Ndjeu uri.
U ngrit, iu afrua frigoriferit, e kishte mbushur dy ditë më parë, plot, nga djathërat deri te reçelet, perimet poshtë, në dollapin për to, më lart sallama, suxhukë, mish pule mbështjellë me plastikë të hollë. Kapi njërin porcion, anash shkruhej data kur mund të zihej ashtu i freskët dhe data deri kur mund të përdorej i ngrirë. E mbajti disa çaste në dorë, pastaj e lëshoi, përtoi ta vendoste në tenxhere e ta ziente. Dora iu ftoh, e preku faqen, jashtë ishte nxehtë, shumë nxehtë. Kondicioneri në 19 gradë, u kollit lehtë, mbathi patikat në korridor, hapi derën, u fut në ashensor, shpejt u gjend në platonë e pasme të ndërtesave. Njerëzit ishin fshehur nga rrezet, asnjë zë, edhe fëmijët e lazdruar të lagjes kishin ikur. Vuri syzet, nuk është larg, tha me vete, kapërceu rrugën, iu afrua picerisë. Edhe pse shumë afër, ishte hera e parë që shkonte aty, për ta marrë një picë me vete. Një grua po lagte me vrushkuj të ftohtë uji kubëzat e parkingut të pjerrët para lokalit, ai e ndjeu flladin e këndshëm në pulpat e këmbëve, djali i saj, i zhveshur, i hareshëm, i skuqur, herë u dilte vrushkujve e ndeshej me ta, herë ikte nën hijen e një peme duke qeshur me të madhe. Nëna e tij, kur e pa klientin, filloi t’i bërtiste të birit, por ai nuk bindej. Kënaqej. I lumtur.
Brenda në lokalin e vogël, pjesë e shtuar më vonë e një shtëpie të madhe, që dukej si bark katror i hapur, qëndronte ulur një grua me shami, e vjetër, rrudhat e thella në fytyrë nuk ia zbehnin buzëqeshjen mikpritëse dhe nuk ia pengonin ngritjen e lehtë në këmbë. Urdhëroni. Desha një picë. Pasi e shikoi menynë, ashtu në këmbë, vendosi për një picë Margarita. I hante rrallë, shumë rrallë dhe gjithnjë merrte këtë lloj pice. Të vogël, të mesme, të madhe. E madhe sa mund të jetë, pyeti. Gruaja e vjetër e bëri një rreth me duar. Iu duk rreth tepër i madh. Të mesme.
Pasi i shikoi për disa çaste tavolinat, vendosi të ulej pranë dritares me xhama të mëdhenj, që ishte e hapur. Vinte flladi i ujit, djali i vogël ishte bindur, nuk dukej më atypari, gruaja që spërkaste, diku dyzetvjeçare, nga fytyra ngjante me gruan me shami, e lëshoi përtokë gypin e ujit, u fut brenda, preku një sustë, ofshani, u ul te tavolina ngjitur me banakun. Një kamion i madh u ngjit përpjetë rrugës skaj picerisë, u ngrit pluhur i madh, ai bëri përpjekje ta mbyllte dritaren që ngrehej anash, nuk arriti. Gruaja vrapoi shpejt, e preku lehtë mysafirin me krahun e saj dhe me shkathtësi e mbylli dritaren. Na mbytën, tha. Kampioni i dytë, ngarkuar plot dhé, shkaktoi edhe më shumë pluhur. Zhurmë, zhaurimë, ushtimë, aroma e picës që po piqej diku pas banakut iu preku hundët. Pse nuk po ankoheni, i tha gruas. Ajo ende qëndronte në këmbë pranë tij, e shqetësuar. Ku?! Jemi ankuar, asgjë, ndërtimet e reja, kanë leje, po thonë. Aty afër ndërtoheshin shtatëmbëdhjetë blloqe, gërmohej toka thellë, dheu hidhej diku tjetër, rrafshohej një greminë. Kamioni i tretë kapërceu, mezi dallohej, aroma e picës po forcohej, gruaja e lëshoi një këngë. Dy fjalë të tekstit të këngës i mori vesh, të tjerat jo, melodia ishte e shëmtuar, po si pluhuri. Kjo muzikë e dreqit, shau nëpër dhëmbë. Ishte kitarist, e kishte formuar një grup, angazhohej nga kafiteri e restorante ku ende kërkohej e dëgjohej muzikë e mirë. Edhe kompozonte. Në mendje i ndriçoi studio gjysmë e errët, nuk e kam paguar qeranë që dy muaj, tha me vete i mërzitur, prindërit nuk i ndihmonin më, nëna po flinte në dhomën e saj, atë ditë thartira në lukth e kishte dërrmuar, nuk ishte ngritur të gatuante, babai ishte zhdukur me disa miq, në kafenenë e pëlqyer, të birrave e dominove, si pensionist pa dalë në pension. Nuk kishin më para për ta mbështetur, kishin, si nuk kishin, pesë ari truall, pesë banesa kishin marrë, tri i kishin shitur, e katërta po përgatitej për të, mirëpo nuk donin ta ndihmonin më, boll ma, mësohu t’i ruash paratë, ndoshta edhe dy muaj dhe i kryej gjashtë meloditë, mendoi i pikëlluar. Gjashtë melodi për një dashuri, tha me vete.
