Totalitarizmi në Evropë, e vështirë të flasësh për të shkuarën në një kohë kur pandemia po ndryshon sjelljet njerëzore.
Përballja me virusin i ka shtyrë edhe historianët e studiuesit të komunikojnë përmes rrjeteve virtuale, por sërish të mos heshtin për gabimet e së shkuarës. Katër ekspozita janë prezantuar dje online nga studiues shqiptarë e të huaj.
Kjo në emër të totalitarizmit në botë, por bashkë me ekspozitat edhe ide të reja për t’u informuar mbi këtë të shkuar.
LEXO EDHE: DITËT E KUJTESËS, 30 VITE NGA RRËZIMI I SIMBOLIT DIKTATORIAL (VIDEO)
Të dhëna, dokumente dhe histori njerëzore kanë dalë nga arkivi i shteti dhe dosjet e ish-të dënuarve si një homazh për ata që kërkonin liri mendimi, transmeton ‘a2news.com’.
Por edhe si një mesazh për të mos bërë të njëjtat gabime të së shkuarës. Jonila Godole ka bërë bashkë në një takim virtual studiues dhe njohës të politikave totalitare në botë. Bashkë kanë prezantuar ekspozitat, shifrat, viktimat dhe historitë e tyre.
Nëpërmjet ekspozitave të përcjella më herët te publiku, por të rikonceptuara edhe virtualisht.
“Më vjen mirë që pandemia nuk i frenoi këto aktivitete që po ndodhin në Shqipëri e që jemi sërish duke diskutuar për të shkuarën totalitare”, tha Lukasz Kamiński. president i platformës Europiane të Kujtesës.
Por, përtej ekspozitave që iu prezantuan publikut, në takim u diskutua edhe mbi informimin e të rinjve me sistemet diktatoriale dhe pasojat që lë pas një politikë totalitare.
Në përballje me të shkuarën Shqipëria mbetet pas
“Polakët, gjermanët, çekët, hungarezët, Austria dhe shumë vende të tjera kanë botuar këtë libër për të rinjtë. Do të donim shumë të vinte edhe në shqip. Pasi në të ka edhe histori shqiptare, histori që bëjnë bashkë këto vende europiane për të treguar të vërtetat”.
Megjithatë në përballje me të shkuarën Shqipëria mbetet pas.
“Suporti i Bashkimit Europian për ne si platformë ka qenë një ndihmë e madhe. Ne kemi akses për t’i kërkuar ndihmë. Shpresoj që edhe historitë shqiptare të takohen me këtë komunitet. Për një të ardhme pa gabimet e së shkuarës”, potencoi Kamiński.
Ditët e Kujtesës në Shqipëri do të vijojnë deri më 26 shkurt me konferenca dhe takime artistike.