Tonin Çobani –
Kohët e fundit (koha e koronavirusit) gjithnjë e më tepër po më sillet ndër mend një poezi e Çajupit që fillon me dyvargëshin: “Jam sulltan, mbret i vërtetë,/ shok të tjerë s’kam në jetë” dhe mbyllet me dyvargëshin final: “Pas meje në këtë jetë, / guri mbi gurë të mos mbetë!” Ka edhe një dyvargësh tjetër diku aty nga mesi i poezisë, i cili nuk më kujtohet mirë: “Pse s’u bë nga perëndia / me një kokë njerëzia”, që ta priste ky sulltan me një të rënë të shpatës e kështu të siguronte jetëgjatësinë e sundimin të vet.
Kur isha nxënës dhe dëgjoja komentin e kësaj poezie, unë nuk e përfytyroja dot njerëzimin me një kokë, të prerë a të paprerë nga një sulltan Stambolli. Pastaj përse i duhej njerëzimi pa kokë një sulltani të gjithëfuqishëm, një mbreti të vërtetë, një presidenti si sulltan a një kryeministri si mbret kudo në botë? Shkurt, kjo poezi e Çajupit nuk ishte ndër poezitë e mia të preferuara.
Në sa, kur u bëra edhe unë mësues dhe më duhej të interpretoja vargjet që fillonin me “jam sulltan, mbret i vërtetë” e trashja zërin (kinse për të imituar një sulltan a mbret të vërtetë) dhe në vazhdim shpjegoja satirën dhe sarkazmën e Çajupit.
Tani në kohën e Covid-19-s, ai varg (“Jam sulltan, mbret i vërtetë”) më sillet nëpër mend sa herë dëgjoj për luftën kundër këtij Virusi të Ri, që dikush-dikush e përcakton si luftën e tretë Botërore (ose më keq të trembëdhjetën). Sigurisht këta dikush-dikushërit janë sulltanë e mbretër jo të vërtetë. Ata përformojnë sikur po përballën me një armik prej së vërteti, tashmë të kudondodhur në glob, por në fakt propagandojnë sundimin e tyre autokratik, duke frikësuar qytetarët (zgjedhësit e tyre, pra, në qeveri a parlament), të cilët ngrenë zërin kundër masave shtrënguese ndaj tyre, qofshin të miratuara edhe nga parlamentet.
Po ndodh kinse kryhet një vetëkarantinim (ose karantinim) që mbikëqyret prej strukturave sulltanore të papërgatitura për të tilla përballje. A nuk ju duket, kështu, njerëzia pa kokë (apo kokëprerë)!? A nuk ju duket, gjithashtu, se, në vend që të karantinohen të sëmurët (ose të dyshuarit), burgosën qytetarët pa dallim moshe, gjinie e profesioni!? Nuk kryhen testimet e domosdoshme, sepse mungojnë testet, prandaj mbyllen dyqanet e bizneset!? Kur dukshëm mungojnë mjetet mbrojtëse për personelin mjekësor, ndoshta edhe aparaturat specifike e ilaçet adeguate për pacientët, e pësojnë qytetarët!? Edhe viktimat, kur raportohen, janë ata që e kanë humbur betejën me Covid-in. S’ka pasur asnjë mangësi menaxheriale a spitalore, more sulltan, mbret i vërtetë!?/ObserverKult