E bukura, tregim nga Agim Gjakova
Gruaja e re u ngrit në këmbë bashkë me të tjerët. Mjeku e përvodhi me bisht të syrit gjatë njëmbëdhjetë hapave sa kaloi paradhomën dhe kur u fut në sallën e vogël, vizioni i saj iu nde në pardesynë e bardhë. Tek po e vishte, sytë i kaluan nëpër të dy shtretërit dhe ai ndjeu cytjen të kthehej dhe t’i bënte me shenjë asaj: “Ju”,por atë çast u hap dera dhe infermierja thirri:
– Urdhëroni sipas radhës.
Ato ditë i ishte shtuar puna, sepse me këmbënguljen e tij, u qe mbushur mendja edhe eprorëve të rritnin çmimin për dhënien e gjakut. Mjekut të ri, i sapo ardhur nga jashtë, i qenë dhimbsur ata trupa të hajthëm. Ndonëse nuk qe ndonjë rritje e madhe e pagesës, përsëri u ndje efekti. Dhënësit qenë shtuar.
Në dhomë hyri një burrë. Mjeku e njihte se i kishte marrë gjak dy herë. Ndërsa infermierja përgatiti pacientin, ai shënoi emrin, të dhënat patologjike dhe grupin e gjakut. Para se të shkruante gramaturën, i hodhi një vështrim të shpejtë dhenta pamja e pacientit, gjallërinë e të cilës nuk i shkoi ndërmend ta lidhte me çmimin e ri, përcaktoi:
– Treqind gramë, Beti.
Sytë e pacientit shprehën gëzim.
Atë ditë nuk do t’i vinte infermierja tjetër dhe ai do të punonte vetëmve një shtrat. U kujtua se mund ta thërriste edhe një pacient tjetër e ta shtrinte në shtratin e dytë të qetësohej.
– Beti, thërrit tjetrit.
Përsëri hyrinë burrë. Edhe atë e njihte. Për një orë e një çerek ai mori dy litra e një]qind gramë. E kishte caktuar që për atë ditë të grumbullonte tri litra gjak. Kishte një rezervë prej më se dhjetë litrash dhe ajo sasi përballonte jo vetëm operacionet e mundshme brenda qytetit, por edhe të rrethinës. Spitali nuk përgjigjej për aksidentet që mund të ndodhnin. Në ato raste të sakatuarit i ushqenin me gjak të afërmit e tyre.
Sipas radhës u fut një grua. Përsëri mjekut i shkoi mendja te vizioni që përvodhi në paradhomë. Infermierja e zgjoi:
A t’u them të tjerëve të shkojnë?
Mjeku hezitoi një çast. Vizioni iu ngri diku dhe ai nuk mundi ta shkulte nga sytë e mendjes. Megjithatë ia preu:
Po. Mund të rrinë edhe katër. Të tjerët të shkojnë.
Ai përcaktoi grupin e gjakut të pacientes,pyeti për sëmundjet dhe i bëri një vizitë të shkurtër. Pastaj iu drejtua infermieres:
– Dyqind e pesëdhjetë gramë, Beti.
“Vizioni u duk i dhjeti. Dhjeta e kishte ndihmuar gjithmonë. Në anatomi dhe në sëmundjet infektive, ku kishte shkëlqyer, kishte tërhequr tezën numër dhjetë. Kishte lindur me dhjetë tetor, pra muajin e dhjetë dhe ky numër e kishte ndjekur deri në lotari. U afrua pranë gruas së re. Vizioni që kishte përvjedhur në dhomë u tret dhe vendin e tij e zuri qenia e gjallë. E shikoi gjatë. Gruaja e shmangu vështrimin.
– Shtrihuni këtu, – tha ai duke bërë me dorë nga shtrati. U hutua. Në vend që ta vizitonte e pastaj të përcaktonte nëse mund t’i merrej gjak, ai e kaloi drejt e në veprim. Gruaja e re u shtri, mblodhi këmbët, dhe i mbuloi me fundin e saj dy gishta nën gjunjë. Ajo hasi sytë e mjekut në të sajtë dhe u detyrua të vështronte tavanin, ndërsa ndjeu se hija e tyre po i shëtiste nëpër trup, në fillim flokëve, hundës, gojës, qafës, gjinjve të mbuluar me trikon e lehtë limon, të spërkatur me lule pjeshke, barkut, kofshëve që nuk kishin “formë”, nga që ishin mbuluar me fund, këmbëve me çorape “satapurë” ngjyrë kafe dhe këpucëve të zeza, pak të përdorura. Dhe ndërsa ajo vështronte tavanin, mjeku i ktheu prapë sytë tek sytë e saj.
– Keni dhënë gjak ndonjëherë?
Në përgjigjen mohuese ai tha me vete se “ishte gjynah të jepte gjak një grua e tillë”. E kishte afër. Do t’i thoshte të zhvishej, të shtrinte duart drejt trupit të saj, t’i prekte lëkurën, qafën, shpinën, gjoksin, t’ua dëgjonte zemrën, t’ia shtypte barkun. Por…?! Jo. Gjithçka do të zbehej, do të përhumbej në zanat dhe s’do të mbetej asgjë e fshehtë, joshëse. Papritur e pa veten të përkulur mbi. U largua një hap.
– Dyqind gramë, Beti.
Gruaja hapi sytë si të donte të thoshte “pak, doktor”, por ai bëri sikur s’kuptoi. Pothuajse të gjithë pacientët vinin të shitnin gjakun, se u duhej të jetonin.
Gjaku i gruas kaloi nga damari në shishe. Krahu i saj u mbulua me bluzë, pastaj me trikon limon me lule pjeshke.
Pas njëzetetetë ditëve ajo erdhi për herë të dytë. Përsëri mjeku e vëzhgoi me tundimin të prekte trupin e saj. Përsëri dyqind gramë. Por kësaj radhe, kur ajo u ngrit nga shtrati e po rregullonte veshjen, po atë bluzë, po atë triko, po atë fund, ai e pyeti:
– Përse jepni gjak, zonjë,ju që… – deshi të thoshte “që jeni kaq e bukur”, por ngeci.
– Jam e detyruar, zotni doktor.
Mjeku harroi për një çast motivet që i shtynin këta njerëz të vinin e të shitnin gjakun. Dhe kur ajo doli e ndoqi prapa deri te dera e jashtme dhe deshi t’i shtrinte dorën të ndahej, çka nuk e kishte bërë me asnjë pacient,por ajo ia priti:
– Ju lutem, mos më përcillni.
Diçka e pashpjegueshme shtyri të mos kthehej në klinikë. I la të dy infermieret të mbaronin punë me ata pacientë që njiheshin dhe zbriti në kafe “Kristal”.
Herën tjetër ajo erdhi pas tridhjetë ditësh. Ai ndjeu se atë ditë do të bënte një hap para, por gjatë kohës që ajo qe shtrirë dhe gjaku i saj kalonte nga damari në shishe, ai tundua me mendimin ed prekjes së trupit të saj. Vetëm kur krahu i saj i bardhë u mbulua me po atë bluzë e triko, ai u hodh nga karrigia e tha:
– Kush ju detyron të shitni gjakun, zonjë?!
– Jam e detyruar, zotni doktor.
– S’ka njeri në botë që mund të ju detyrojë pikërisht juve që të shitni gjakun. Ju s’keni…! Ju jeni…! Pastaj ju keni mundësi të tjera. Ju keni…! Ju keni…!
Goja i mbeti hapur. Gruaja e re hapi derën dhe doli. Ai i ra pas në paradhomë, nëpër shkallë dhe ndodh pranë saj.
– Ju lutem mos më përcillni, zotni doktor.
– Fundi i fundit ju mund të…, jo të shitni, por gjejeni vetë fjalën e përshtatshme, ndoshta…po them të manovroni qenien tuaj në mënyrë krejtësisht të padëmshme…, – ai s’po i ndahej.
Ajo u skuq flakë dhe ai ndjeu epërsinë që mund ta bënte të skuqej një grua e tillë, e cila nxitoi hapin dhe kthejnë qoshe. Por ai nuk ia pa lotët që i rrodhën. U kthye. Beti po bënte regjistrimet. U afrua pranë dritares dhe vështroi oborrin e spitalit. Pranvera kishte futur jetë edhe në shpirtrat e të sëmurëve. Që po rrinin nëpër stola.
Mjeku priti dhjetë ditë. U end nëpër rrugë se mos e haste papritur. Gruaja e re nuk u duk në klinikë. Kot që vuri kusht me dhjetë ditë. Në këtë rast nuk e ndihmoi numri i fatit të tij. U mundua të merrte me mend kushtet, rrethanat ku jetonte, të përcaktonte gjendjen familjare… Dhe ajo erdhi pikërisht kur nuk e priste. Një ditë të bukur vere hyri në klinikë dhe pa fjalë u shtri në shtrat e u bë gati. Ai vuri re se ajo ishte dobësuar edhe më.
– Ju nuk duhet të jepni gjak, – tha ai.
– Jam e detyruar, zotni doktor, – dhe ajo mbylli sytë. Ai e vështroi si herën e parë dhe pati po atë tundim. “Njeriu nuk mund të dalë jashtë natyrës së tij”, – tha me vete.
– Po ju them edhe një herë, se nuk është mirë për shëndetin tuaj të jepni gjak. Ju… ju mund të më përgjigjeni në ato fjalë që ju thashë atë ditë. – dhe pa ia vënë veshin Betit që po dëgjonte, ia preu: – Më pëlqeni.
– Ju lutem, zotni doktor, kam ardhur për të më marrë gjak, – tha ajo me një zë të dridhur dhe mbylli sytë e shtrëngoi qepallat.
Mjeku u step. Pastaj tha ngadalë:
– Dyqind gramë, Beti.
Krahu i bardhë i gruas që nuk po hapte sytë ndriti si brisk hëne. Ai nuk pati guximin ta shihte se si Beti shpoi damarin. Doli në oborr, pastaj rrugë dhe shkoi e zuri vend në qoshe pas një shtylle që ajo të mos e shihte kur të dilte.
Kur gruaja e re mori kthesën pas spitalit, ai i ra pas deri sa ajo kaloi rrugën e asfaltuar dhe ktheu në] një rrugicë të lagjes me shtëpi përdhese. Mendimi se mësoi ku banonte e qetësoi pak. Zbriti në kafe “Kristal”. Nuk ndenji shumë dh u nipër shtëpi.
Atë natë e shtyu gjumin deri vonë. Iu tek të lexonte një libër të vjetër për disa vrojtimi mbi psikikën. E hodhi me neveri. Qenia e tij i kundërshtoi të dhënat në atë libër. Iu duk se edhe vetëto bëhej objekt i vëzhgimeve.
Të nesërmen e bija e avokatit e thirri në telefon, por ai gënjeu se kishte punë dhe nuk shkoi. Tri ditë u end si nëpër një mjegull, pastaj iu resht punës si i ndërkryer në studimin që po bënte për disa ndryshime të gjakut të malarikëve. Por gjatë gjithë kohës nuk e la të qetë “vizioni i paradhomës”.
Pa qenë plotësisht i vetëdijshëm ai përshpejtoi procesin e marrjes së gjakut, sikur kjo ta ndihmonte që vizioni të dukej më shpejt, por vizioni ordhinë fund të verës, kur ai kishte kryer gjysmën e studimit. Numri i fatit të tij kishte zbritur në tetë. Gruaja e re hyri brenda dhe zuri vendin. Atë ditë i kishte vizituar të gjithë pacientët, të njohur e të panjohur.
– Ju lutem zhvishuni për vizitë, – i tha Beti gruas. Ajo u çua ulur. Mjeku u afrua dhe qëndroi disa çaste. Tundimit të dikurshëm i ishte zbehur diçka.
– Jo,nuk ka nevojë për vizitë. – tha ai dhe u ul në tavolinë të bënte vetë regjistrimin. Gruaja iu duk edhe më dobësuar. Kur “brisku i bardhë i hënës” u mbulua,ai tha prerë:
-Ju duhet të ushqeheni më mirë.
Gruaja e vështroi mjekun si me çudi. U takuan sytë. Të sajtë thanë: “Jo, ajo që mendon ti nuk mund të bëhet. Mjeku u çapit te dritarja. Vjeshta po përgatitej të vinte.
“Ajo po shet veten pikë për pikë e grimë për grimë!”, – tha ai me sytë në kupë të qiellit. Në kaltërsi iu duk se figura e tij nuk ishte më e mjekut, por e dikujt tjetër që pa kuptuar ishte futur në të. Por edhe ajo tjetra nuk ishte figura e gruas së re. Diçka kishte ndryshuar në mendimet e tij.
Ai u thyet atë natë edhe më në studimin e tij. Mostrat e gjakut, njerëzit që kishte vizituar, fëmijët e sëmurë, gratë shtatzëna me anemi Kule, shitësit e gjakut…, të gjitha e hodhën në vorbullën e gjerë të mendimeve. Gruaja e re e tundonte. “Njeriu nuk mund të dalë nga lëkura e vet”. Por ky mendim i solli tjetrin: “A mund të dalë jashtë mjedisit, jashtë natyrës së njerëzve që e rrethojnë?” Përfytyroi fytyrat e pacientëve, gjendjen e tyre familjare, ekonomike e shoqërore dhe u ndal te vizioni i gruas së re. Iu bë e qartë se ajo nuk mund të dilte më nga mëhalla me shtëpi përdhese. Pikërisht në ato çaste e kuptoi se ajo qe ligur dhe nuk mund të shite më gjak. Dhe disi iu duk se kishte bërë krim duke i marrë gjak asaj që nuk kishte për vete dhe përfytyroi se si do të lëngonte, të shtrihej në shtrat dhe të bëhej objekt i studimit të tij.
Vjeshta kishte shkelur një javë në shtratin e saj së bashku me erërat e shiun. Ai iu afrua spitalit. Vizioni i gruas ia mbushi perspektivën dhe ai deshi ta largonte, por e kotë. Gruaja qe atje. “Fantazma e mëhallës me shtëpi përdhese kishte mbirë aty!” Atë ditë kishte anuluar seancën e marrjes së gjakut. Kur u afrua zbehtësia e saj i ra në sy menjëherë. Iu duk se ajo po dridhej.
– Paske ardhur?! – tha ai pa kurrfarë kuptimi.
– Po, – zëri iu drodh, u skuq si atëherë kur tha “më merrni gjakun, zotni doktor”.
– Sot s’ka seancë për marrje gjaku, – tha mjeku dhe diçka zemërimtare e cyti.
– Isha e detyruar të vija, – tha ajo.
– Të shesësh gjakun edhe kur nuk ke?! – bërtiti mjeku
Ajo çoi sytë. Buza iu drodh, qepallat iu përpëlitën, të zbehtit e të skuqurit luftuan në fytyrën e saj. Mërmëriti:
– Kam nevojë, zotni doktor.
– Eja. – e urdhëroi ai me zë të stisur.
Mjeku e la gruan e re në paradhomë. Hyri brenda dhe iu afrua Betit që po merrej me klasifikime. Nxori nga xhepi disa bankënota.
– Të lutem Beti, thirre atë dhe jepja këto.
Ia lëshoi në dorë të hollat dhe u drejtua nga porta që shpinte në sallën e operacioneve, jo i bindur plotësisht se gruaja e re do t’i pranonte.
– Kujt, zotni doktor? Asaj së bukurës? – pyeti Beti, por ai nuk e pati mendjen kur Beti numëroi të hollat. Me ato blihej një’ litër gjak.
Kaloi prapa spitalit, andej nga morgu. Pa orën. Kishte kohë të zbriste deri në sallën e bashkisë, ku do të diskutohej për estetikën komplekse të njeriut modern në kërkesat e tij për rregullimin e qytetit. Ashtu i shpartalluar, i dërmuar, i goditur diku në thellësi, ndjeu nevojën të kishte pranë një shok që t’i bënte pak humor e ta fuqizonte shpirtërisht.
Në sallë zuri vend në rreshtin e fundit. Pothuajse tërë të pranishmit ishin të njohur. E bija e avokatit i hodhi një sy të shpejtë që nga presidiumi dhe i dha të kuptonte që ta priste kur të mbaronin. Kur filluan të flisnin,ai e humbi fillin, u zhyt diku në vete dhe nuk qe në gjendje të ndiqte bisedën. Ata po flisnin aq larg sa që atij iu duk se po thoshin gjëra të pakuptueshme. Papritur i erdhi një e qeshur dhe ai qeshi me zë, pa pasur fare turp nga të pranishmit që kthyen kokat. U ngrit e doli jashtë. U nis sheshit teposhtë rrugës duke shkelur nëpër gjethet e para të rëna të vjeshtës me një qeshje dehëse dhe me një vaj që iu dha në fillim në zemër, pastaj në sy e në buzë.
ObserverKult
Lexo edhe: