Xhabir Tabaku: Askush nuk ia vizitonte vorrin burrit të vetmuar…

Nga Xhabir Tabaku

mori kodrat me vrap. ishin kodra të thata shkëmbinjsh ngjyre të murrmë. ndonjë pishë shatorre aty – këtu këpuste ndoca monotoninë dhe piklonte cikla jete mbi gurët e nxehtë gushtit. fabrika e tjegullave ishte m’at anë kodrave, pranë një katundi të vogël me emër të çuditshëm Rrenc. goja i qe tharë e trupi i djersinte çurg. herë – herë e lëshonte këmba a i rrëshqiste çakulli poshtë dhe lëshohej mbi gurë, binte. ngrihej ashtu e gjakuar e fillonte risht vrapin. Mendimi se mund ta gjente të vdekur burrin e tmerronte. i erreshin sytë e i tkurrej diçka poshtë barkut… boshllëk. kur mbërriti majë kodrës desh iu mbajt fryma. atje poshtë, shtrihej një trupë gjigante betoni. ca automobilë të mëdhej të shëmtuar parkuar në një rrethomë me mur e tela me gjëmba. ishte parku i tatrrave e ndanë tij një punishtë e mirëmbajtjes dhe riparimit të armëve. zona ishte tejet e militarizuar. bri kodrave ishin pesë a gjashtë reparte speciale ushtarake.
fabrika e tjegullave ishte tej, më të djathtë… larg. fabrika ishte me seksione ngrehinash, si stalla bagëtish. ndër ato gërmadha prodhoheshin tjegullat e nxehta.
këmbët zunë t’i dalin jashtë kontrollit e rreziku i theqafjes ndër shkrepat e thatë e të nxehtë rritej. po i afrohej fabrikës. sa më shumë afrohej, më tepër i rritej ankthi, frika. o Zot i madh jo! – thirri me zë, kur pau një grumbull njerëzish në rrugë pranë një autoambulance lyer me të verdhë e të kuqe, si të ishte qerre kineze. nga fabrika drejt rrugës, një karvan me njerëz që nxitonin me shkalca në duar drejt automobilit spitalor. thua të kenë qenë shumë të dëmtuar? të kenë vdekur vallë?

* * *

mbas vorrimit të burrit, Lena shkoi në katund të vet diku në jug të vendit… nuk u kthye më. atje gjeti një burrë vejan që e kishte dashur në rini. më vonë të dy thuhet se vdiqen në Greqi në aksident me motor. askush nuk dinte gjë me siguri.
Lena nuk u kujtua kurrë për burrin e vorruar në atë katund të Shkodrës ku nuk kishin asnjë të njohur. askush nuk ia vizitonte vorrin burrit të vetmuar…

* * *

katundarët pyesnin njëri – tjetrin: – kush qenë vallë këta njerëz? pse i sollën nga jugu në këto anë? ca thoshin se qenë grekë minoritarë të internuar… disa të tjerë, mendonin se ishin spijunë të policisë sekrete. kishte nga të dy llojet në atë katund përzierjesh. një fëmijë i mbrapshtë iu thoshte të gjithëve se e kishte parë Lenen sa e sa herë me operativin e sigurimit te zonës duke u puthur e duke bërë turpe tek ullishta, poshtë moknave me mrina bri Kirit, pranë urës me tela… roja i vreshtave përdridhte musteqet kur flitej për Lenen dhe lironte një nënqeshje prej bandilli.

*Titulli i origjinalit: “Jabanxhi”

ObserverKult

Lexo edhe:

XHABIR TABAKU: A TË PËRQAFOJ EDHE NJË HERË?