Toposi i shpirtit

Rreth librit me poezi “Mirëdita e mirditorë”, të autorit Hasan Hasani-Përkola

Nga Dije Demiri-Frangu

Hasan Hasani-Përkola, është autor i shumë librave. Libri i fundit i tij Mirëdita e mirditorë,  është një libër me poezi që për temë kanë pikërisht Mirëditën dhe shenjat e saj, mirditorët. Fillimisht, librin në bazë të titullit, që nuk është aspak poetik, lexuesi e projekton si një libër monografik për Mirditën dhe mirditorët, por ky libër me 217 faqe, është një libër i veçantë poetik. Mirëdita dhe mirditorët, është një përmbledhje poezish, që të befason me strukturën e tij poetike që në esencë është strukturë shpirtërore –kulturore e historike, si dhe gjeografike e Mirditës. Autori shkruan si për një dashuri të humbur, gati të harruar e që përnjëherë  shfaqet sërish, shfaqet e fortë, e bukur, joshëse dhe e pastër, si ishte dikur, para 300 vjetësh. Ky libër i rrallë nga forma dhe organizimi poetik, parasegjithash, paraqet  evidentimin e një  procesi historik që lidhet me historinë, transformimin kulturor e me shumë dukuri të historisë shekullore, dukuri me ndikime të thella në identitetin e njeriut të asaj hapësire, e edhe të vet krijuesit të këtij libri. Duke qenë se autori është mirëditor- nga Domgjoni, e që kishte pasur shkëputje shekullore nga ajo tokë, një ditë  e viziton dhe kjo vizitë i kthen forcën e shpirtit  dhe forcën e mohimit moral e poetik të dhunës dhe shtytjeve në transformimin e qenies së tij. Poezia është akt individual, dhe si e tillë reflekton  lidhjen  e fuqishme të autorit me Mirëditën e mirditorët pikërisht si të Anteut me tokën, që spikatë emocionin e dashurisë dhe mallit për vendlindjen, që paraqitet si një panoramë e bukur e mbushur shqetësime, dhembje historike e kulturore, që merr rëndësi dhe vëmendje, pasi të dimë biografinë e autorit dhe pranimin e gjenealogjisë së tij (Po po, erdha këtu ta marr bekimin e Domgjonit/ Ashtu siç e mori edhe Pren Kola im i parë,/Këtu në vendin tim i përbitruar fytit të shekujve/Për të kërkuar Vitin e Shenjtë anonim/ Të ditës (sigurisht) së Marte me plaçka mbi supe/Të Pren Kolës së zymtë me hijen e Munellës ngarkuar).

Libri Mirëdita e mirditorë  si i tillë, është krejtësisht i veçantë në poezinë tonë lirike,  të cilën e bën edhe më të veçantë shprehja gjuhësore e përafërt me romantikët, veçoritë strukturore e motivuese, që të shpeshtën është poezi përkushtimi për individë të kulturës, letërsisë, historisë, por poezi përkushtimi edhe për vendbanimet e hapësirës gjeografike të Mirëditës, një hapësire me tradita të  lashta shqiptare, të pastra, përkundër historisë së përgjakshme dhe represioneve të kohëve të ndryshme. Duke qenë se në shumë poezi autori Hasan Hasani –Përkola, merret me shumë emra të akterëve të kohës së Rilindjes, poezia e tij shpesh merr modelin e lirikës folklorike. Autori vepron kështu për të tipizuar kohën e veprimtarisë dhe punës së tyre krijuese. Kjo e bën poezinë e autorit më autoktone, por jo arkaike, derisa poezitë bartin frymën, idetë dhe mesazhin e autorëve për të cilët autori Përkola, shkruan me dashuri e me pasion për idealin e tyre dhe artin e tyre, ku autori ndien një ringjallje shpirtërore dhe doemos, poetike.

Në poezinë e këtij libri  dominon kulti i të bukurës identitare, sadoqë është një  realiteti i ashpër që ka kaluar kohën shqiptare –në këtë rast kohën mirditore, të ashpër e vrasëse  deri në tjetërsimin e individit. Autori është afër Mirditës, është bashkë me të, është një me të -shpirtërisht, poetikisht dhe intelektualisht, dhe kjo prezencë e tij hetohet  përmes ideve, motiveve dhe vet tematikës së  veprës së tij.  Poezia e autorit Përkola, është plot me imazhe të trashëgimisë sonë kulturore, pamje e peisazhe poetike të përkryera të cilat përmes teknikave imazhiste krijojnë ngacmime nostalgjike e dashurie, për historinë dhe atdheun tonë, të Mirditës –  natyrës  së saj, përshkrim i cili  ndikon drejtpërdrejt në perceptimin tonë estetik për poezinë dhe vet Mirditën.

Duhet theksuar se autori tregon një kujdes ndaj vargut, si njësi e plotë e poezisë, ai del i artikuluar dhe me një gjuhë poetike, asociative duke kompletuar imazhet poetike të poezisë, sado që është transparente.

Në poezitë e këtij libri janë ndry poetikisht emra të mëdhenj letrar e historik-mirditorë,  që janë shenja identifikuese të kësaj hapësire gjeografike-poetike.

 Libri Mirdita e mirditorë, mund të identifikohet si një libër i kujtesës kulturore-trashëgimore e historike, ku funksionon ideja për krenarinë e gjenezës, të kaluarës e të tashmes, që paraqiten si një drithërimë e vetme e me plot frymëzim për guximin dhe trimërinë e kohëve mirditore. Autori sikur bën një index emrash mirditorë, emra të fytyrave më të ndritshme të asaj hapësire, emra dominues edhe në tërë historinë shqiptare–e janë të shumtë, që vinë nga kohë të ndryshme, që nga Gjon Gazulli Gjazujt- e deri te Robert Ndrenika.

Dashuria e autorit për Mirditën kaplon çdo shenjë identitare të saj, ajo bëhet një dashuri platonike, diçka që vazhdimisht autorin e lë të uritur. Autori vendlindjen e paraqet deri në formën e obsesionit, i rindërgjegjësuar ai ndjehet fort i rrënjosur në Mirditën e tij, e cila si hapësirë, si   topos e vendlindje e të parëve, është tokë e rrënjëve dhe kujtimeve të autorit, e sipas Aristotelit ideja jeton me hapësirën. Në këtë rast, kjo thënie është adekuate për poezinë e librit Mirdita dhe mirditorët. Mirdita, fati dhe historia e saj, bën aktualizimin e fakteve dhe dashurisë për vendlindjen –atdheun.   / ObserverKult