Gruaja ma shami, ende me buzëqeshje në fytyrë, ia lëshoi picën mbi tavolinë, pranë saj një qese, brenda diçka mbështjellë me folie, sigurisht ullinjtë, mendoi. Avulli po i nxen, tha ajo. E kishte fjalën për qesen. Këtu janë të freskët siç i nxjerr nga kavanozi. Ai e shikoi, gruaja buzëqeshte. Katër euro.
Kamioni i kushedisatë po ngjitej përpjetë me vështirësi, reja e pluhurit vrugoi gjithçka, iu nxe dora e majtë ku mbante kutinë e picës, mori guxim dhe doli jashtë. Uji mbi parkingun e lokalit vende-vende ishte tharë, kurse pluhuri kishte krijuar një baltovinë të hollë, që iu ngjit në patika posa shkeli kubëzat. Hapat e tij të ngadalshëm lëshonin tinguj si gojë që mbllaçitin diçka zor të kapërdishme. Kamioni u ndal pak para se të dilte në rrugën e asfaltuar, të shembur nga peshat e rënda, pluhuri po shkonte duke u qetësuar, edhe kokrrizat më të vogla po rehatoheshin në tokë, parking, muret e ndërtesave, kulmet e disa shtëpive që prisnin të gëlltiteshin nga rrokaqiejt. Qetësi, nxehtë, dielli zbardhi gjithçka, duhej rrudhur sytë edhe më fort. Hapat e tij kapeshin e shkoqeshin nga baltovina, kishte ulur kokën, kujdesej që të mos rrëzohej, dëgjoi rrapëllimën e derës së kamionit, një të sharë, shikoi andej. Një burrë ia kishte zënë udhën kamionit, tash e vërejti, shoferi, posa zbriti, iu afrua me tërbim, por nuk e goditi. Filluan të grinden, të bëjnë me duar, gruaja e gypit doli duke u përpjekur ta tërhiqte burrin që andej, ai e shtyu, ajo i ra ballit me gishta, i zgjidhi flokët, i lidhi prapë, kryqëzoi duart, burrat vazhdonin të fjaloseshin, pas pak shoferi u tërhoq prapa kamionit, se ku e gjeti një lopatë dhe me shpejtësi iu afrua tjetrit duke e kërcënuar. Patikat filluan të rrëshqisnin edhe më shumë mbi baltovinë, u përpoq t’i afrohej një tavoline të tarracës së vogël të lokalit, ta linte picën e të ndërhynte për t’i ndarë burrat. Rrëshqiti, u anua, kutia i ra, u bë me baltë në bërryl, prapa, pak në gju, shuplaka e majtë la shenjë të qartë, madje dhe vijat e imëta dukeshin. U ngrit ngadalë, e kapi kutinë, shau, kamioni u ndez, iku me nervozë, pluhuri u trazua, burri e gruaja, me fytyra të mërdhezura, ishin ulur në tarracë, gruaja me shami ua solli nga një kafe e nga një shishe ujë. Buzëqeshja i dallohej, ajo e shikoi, sikur e pyeste pse gjendej ende atypari. Kitaristi eci drejt banesës së vet, u ngjit, hyri, ndërroi teshat, u mundua ta pastronte kutinë, kur e hapi pa që pica kishte kafshuar pakës baltë, por aroma e saj e pushtoi, ushqimi e dashuria, tha me vete. E këputi me thikë pjesën me baltë, pak pluhur që kutia kishte mbledhur anash nuk i prishte punë dhe e hëngri me apetit të madh, paska qenë e shijshme, të lumtë loke, të lumtë! Ushqim e dashuri. Disa nota për melodinë e parafundit, të mbetur në gjysmë, i jehuan në mendje.
Dashuria.
E shoi urinë.
Gusht 2022
ObserverKult
Lexo edhe: