Jo vetëm sepse ai shkroi dhe këndoi një nga këngët italiane më të famshme në botë dhe jo vetëm sepse ajo këngë quhet “Italiani”, por Toto Cutugno ishte padyshim “një italian i vërtetë”, siç kujton vetë kënga.
Një italian që i donte njerëzit, donte t’i tregonte historitë e tyre në një mënyrë të thjeshtë dhe të drejtpërdrejtë dhe i pëlqente t’i argëtonte, duke i bërë të këndonin këngë që në një mënyrë apo tjetër shënuan kohët, veçanërisht vitet 1970 dhe 1980, të cilët e shihnin atë si protagonistin e padiskutueshëm.
Është e çuditshme të mendosh se ishte pikërisht në vitet e muzikës disko dhe popit elektronik që Cutugno arriti suksesin e tij më të madh, duke mbrojtur dhe lartësuar një mënyrë për të bërë muzikë dhe këngë, e cila, pavarësisht se ishte “jashtë modës”, u pranua nga publiku si “e veta”.
Jo një kantautor i angazhuar, edhe pse shumë nga tekstet e tij e tregojnë mirë Italinë, jo një poet hermetik, qartësia dhe thjeshtësia e stilit të tij ishte shembullore, prandaj jo një artist “trendy”, por një mbrojtës besnik i një mënyre për të bërë këngë absolutisht dhe tradicionalisht italiane.
Është fakt që Toto Cutugno ishte ai që e bëri këtë mbrojtje me sukses të jashtëzakonshëm. Njëqind milionë disqe të shitura, një mori triumfesh në festivale në mbarë botën, një fitore e vetme në Sanremo, por gjashtë herë i dyti, një sukses ndërkombëtar që e bëri të jetë një autor shumë i dashur veçanërisht në Francë (ku ka shkruar ndër të tjera për Gérard Lenorman, Joe Dassin, Johnny Hallyday, Claude François, Hervé Vilard, Michel Sardou, Mireille Mathieu, Dalida, Sheila) por edhe në Spanjë dhe në Amerikën Latine dhe, shumë, në Evropën Lindore, mbi të gjitha në Rusi dhe Ukrainë.
Marrëdhënia e tij e shkëlqyer me Rusinë (kujtojmë se në vitin 2013 ai hipi në skenë në Festivalin e Sanremos së bashku me korin e Ushtrisë së Kuqe) e shndërruan atë nga “njeriu i vitit” (pikërisht në 2013), në “persona non grata”, në 2019-ën, për disa deputetë ukrainas.
Por në realitet, Cutugno nuk është marrë kurrë me politikë. I pëlqente të fliste me të gjithë dhe të përfaqësonte të gjithë, pa ekstremizëm dhe tension.
Ai ishte një person i sjellshëm dhe i qetë, por kishte një karakter të fortë dhe nëse do të ishte e nevojshme t’u përgjigjej atyre që e akuzonin, e bënte me dëshirë dhe çiltërsi.
Cutugno nuk kishte ndjenja negative dhe kur kritikët e muzikës e konsideronin tepër konservator dhe popullor. Ai u përgjigjej me shifrat e suksesit të tij dhe shikonte përpara me qetësi, i vetëdijshëm se ishte në sintoni, pavarësisht gjithçkaje, me thelbin dhe zemrën e vendit që i pëlqente vazhdimisht këngët e tij.
Ai ishte gjithashtu i sjellshëm dhe elegant në mënyrën e tij për të bërë televizion. Kurrë me tone të ekzagjeruara, kurrë mbi linjat, mikpritës dhe i disponueshëm, i përsosur për shumë programe që e shihnin si protagonist e si drejtues (dy sezone të Domenica, p.sh. , në fund të viteve ’80 dhe në fillim të viteve ’90).
Por pikërisht me këngët ai ka pushtuar zemrat e italianëve, që në fillim, kur me Albatros, në vitin 1976, njohu suksesin e parë të vërtetë, duke përfunduar i treti në Sanremo, pasi kishte debutuar në fillim të viteve gjashtëdhjetë me Toto & the Rockers.
Më pas duke kaluar tek Toto dhe Tatis, duke luajtur muzikë në sheshe, teatro, salla vallëzimi, duke shfrytëzuar një talent të natyrshëm që babai i tij ia kishte transmetuar dhe që e kishte lejuar të mësonte të luante bateri, kitarë, fizarmonikë. dhe piano.
Si autor arriti menjëherë një sukses të jashtëzakonshëm duke i besuar Adriano Celentanos të famshmen “Soli” në vitin 1979, më pas u bë solist dhe në vitin 1980 me “Solo noi”, ai ishte tashmë një yll i Festivalit të Sanremos, ku mori të vetmen fitore.
Por ishte në vitin 1983, me “L’italiano”, përsëri në Sanremo, që ai u bë fjalë për fjalë një ikonë e këngës kombëtare. L’italiano është një nga himnet kombëtare alternative, së bashku me Azzurro dhe Volare, e kompletuar me “spageti al dente” dhe “një partizan si President” në tekst.
Një këngë e lehtë për t’u mësuar përmendësh, shumë e lehtë dhe mjaft e thjeshtë për t’u njohur nga kushdo si e tija.
Juritë e Sanremos e çuan të pestën në renditjen përfundimtare, vota popullore e çuan drejt suksesit dhe e vendosën në vendin e parë në renditje për dhjetë javë, në një kohë kur disqet duheshin blerë dhe jo dëgjuar me një klikim të thjeshtë.
Gjatë gjithë viteve tetëdhjetë, veçanërisht me Al Bano dhe Ricchi e Poveri, Cutugno mbrojti këngën popullore më tradicionale dhe të parashikueshme, dhe këtë e bëri me krenari dhe besim, duke triumfuar jo vetëm në Sanremo, por edhe në skenën ndërkombëtare, derisa fitoi Eurovizionin në vitin 1990.
Në dekadën e re ai gjen suksese të tjera (si ai së bashku me Ray Charles në Sanremo, një tjetër vend i dytë) por gjithashtu zbulon veten si një prezantues i aftë televiziv, me programe të tilla si Piacere Raiuno, Domenica in dhe I Fatti Vostri.
Megjithatë, muzika ka mbetur gjithmonë pasioni i tij kryesor dhe madje gjatë viteve 2000 vazhdoi të prodhonte dhe shkruante këngë. Madje edhe për Celentanon dhe Minën, si dhe të mbante koncerte në të gjithë botën.
Me një ngarkesë të madhe njerëzore dhe jetësore, Toto Cutugno e luftoi sëmundjen për një kohë të gjatë, duke ditur megjithatë se kishte pushtuar një pjesë të përjetësisë me disa këngë që italianët dhe jo vetëm ata, do t’i këndojnë ende për një kohë të gjatë.
La Repubblica – Bota.al
*Titulli i origjinalit: “Toto, italiani krenar”
ObserverKult
Lexo edhe:
HISTORIA E KËNGËS MË TË FAMSHME TË TOTO CUTUGNO, “L’ITALIANO”
L’italiano, kënga e cila u kthye në hitin e muzikës italiane dhe e bëri të famshëm në mbarë botën këngëtarin Toto Cutugno, fillimisht është shkruar për Adriano Celentanon.
Por Celentano nuk donte ta këndonte. Arsyeja? “Unë,” – tha Adriano, – “nuk kam nevojë të bërtas ‘jam italian i vërtetë’, se njerëzit e dinë që jam i tillë,” i tha ai Cutugnos.
Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult