova klasёn e tetё tё shkollёs fillore. Ajo qё pasoi ishte shpёrbёrja e plotё e botёs qё sapo filloja ta njihja, botёn e sistemit socialist qё dukej e fortё dhe qёndrueshme, sikur do tё zgjaste pёrgjithmonё. Krejt ҫfarё mё mёsuan nё shkollё pёr tetё vjet papritmas pushoi së vlefshmi, gjithҫka u shkatёrrua nё zjarrin dhe gjakun nga i cili doli diҫka e re dhe e ndryshme, po lindte njё pёrbindёsh pakrahasueshmёrisht mё i tmerrshёm se pёrbindёshi i doktor Frankenshtajnit. Siҫ thoshte Radomir Konstatinoviq, filloi jeta me njё pёrbindёsh. Qё zgjat edhe sot e kёsaj dite, sepse monstrumi nacionalist ёshtё ende gjallё dhe mirё, sall ёshtё tёrhequr nё strofkёn e tij pёr tё lёpirё plagёt e tij pas disa humbjeve tё luftёs dhe pёr tё pritur njё mundёsi mё tё favorshme pёr njё masakёr tё re.
Urrejtja, shovinizmi, dhuna, krimet, kampet e pёrqendrimit, gjenocidi, varfёria, shpёrbёrja e shoqёrisё, krimi, homogjenizmi kombёtar, rehabilitimi i ҫetnikёve, bandat vullnetare, nxitja e luftёs, bombardimet, izolimet, sanksionet, teoritё e konspiracionit, mohimi i krimit, glorifikimi i vrasёsve masiv – ky ёshtё mjedisi nё tё cilin jam rritur. Nuk ka vend pёr keqardhje ndaj vetes dhe vajtim pёr fatin e keq, disiplina shumё tё njohura nё kёto vende – unё ia dola mirё. Kam jetuar nё njё vend agresor nё territorin e tё cilin nuk ka pasur luftё, unё pata fat, pёr dallim nga shumё bashkёmoshatarё tё mi nga Kroacia, Bosnja dhe Kosova qё vuajtёn sepse nuk ishin serbё, tё cilёve ua vranё shokёt dhe shoqet e shkollёs, fqinjёt, prindёrit, kushёrinjtё dhe miqtё.
Nё kёrkim tё njё shpjegimi racional
Nga fundi i jetёs sё tij, Srgja Popoviq kishte shkruar nё fletoren e tij: „Fillimisht njeriu jeton, pastaj kupton se pёr ҫfarё ka mbijetuar nё tё vёrtetё.“ Do të mund ta zbatoja fjalinë e tij të menҫur në rastin tim, me një ndërhyrje të lehtë. Së pari djali jeton dhe më pas burri përpiqet të kuptojë se ҫfarë ka përjetuar në të vërtetë djali. Praktika e disa dekadave ka treguar se kjo detyrë nuk është aspak e lehtë. Kam lexuar me mijëra faqe për atë që na ka ndodhur, qindar tekste dhe analiza të jashtëzakonshme, dhjetëra libra të zgjuar, të bazuar në të cilat shpjegohet pothuajse gjithҫka, e megjithatë kam përshtypjen se asgjë nuk është e qartë për mua. Për t’i bërë gjërat edhe më keq, kam shkruar të paktën disa mijëra faqe për vrasjen e RSFJ-së, nacionalizmin serbomadh, krimet e luftës, mohimet, rolin e intelektualëve dhe kishës në kundërrevolucionin nacionalist, rishikimin e historisë dhe dhjetra tema të ngjashme, dhe më mundon ende e njëjta përshtypje e tmerrit të pakuptueshëm me të cilin po ballafaqohemi me dekada.
Përshtypja ime nuk është vetëm, e ndaj me njerëz që e kanë studiuar apokalipsin tonë shumë më seriozisht, në mënyrë më gjithëpërfshirëse dhe më thell[ësisht. Pas dhjetëra intervistave dhe teksteve, viteve intensive në të cilat fillimisht paralajmëroi se ҫfarë do të ndodhte, e më pas analizoi me saktësi fundosjen e shoqërisë serbe në të keqen. Në verën e vitit 2000, Srgja Popoviq foli për miqtë me të cilët ishte shoqëruar me dekada të tëra, e të cilët kishin kaluar në anën tjetër, dhe përhapnin urrejtje, me vetëdije nxisnin luftë dhe dhunë: “Ata ma kanë ndryshuar kuptimin tim për natyrën njerëzore. Është treguar se njerëzit janë të aftë për metamorfoza që janë të paparashikueshme, se miqësitë nuk janë të besueshme, që njerëzit mund të shndërrohen në monstra në disa rrethana. Unë jam ende duke u përpjekur të kuptoj se si ndodh një gjë e tillë. Po dështoj. E di që disa donin të vërsuleshin pas pushtetit, se u magjepsën nga duatrokitjet e lira, se disa ishin të korruptuar, por prapseprap nuk e kuptoj atë vdekje të arsyes, të nderit, të mirësjelljes, dhembushurisë njerëzore.”
Në librin “Farkëtimi i një komploti anti-jugosllav”, pas një analize shteruese të elitës intelektuale dhe programit kombëtar serb, një kronologji e ngjarjeve nga viti 1966 deri në vitin 2006 me qindra citime, pas gati katërqind faqeve të ekspozitës më të plotë të mundshme të gjenezës së nacionalizmit serbomadh, në të cilën sqarohen të gjitha detajet, Sonja Biserko përfundon: “Një shpjegim racional për gjithҫka që ka ndodhur në Serbi, jo vetëm gjatë dy dekadave të fundit, por edhe gjatë gjithë shekullit 20, nuk është i mundur. Nuk ka përgjigje racionale ndaj viktimave të panevojshme në luftërat e shekullit 20 dhe pretendimeve megalomane në Ballkan.” Sa më shumë që studioi të keqen dhe manifestimet e saj morbide, bile edhe kur zbulon shpjegimet racionale për ҫdo dhunë politike dhe ideologjike, gjithmonë mbetet një tepricë irracionale që nuk mund të reduktohet në kategori racionale. Gjithmonë mbetet një shqetësim i brendshëm që gjithnjë më ҫukit në kokë, duke përsëritur vazhdimisht të njëjtën pyetje: Si është e mundur fare kjo?
Pikërisht për këtë flet heroi i tregimit “Njeriu i shtypur” i Faruk Shehiqit: “Kur dikush të ma shpjegojë se ҫfarë njeriu është ai që zgjohet në një mëngjes të vitit 1992, merr pushkën nga vendi ku e kishte fshehur, var flamurin serb me katër S mbi pragun e derës dhe shkon te fqinji i parë, e përzë nga shtëpia dhe e nxjerrë në baltë, e detyron të bjerë në gjunjë, nxjerr bajonetën dhe ther një qenie njerëzore, fqinjin, kumbarën, mikun e vjetër; kur dikush ma shpjegon këtë vaki në mënyrë racionale, dhe e zbërthen në grupe të thjeshta, do të jetë më e lehtë për të jetuar. Nuk mendoj se ka ndonjë përgjigje të tillë. Shkenca bashkëkohore, parapsikologjia, religjioni, metempsikoza, askush dhe asgjë nuk ka një formulë magjike për të zgjidhur ҫështjen me të cilën të gjithë do të përfundojmë nën dhe.”
Takimi me të keqen
Të gjithë e kemi përjetuar atë që Josif Brodski e përshkruan në fjalimin e tij për të diplomuarit e Kolegjit Williams si “një takim me të Keqen”. Një shprehje lakonike, e thjeshtë për diҫka që do të përpiqemi ta kuptojmë gjatë gjithë jetës. Në një rast tjetër, Brodski e përshkroi sistemin stalinist me shprehjen “katastrofë antropologjike”, e cila është e zbatueshme edhe për rastin tonë. Sintagma në fjalë mund të përdoret edhe për emrin zyrtar të rendit tonë shoqëror. Unë nuk jetoj në demokraci, as në diktaturë dhe as në stabilokraci, por në – katastrofë antropologjike. Nga të gjithë përcaktuesit për këtë rend anomik, amorf, kjo më tingëllon më e sakta.
Historia apo ndonjë forcë tjetër e personifikuar e botës së poshtme tek paraardhësi im i largët para tridhjetë vjetësh, e atij djali që është zhdukur diku në ndërkohë – ia ka përgatitur takimin me të keqen. Disa dekada më vonë, njeriu që “me atë djalë” – siҫ tha Zbignjev Herbert për veten e tij të hershme – “nuk ka asgjë të përbashkët përveҫ datës së lindjes dhe vijës papilare”, përpiqet ta përkthejë atë përvojë të mitur në disa nocione, që të kuptojë se ҫfarë ka ndodhur, sepse ndërkohë, ai ka fituar një aparat njohës dhe analitik që djali i hutuar nuk e ka poseduar.
Është lehtë për njeriun t’i ҫmontojë marrëzitë nacionaliste të Dobrica Qosiqit apo të Jevrem Beqkoviqit, t’i kthejë me kokë poshtë frazat e tyre shoviniste për “zhvendosjen humane” dhe për “fjalën më të shtrenjtë serbe”, por e ka vështirë të merret me përvojat e atij djalit të dikurshëm. Sepse as Qosiq as Beqkoviq nuk bënin lista të tradhëtarëve në dhjetor të vitit 1990 që nuk votuan për Partinë Socialiste të Serbisë të Millosheviqit, lista për pushkatim në të cilat ishin edhe prindërit e atij djali. Këtë e bënin fqinjët e tij, bashkëpunëtorët lokalë të UDB-së, ndoshta për një apanazh të denjë, ndoshta vullnetarisht, entuziazmi patriotik i atyre viteve euforike ishte i fortë, dhe përsa u përket denoncuesve ata asnjëherë nuk kanë munguar.
Një i ri që e mësoi djalin të luante shah, i zbuloi atij mbrojtjen siciliane, lojën italiane dhe Gambitin e Mbretëreshës – në fillim të luftës u bë vullnetar i Vojisllav Sheshelit, ushtar në një lojë ku të fuqishmit luanin me kokat e njerëzve. Kur u kthye nga fushëbeteja e Sllavonisë, i dehur dhe me nerva të shkatërruara, i tregonte djalit se si duket kur pastron terrenin, hedh një bombë në shtëpi dhe pastaj shikon se si zorrët e fëmijëve fluturojnë në ajër. Djali e dëgjonte i tmerruar dhe me mosbesim, nuk ia rrokte truri sesi ai i riu i qetë dhe paqësor me të cilin deri dje kishte kaluar pasditet në tabelën e shahut, u shndërrua papritur në diҫka monstruoze. I dukej se shahisti po e tepronte dhe po trillonte. Disa muaj më vonë, shahisti ia mori jetën vetes. Ai u vetëvar në një tra në tavanin e shtëpisë së tij të lindjes.
Ata që e inkurajuan të shkonte në luftë, edhe sot e kësaj dite janë gjallë, të shëndetshëm, të fortë dhe të pasur. Deri vonë njëri prej tyre ka qenë deputet, i dyti tash ish, ndërsa i treti është president aktual i Serbisë. Njeriu që ndan datën e lindjes dhe gjurmët e gishtërinjve me djalin në bibliotekën e shtëpisë ende i ka librat që shahisti ia ka dhuruar, biografitë e kryemjeshtërve dhe kampionëve të shahut Anatolij Karpovit dhe Raul Kazablankës. Edhe sot ai nuk e di nëse shahisti po thoshte të vërtetën apo po mburrej morbidisht për bëmat e rreme të luftës. Është e vështirë të besosh që dikush me të cilin je rritur është bërë kriminel.
Djali u rrit, tashmë ishte i ri kur u bë lufta në Kosovë. Në atë luftë ka marrë pjesë edhe kushëriri i djalit si nënoficer në Ushtrinë Jugosllave. Pas kthimit, ai nuk donte të thoshte asgjë për luftën e tij të lavdishme. Megjithatë, një mbrëmje vere, alkooli e bëri të veten dhe kushëriri ҫeli pak shpirtin dhe e hapi pakëz shpirtin e ushtarit. Ai foli në ekstazë pasionante se si nuk ka asgjë në botë që mund të krahasohet me të shijuarit e luftës, nuk ka asgjë më të bukur dhe as më emocionuese sesa të luftosh, të gjuash, të përballesh me armikun. Atij vetëm i vjen keq që jetojmë në epokën moderne me armë që detyrojnë distancën mes ushtrive kundërshtare, ai vuan dhe ka mall për kohërat e mesjetës, Betejën e Kosovës, kur duhej të përplaseshe me armikun gjoks më gjoks, me thika, me kordha dhe duarthatë. Ai do të donte të ulej në një makinë kohe, të kthehej në të kaluarën dhe të kacafytej me turqit, të ndjejë dehjen nga lufta e vërtetë, të ndjejë kënaqësinë dhe gëzimin më të madh që ekziston në tokë.
Ish-djalit iu kujtua Dimitrij Karamazov, i cili kishte parë humnera të ngjashme të shpirtit njerëzor dhe tha: “Një njeri është shumë i gjerë, zotërinj, bile shumë i gjerë. Unë do ta ngushtoja!” Dhe duke qenë se ky është një mision i pamundur, atëherë gjithҫka që duhet të bëjmë është të zgjerojmë të kuptuarit tonë për natyrën njerëzore. Shumë vite më vonë e lexova “Oklevetani rat” të Milosh Crnjanskit, në të cilin qëndron edhe kjo fjali: “Megjithatë, ata që ishin në luftë dhe ishin shtrirë në mesin e të vdekurve e dinë se lufta është madhështore dhe se nuk ka moment më të lartë, dhe as që ka pasur ndonjëherë, në jetën e njeriut, sesa pjesëmarrja e të vetëdijshmit në betejë”. Më dukej disi e njohur, sikur të ishim takuar tashmë diku,
Zgjidhja e llogarive
Në vitet e formimit, takimi me të keqen radikale që shkatërron gjithҫka para vetes, përcakton në mënyrë të pashmangshme edhe kuptimin e natyrës njerëzore, e cila e gjen zanafillën te pesimizmi antropologjik. Një pozicion i tillë nuk ka të bëjë fare me prirjet ideologjike, por ka lindur nga një përvojë traumatike, goxha konkrete dhe ekstreme. Kam parë me sytë e mi sesi njerëzit brenda natës shndërrohen në njeringrënës, sesi bota e sjellshme, baballarët e familjeve, qytetarët e respektuar që nuk i kanë shkelur milingonat deri atëherë, bëhen gjakatarë duke bërë thirrje për përballje vendimtare me “ustashë”, “balitë” dhe “shiptarët”, etnitete të ҫuditshme për të cilat ata kanë një ide të paqartë, sepse gati kurrë nuk i kanë parë në jetën e tyre. Mungesa e empirizmit nuk i ka penguar ata të propagandonin ҫrrënjosjen e qenieve të tjera njerëzore, sepse propaganda e Millosheviqit i përcaktoi ata si armiq.
Nuk ka marrëzi të cilën njerëzit nuk do ta besojnë, vetëm nëse ndonjë autoritet e thotë atë disa herë. Për shembull, ata do t’ju bindin me qetësi se Serbia nuk është në luftë, ndërsa fqinjët dhe të afërmit e tyre do t’i ҫojnë në fushën e betejës. Ose se në Srebrenicë nuk u krye gjenocid, se bëhej fjalë për hakmarrje ndaj ushtarëve, edhe pse ata panë në televizor një video-incizim të “Shkorpionëve” duke vrarë fëmijë në Potoҫari, duke u shfryrë në mënyrë monstruoze mbi ta. Siҫ tha Nadezhda Mandelshtajm, ne e gjetëm veten “në mesin e njerëzve që me vetëdije hoqën dorë nga e mira dhe filluan me gjithë zemër të inkurajojnë instinktet më monstruoze në veten e tyre dhe te bashkëkombësit e tyre”. Doli se instinkteve në fjalë nuk u duhet edhe aq shumë për t’u zgjuar, ato janë forca të ndjeshme mendore, të ndjeshme ndaj stimulimit më të butë të penës së shkrimtarit agjitativ.
Kam parë fytyrën më të keqe të racës njerëzore, të shfytyruar nga urrejtja, të përgjakshme dhe dashakeqe, të fëlliqur dhe të poshtër. Nuk do të doja të përgjithësoja, por nuk mund t’i shpëtoj përfundimeve të nxjerra nga përvoja e të jetuarit në një shoqëri që vullnetarisht ia ka mësyer rrugës së rrënimit dhe shkatërrimit, sikur i gjithë komuniteti të kishte vendosur të vetëvritej dhe të merrte me vete këdo që ndodh afër. Përfundimet janë shkretuese, është e vështirë të jetosh me to, por duhen të shkruhen. Njerëzit nuk janë as të arsyeshëm as njerëzor, njerëzit janë qenie krejtësisht të ҫmendura, të praptë, mizor, të këqij dhe të pistë. Nuk ka asnjë tmerr, vrazhdësi, torturë, keqtrajtim që njeriu nuk do t’ia bënte tjetrit, dhe këtë do ta bënte pa kurrfarë arsye, vetëm sepse mundet. Nëse rritja dhe pjekuria në një katastrofë antropologjike na ka mësuar diҫka, ajo është se njeriu është rrënjësisht i keq. Pikërisht në të njëjtin përfundim doli edhe Josif Brodski, i cili gjithashtu ishte formuar në rendin shoqëror të përmendur dhe kishte jetuar në të derisa e dëbuan.
Përfundimi shkatërrues, krejt në frymën e pesimizmit antropologjik, në pamje të parë frymon me fatalizëm, por kjo është vetëm një iluzion. Sepse njeriu nuk është rrënjësisht i keq për shkak se ai është i tillë në thelbin e tij, por sepse ai lirisht zgjodhi t’i lëshojë nga zinxhirët instinktet e tij monstruoze. Nëse e pranojmë njohjen se njeriu është rrënjësisht i keq, pra se është i aftë për të keqen më të tmerrshme, madje mund të ndërtohet diҫka mbi të. Pranimi i një ideje të tillë, le të themi, mund të jetë hapi i parë drejt ndërgjegjësimit të Serbisë, drejt përballjes me krimin e kryer në emrin tonë. Është më afër të vërtetës, më modeste dhe më pak e rrezikshme të besosh se jemi kriminelë të mundshëm sesa se jemi engjëj qiellorë.
Në rastin e parë, ne do të ndërtojmë një shoqëri mbi idenë se duhet t’i mbrojmë të tjerët nga e keqja jonë. Mendoj se në këtë bazohet ҫdo rend ligjor. Për ҫfarë tjetër shërbejnë ligjet? Rasti i kundërt, kur besojmë se jemi qenie sublime, mbinjerëz, pjesëtarë të popullit qiellor – ne e dimë se ku të ҫon e gjithë kjo. Drejt në dhunë, krim, gjenocid dhe fashizëm. Ky është i vetmi mësim që kam nxjerrë nga rrëmuja e përgjithshme, e vetmja fije shprese në errësirën e mpiksur. Nodshta është mirë që ai djali u zhduk pa lënë gjurmë, ndaj nuk mund t’i them se deri në ҫfarë njohurie arrita, se në ҫfarë më ҫoi përvoja e tij e dhimbshme. Me sa e njoh unë, ai do të tundte kokën me përbuzje për të gjithë këtë dhe do t’i shpallte këto peshimet e mia rreth ҫdo gjëje si ngushëllim të rremë të një mesoburri që përpiqet të bëjë një pakt me botën. Nëse kujtesa ime ҫorientuese nuk më mashtron, ai ishte një kundërshtar i betuar i ҫdo bashkëpunimi me strukturën e vrentjur të universit.
ObserverKult
Lexo edhe esetë e tjera të këtij projekti:
BLERINA ROGOVA GAXHA: EASY LIFE
FARUK ŠEHIĆ: ORA E APOKALIPSIT