Tregim nga Mehmet Kraja: Tradhtari ose hija e qershisë nën dritën e hënës

Mehmet Kraja

Rauf Ismajlin për herë të parë e takova në dhjetor të vitit 1992 në qytezën W. të Bavarisë.

Për të arritur në atë qytezë, një të huaji i duhet një hartë e detajuar, një nga ato hartat me vija gjithfarëshe, të shtrira, të kryqëzuara e të pleksura, të cilat, kur i përfytyron si hapësira e si rrugë e si vendbanime, krijojnë ndjenjën e një boshllëku të çuditshëm, sikur nëpër damarët e zbrazët fillon të fryjë një erë vjeshtore; pastaj sikur ndjen një vetmi e një përhumbje të pashpjegueshme; pastaj vërtet e sheh veten në ndonjërin nga ato stacionet e vogla të periferive të largëta në një mbrëmje të vonë, pasi të ketë kaluar andej edhe treni i fundit; pastaj vërtet je aty i mbështjellë me një pardesy të zezë dhe me një lëkurë të verdhë e të kaltëreme deri në tejdukje; pastaj përnjëmend ke ndjenjën se nëpër atë stacion nuk do të kalojë asnjë tren, sepse ti nuk shkon më askund, se mbrapa nuk kthehesh dot, se vendi nga ke ardhur është një pikë e zhdukur e horizontit, kurse përpara, vetëm dhjetë hapa më tej, rri një mur i përbërë nga shtresat e trasha të natës. Pastaj dritat e stacionit, më poshtë, më lart dhe atje tej, të kredhura në një heshtje të përsosur, një ujëvarë jonesh farfuritëse të ngrira në vend, si akullnajë e bardhë; pastaj shkallët dhe pista e betonit, dyert me xhama të nxirë, ora me fushë të bardhë – një si horizont i mbyllur dhe një lëvizje e pakuptimtë rrethore brenda saj.

Qyteza W. gjendet diku në jug të Bavarisë dhe atje arrin pasi të kthehesh në të djathtë nga rruga kryesore dhe pasi të kesh kaluar dy-tre vendbanime në maje kodrinash të buta, të rrethuara deri lart me pyje të errët bredhash. Ndërkaq, qytezën W. nga tri anët e rrethojnë mështekna të larta me trup të përhimët e elegant, të cilat, kur fryn erë nga fusha, lehtas përkulen dhe ligjërojnë me një fëshfërimë të mëndafshtë, që sakaq ndërpritet nga heshtja fushore, nga një heshtje e kristaltë dhjetori. Qyteza W. ka një katedrale me kambanore të lartë konike, një shesh të vogël aty pranë, shtëpi të heshtura, me dritare që shikojnë qetësisht në rrugë, dhe krejt atje lart – një qiell gri, të rrafshët e të tendosur, si një pelerinë me cepa të shtrirë e të zgjeruar, që vetëm pak luhaten në erë. Qyteza W. ka edhe një lumth, i cili aty poshtë rrjedh qetësisht, gati pahetueshëm, pa zhurmë e gurgullimë, sikur masa ujore, e vënë midis brigjesh me shkurre e bimësi gjithfarëshe, të ketë ndalur rrjedhën dhe të ketë kapur një fill mendimi për kalueshmërinë e kohës, bie fjala, ose për kohën kordinative; ose ajo masë ujore rri aty për një arsye të thjeshtë, se nuk ka nevojë të jetë në një vend tjetër, se nuk e ndjen nevojën e ikjes, nevojën e zhvendosjes.

Rauf Ismajlin e njoha po atë dhjetor dhe po në atë qytezë. Ishte i moshës sime, ndoshta pak më i ri, dhe kishte një trup të bëshëm e të lidhur e të kërrusur pak te shpatullat, dhe kishte flokë që  apo kishin filluar t’i thinjeshin, pastaj një palë duar të gjata ashtmëdha, dhe kishte një palë sy të kaltër në të blertë që shikonin ngultas, një herë me ashpërsi e pastaj mendueshëm dhe disi përhumbshëm. Gjermanët e qytezës W., ata që e njihnin, e quanin Raul dhe, kur pinin birrë në pijetoren e vogël në skaj të sheshit, ata të tavolinës përbri i thoshin: Pije edhe një nga ne, Raul. Por ai pinte vetëm një krikëll, rrinte edhe pak, fikte cigaren përgjysmë dhe dilte duke  përshëndetur me kokë dhe duke mbyllur derën me kujdes.

Pikërisht atëherë në shesh duhej të kishte rënë mbrëmja dhe nëpër fasadat e shtëpive e nëpër xhamat e vitrinave, e nëpër oborre e në rrugë binte nga qielli një pluhuromë e mugët, në fillim e rralluar dhe e  shpërndarë, dikur më e dendur dhe, së fundi, krejt e zezë, e trashë, ngjitëse dhe e padepërtueshme. Atëherë binte muzgu dhe Raufi pikërisht në ato çaste kalonte nga njëri trotuar te tjetri, futej në një rrugicë të ngushtë, edhe për një kohë dëgjoheshin hapat e tij të vetmuar dhe pas pak ngjante me një hije të zgjatur që zhduket ngadalë në natën e periferisë.

Sara ishte e shoqja e Raufit, një gjermane e shkurtër, me qafë cilindrike dhe me një kraharor të mbushur, që i shquhej së tepërmi nën trikon e kuqe me jakë të mbyllur e me një qëndismë të hollë nën gushë. Kur më pa në derë tek hyja me Raufin, ajo u step, pastaj më mati me një shikim të ftohtë, nga ato shikimet nordike, që krijojnë idenë e akullnajës. Raul, si është e mundur, së paku të më kishe telefonuar, të më kishe bërë me dije, sepse ti e di, sot nuk presim njerëz, pastaj nuk është as e shtunë as e diele, nuk kam bërë banjë, nuk kam rregulluar gjë prej gjëje. Raufi më priu nëpër korridorin e ngushtë dhe me futi në një dhomë të vogël, me mobile të pakta e të ndriçuar nga dy abazhurë në qoshe, që krijonin dy rrathë të verdhë mbi përhimtësinë e qilimit e mbi ajrin kundërmues të dhomës e mbi shtresën e trashë të heshtjes, të mbetur aty prej kohësh. Krejt dhoma ngjante me një enë të zbrazët të kthyer përmbys, ndërkohë që nga qoshet pak të ngritura hynte aq dritë sa të shihje se aty nuk kishte asgjë që të mbetej në kujtesë.

Unë ndjeva angështi dhe një vërshim të papritur emocionesh të turbullta, sikur gjysmerrësira e dhomës të ishte një materie e qulltë që më fërkohej pas trupit, e qulltë dhe e ftohtë, e përbërë nga një tepri errësire e nga një tepri lagështire përzier mes veti në trajtën e një lluce të zezë, që më vinte deri në fyt dhe më kërcënohej me mbytje. Ç’doja unë këtu? Ideja për të krijuar miqësi të reja e për të njohur njerëz, më kishte braktisur prej kohësh, duke i lënë vendin një cinizmi të egër, gati të papërballueshëm. Raufi shikonte këmbët e veta dhe nuk fliste, Sara, e ulur kundruall, bënte ca varavinga meditative nëpër një sipërfaqe të tejdukshme zbrazësie, kurse unë krejt pamjen e shikoja nga larg, nga një distancë e mjaftueshme, me bindjen e ngulitur se krejt kjo ishte një tablo më shumë në ekspozitën e madhe të kotësisë, ku isha futur prej kohësh.

Para se të shkonte të flinte (Raul, nëse vonohesh shumë, do të ndihem e vetmuar), Sara më tregoi si ishte njohur me Raufin, si kishin bërë dashuri në atë dhomën e tij në mansardë, në atë dhomë që kishte vetëm një shtrat, një komodinë dhe një dritare që shikonte prapa shtëpisë, në kopshtin e mbuluar me gjelbërim të errët e të kredhur në një qetësi lodhëse. Sara tha se Raufi nuk kishte dëshirë të bënte dashuri me perden e ngritur të dritares ose me dritë ndezur (A nuk është kështu, Raul?) dhe se gjithmonë më pas ai pinte duhan në heshtje, i mbërthyer nga një ndjenjë e çuditshme teprie. Ai nuk më shikonte asnjëherë kur zhvishesha para syve të tij dhe bënte sikur me ngulm kërkonte diçka që nuk e shihte, por që e kishte në përfytyrim, në mendje, ose ndoshta në ëndërr. (Raul, përse gjithmonë bën sikur ec kuturu nëpër mjegull të dendur, përse me sy gjithmonë kërkon gjërat që nuk i shquan, përse nuk e dëbon nga fytyra atë mërzi të ngathtë e të ftohtë?) Sara u ndal te dera e dhomës dhe me një zë tingëllues, si cingërimë qelqurinash, tha se Rauli ishte njeriu më i vetmuar që kishte parë ndonjëherë, vetëm që ajo vetmia e tij, shtoi ajo, është disi e veçantë, e krijuar nga heshtja si çdo vetmi tjetër, por që zhurmon llahtarshëm diku përtej. E kuptoni çfarë dua të them? Pastaj doli nga dera, duke uzhdukur me një lehtësi të habitshme, duke u bërë e papranishme, e panevojshme, duke marrë me vete të gjitha, edhe pamjen, edhe zërin, edhe rrëfimin e saj për kopshtin e vogël që shihej nga mansarda, madje edhe gjelbërimin e tij të errët dhe heshtjen që shtrihej gjithandej.

Ndonjë një orë më vonë, dola nga shtëpia e Raufit dhe eca këmbë deri në qendër të qytezës.
Raufi ndenji i menduar gjatë gjithë asaj kohe dhe të njejtën gjë e bëra edhe unë, megjithëqë, të them të drejtën, nuk e di si më ndodh kohëve të fundit, sikur nuk ndiej nevojë aq të madhe të lodh mendjen me gjëra të ngatërruara. Se si më duket, sikur bota është bërë prej xhami dhe unë eci mbi sipërfaqen e saj, rrëshqas me një lehtësi të mrekullueshme dhe shikoj pa ndonjë lodhje të madhe ato imazhe që rrinë matanë shtresës së tejdukshme. Edhe tash bëj po këtë gjë. Megjithatë, në atë vitrazh pamjesh të vjetruara, shquaj ndonjë gjë që më nxit kureshtjen.

Atëherë kthej shpinën dhe mundohem të ikë sa më parë, të largohem dhe të kridhem në një harresë të ripërtërirë, të re, të panjohur deri në atë çast. Unë nuk mund t’ua them saktësisht si ndodh kjo, por kam  përshtypjen se edhe Raufi, edhe ajo Sara, edhe kjo qytezë, edhe kjo natë dhjetori janë rekuizita të po asaj harrese, ose variante të saj. Por as kjo nuk ka rëndësi. Unë nuk dua më ta kem mendjen te Raufi dhe këtë e bëj me një lehtësi të madhe, sikur heq një tablo nga muri dhe gjurmët e verdhemëta që mbesin prapa në përmasat e kornizës, janë dimensionet e inekzistencës, ose kështu disi.

Megjithatë, ideja se mund të ndodhë diçka me Raufin, më bën kureshtar dhe më shkakton një nënqeshje të vetvetishme, ndoshta diçka si kënaqësia e djallit që ka arritur të mashtrojë një krijesë të devotshme. Pikërisht kjo më duhet, sepse, thënë midis nesh, nuk e di saktësisht përse unë duhej ta njihja Raufin dhe përse ai duhej të ishte njeri aq i heshtur, aq i mbyllur, aq I panevojshëm në një botë që as e kthen kryet prej tij. Unë e di se këto që i rrëfeva deri tash për Raufin, nuk janë gjë fare dhe se asnjeri nuk do ta quajë të denjë për lexim një rrëfim të këtillë.

Prandaj me Raufin duhet të ndodhë diçka, por të ndodhë ashtu që unë të jem vetëm një spektator i ngeshëm, i cili shikon nga një largësi e mjaftueshme, bie fjala, siç shikon peizazhin me ngricë përjashta nga dritarja e një dhome të ngrohtë, ose siç shikon po nga ajo dritare një njeri që laget në shi, aty kundruall, në trotuarin e ngushtë, pa ditur ku të shkojë dhe pa gjetur një vend ku të futet.

Raufin nuk e takova më deri në fund të atij dhjetori, e kjo disi më shkaktoi një bezdi e një ndjenjë hidhërimi e mërzie, ndoshta diçka sikur vetëdija se deti krijon valë edhe kur ti më nuk I sheh, edhe kur ti nuk je i pranishëm. Rrëfimi që kisha nisur për të, më dukej i pamundshëm, pa perspektivë, një skicim i ngutshëm i portretit të një kalimtari të rastësishëm, i cili zhduket sapo fillojnë të të interesojnë detajet. Dhe atëherë nisa ta kërkoj Raufin pikërisht në ato çastet e para të mbrëmjes, kur qyteza fillon të tërhiqet në errësirë dhe shtyn përpara vitrinat e ndriçuara dhe atë pluhuromë të verdhemët mjegulle mbështjellë rreth neoneve aty sipër, dhe ndonjë kalimtar të rrallë me hapa të ngatërruar nëpër boshatisjen e ngurtë zbritur nga qielli dhe shtrirë në rrugë si një i dehur i fundjavës, dhe fushëtirën e përmbytur nga zymtësia kontinentale, që fillon aty, te shtëpitë e fundit të periferisë dhe shkon drejt hapësirave të pamatura. Një qiell i vrugët, si legurë plumbi, i vardisej qytezës dhe i kalonte sipër me një hukamë të mbytur, rrethuar anash me fëshfëritjen gërvishtëse të lakuriqëve, tek fluturonin mbi shesh e tek bënin varavinga të zeza mbi gravurën e vjetruar të katedrales. E kërkova Raufin rrugës që çonte te shtëpia e tij, dhe në kryqëzimin e parë mbajta hapin, dhe në kryqëzimin e dytë u solla vërdallë, dhe në kryqëzimin e tretë i dola dritës së rrugës pas shpine dhe ashtu, i mbështjellë me natën e dhjetorit, ndjeva se diku thellë në brendi ngrihej e ngurtësohej kotësia e pritjes. Ndonjëherë më shkonte mendja se, edhe sikur Raufin ta shihja diku, nuk do të kisha më dëshirë t’i dilja përpara e ta takoja, madje isha i sigurt se prania e tij do të më shkaktonte një ndjenjë bezdie. Gati i llahtarisur kuptova se Raufi nuk më duhej më, se më duhej diçka tjetër, ndoshta një pritje e panevojshme, ndoshta vetëm ideja e pritjes, vetëm kotësia e saj, ndoshta.

Sido që të jetë, tani më duhet të them se Raufin nuk e takova më dhe as kërkimi im nuk ishte aq insistues sa mund të pandehë dikush. Me një rast, ndoshta gjatë janarit ose dikur më vonë, mu të sikur e pashë Sarën, e cila, duke më kaluar pranë, më përfshiu me një shikim të egër dhe iku tutje me hapa të shpejtë e të rrafshët, duke shtyrë përpara me një lehtësi të çuditshme atë masë cilindrike të trupit dhe, sa më larg që shkonte, merrte një pamje krejt pa identitet, pamjen e njeriut që nuk thotë asgjë. Nuk e di përse mu dha të besoja se Raufi ishte larguar nga qyteza dhe se tashmë e kishte braktisur Sarën, madje e kishte braktisur në një mënyrë kryeneçe, pa i dhënë shkas të kuptonte përse e bënte këtë. Ndërkohë, Sara rrinte vetëm në shtëpi dhe ma merrte mendja se netëve të gjata të dimrit, herë pas here, pasi fikte dritën mbi komodinën e dhomës së fjetjes, largonte një qoshe të perdes nga dritarja dhe shikonte tej natën e shtrirë mbi fushëtirën e gjerë, të ndriçuar me të rrallë nga një hënë e mjegullt, pastaj shikonte do si hije të zgjatura atje larg, të ngrira në një heshtje të rrafshët e të padepërtueshme. Dikur Sara binte e flinte dhe, kur zgjohej në mëngjes, ndiente një molisje e një lodhje dëshpëruese dhe gjatëkohë përpiqej të kujtonte një ëndërr të fshehur midis pauzave të errëta të gjumit. Se si i dukej Sarës, sikur në atë rikujtim ëndrre arrinte të shquante diçka, por vetëm një çast, si në përthyerje pasqyrëzash të zeza, të varura gjithandej nëpër dhomë e në dritare e në kopsht e në krejt atë peizazh fushor e më larg akoma, e në ato përfytyrime e në atë ëndrrën e saj të turbullt e të futur midis hapësirash të zbrazëta dhe kudo që ishin bënin po atë – shumëfishonin deri në pafund terrin dhe vetminë. Vetëm që ato, pasqyrëzat e zeza, kishin një veti të tmerrshme: të joshnin t’i shikoje gjatë dhe me një përqendrim të habitshëm, gjithnjë kështu, deri sa vinte një çast kur e kuptoje se nxirosja e tyre ishte masa që krijonte gjithësinë dhe çdo depërtim drite atje, i ngjante antimateries që shpërbënte shfaroste zhdukte çdo gjë, deri në llahtarisje. E marr me mend se dikur vonë Sara ishte kthyer te shtrati dhe kishte zgjatur dorën të ndezte abazhurin. Asgjë nuk kishte prekur. Një e çarë drite kishte hyrë midis pasqyrëzave të zeza, i kishte përplasur ato njërën pas tjetrës duke shumëfishuar përmasat e territ dhe duke e bërë heshtjen të zhurmonte me një cingërimë të hollë e të mprehtë.

Dhe atëherë Sara vdiq nga tepria e vetmisë.

Gazeta lokale e qytezës W. njoftoi për vdekjen e Sarës në numrin e të premtes, të cilën e gjeta mbi tryezën me mbulesë të përhimët të lokalit ku për çdo ditë pija kafenë e mëngjesit. Në faqen e shtatë, në këndin e poshtëm djathtas, fotografia e Sarës (Raul, përse në fotografi dukem sikur kam dhembje koke?) ishte rrethuar me një vijë të trashë e të zezë, një si kornizë terri që e kishte mbyllur Sarën në një sarkofag të ngushtë. Nga fotografia ajo më shikonte ngeshëm dhe me një qetësi të habitshme, ndërkohë që tiparet e fytyrës i shkriheshin ngadalë në një limonti të vagullt. Tek më shikonte ashtu, kisha përshtypjen se Sara më mbante inat për diçka që unë nuk e kuptoja, gjithnjë kështu, deri sa ajo merrte pamjen e njeriut përfundimisht të vdekur, që largohet pak nga pak drejt humbëtirave të mjegullta dhe prapa lë pamjen e vet të shpërndarë dhe një tingëllimë zëri që humbet e humbet e humbet.

Po të ndiqej një rrjedhë e natyrshme e rrëfimit, pikërisht këtu do të duhej të përfundonte historia për Rauf Ismajlin, një histori gati e paqenë, me aq pak gjëra të vlershme për t’u mbajtur mend dhe me atë  enigmën e turbullt të zhdukjes së tij, e cila do të vinte në fund, më shumë për efekt leximi se për ndonjë arsye tjetër madhore. Atëherë do të mjaftonte të thosha se Rauf Ismajli nuk jetonte më në qytezën W., se ishte zhdukur papandehur, njësoj siç ishte shfaqur, se në atë qytezë dhe në mbrëmjet e saj të zymta dhe në rrugëtinën e ngushtë që shpinte kah periferia, kishte lënë heshtjen e tij të vogël e të parëndësishme, siç lë një vashkë në ajër fluturimi i shpejtë e dredharak i lakuriqit të natës, pikërisht aty, te sheshi e te katedralja, rrethuar anash me drita të bardha e të blerta e të verdhemëta, si djegie squfuri.

Po ja që nuk ndodhi kështu. Rauf Ismajli kishte lënë një letër në kutinë e postës, të cilën e gjeta thuaja rastësisht, disa ditë pasi kisha lexuar lajmin për vdekjen e Sarës. Kutia e postës ishte vënë në fund të shkalleve të banesës, në anën e djathtë të hyrjes dhe, që kur banoja aty, nuk më kishte vajtur mendja ta hapja qoftë edhe një herë, i shtyrë nga bindja se kurrë nuk do të merrja asnjë letër, se nuk kisha njeri të më shkruante, se njerëzit, fundja, të mbetur matanë një largësie inerte, nuk kishin as çfarë të më shkruanin. E megjithatë, e hapa kutinë e postës dhe, në fund të saj, mbështjellë me një vetmi të përhimët metalike, ishte ajo, letra e Raufit, me emrin tim sipër zarfit të bardhë dhe me emrin e Raufit në anën e prapme.

I dashur mik. Shkrimi ishte i ashpër e i egër, me shkronja që përdhunshëm rrinin njëra pranë tjetrës, me cepa të zgjatura e gërvishtës, që i bënin fjalët të mugëta, të rënda, fundosëse. I dashur mik. Në çastin kur do ta lexosh këtë letër, unë do të jem shumë larg qytezës W., mos u mundo të kuptosh se ku do të jem, mos u lodh nga mendimi se ndonjë ditë mund të takohemi përsëri, mos e pyet Sarën për mua, sepse as ajo nuk di gjë. Disa radhë pastaj ishin fshirë, ashtu me nxitim, duke nxirë letrën e duke krijuar aty një vakum të errët. Mu bë se diku, ndër ato radhë të fshira, ishte përmendur emri i Sarës, por sipër ishte hedhur aq shumë ngjyrë, saqë Sarën e bënte të largët, të fshehur pas asaj shtrese dheu që tash i rrinte sipër (Raul, përse në atë letër nuk kishe thënë asgjë për mua?).

Pastaj letra vazhdonte. Raufi më lutej ta kuptoja se ikja e tij ishte një fat, të cilin ai duhej ta ndiqte deri në fund. Asgjë nuk mund të ndryshohet në këtë mes, miku im, edhe sikur dikush ta kishte forcën e bërjes e të zhbërjes, edhe sikur ajo fuqi e mistershme ta fillonte botën nga e para, përsëri do të gjendej një Rauf që i duhet të ikë dhe në atë ikje të marrë me vete mallkimin që i shkon prapa, të marrë me vete madhështinë tragjike të gabimit, të shkarjes, të rrëzimit, të rënies e të përdhosjes e të degradimit, të përbaltjes e të squlljes e të tradhtisë. Unë nuk e urrej veten, i dashur mik, siç mund të pandehësh, përkundrazi, vetja më duket më i lartësuar nga të tjerët, më i virtytshëm dhe më i denjë për të mbajtur mbi vete barrën e rëndë të vuajtjes e të katandisjes. Mund të të duket e tmerrshme, po ja që ta them se unë nuk jam penduar, sepse pendesa më duket një ves; nuk e ndiej veten keq në lëkurën që kam. Unë nuk kërkoj nga njerëzit të më kuptojnë e të më mëshirojnë, e të thonë pastaj se krejt ajo që ndodhi ishte një rastësi, ishte një incident. Nga e dinë ata se ishte rastësi? Nga e dinë ata se unë nuk jam një tradhtar i mbaruar, se çdo gjë tjetër është gënjeshtër, është mashtrim?

Më tej në letër Raufi përshkruante në detaje ikjet e njëpasnjëshme, fshehjen, largimin nga sytë e njerëzve. Për një çast mu bë se qyteza W. ishte aq e vogël, aq e heshtur e aq e qetë, sa që me atë strukjen e vet në gjelbërimin e errët që e rrethonte, do të më mbante fshehur përgjithmonë. Të them të drejtën, kjo më krijonte një lehtësi, por edhe bezdi më shkaktonte, sepse isha i privuar nga ndjenja e fajit, të cilën duhej ta shijoja deri në fund. Nuk mund ta merrja me mend ngrysjen e jetës në një qetësi të tillë, në atë shtëpi të vogël të periferisë, i rrethuar me një heshtje të butë, si prej kadifeje, dhe nga dritarja e dhomës së gjumit të shikoja gjithmonë  ushën e gjerë e me kodrina atje tej, paqësisht të shtrira e të gërmuqura, në një kohë kur qielli sipër merrte një kaltërsi të kulluar, të thellë e të kristaltë. Nuk mund ta merrja me mend se një prehje e një qetësi e tillë e paanë më takonte edhe mua (Raul, përse rri te dritarja dhe bën sikur flet me hënën?), se përgjithmonë isha i privuar nga ndjenja e fajit, se harresa, si hijet mbrëmësore që zënë e shtrihen mbi fushë, do të më mbulonte pak nga pak dhe se një ditë do të mbyllja sytë në një prehje të gjithmonshme, pa vuajtje pa brenga pa brerje ndërgjegjeje, krejt i qetë, frikshëm i zbrazët frikshëm i lumtur…

Sa vinte e shkrimi bëhej më i dendur. Unë duhet të vuaj tërë jetën turpin e tradhtisë. Fjalia ishte nënvizuar dhe, e përsëritur disa herë, dukej si një transversale betoni, me një binar hekuri përfundi. Mund të rrënohej çdo gjë brenda atij teksti, mund të ndodhte një përmbytje e madhe, por ajo transversale do të mbetej, si gjurmët e urës te një lumë i dalë nga shtrati… Ky fakt nuk më dëshpëron, përkundrazi. Ndiej se kam forcë dhe kam vullnet dhe kam kurajë ta përballoj dhe një ditë, kur t’u vijë fundi ikjeve të mia të gjata, me vete do të them: bëra diçka në këtë jetë, vuajta gabimin tragjik të një rastësie.

Tek e lexoja letrën, një çast e hetova se më nuk kisha forcë përfytyrimi. Raufi dhe çdo gjë tjetër që lidhej me të, kishin ikur aq larg, duke lënë prapa fjalë që kumbonin zbrazët dhe fishkëllenin si erë pa identitet. Më 1981 në Gjilan bëmë grupin ilegal prej nëntë vetash, i cili thoshin se i takonte një organizate që kurrë nuk ia mësova emrin e plotë. Një natë (e mbaj mend atë trokitje të lehtë prej tri të rënash, dy një pas një dhe e treta e ndarë me një heshtje të shkurtër) në shtëpi më sollën një grumbull traktesh, mbështjellë me letër të përhimët dhe lidhur me një spango të trashë. Nuk e pashë njeriun që ma kishte lënë pakon te dera, por ma merrte mendja se më shikonte nga vendi ku ishte strukur, nga kopshti ose ndoshta më larg, nga qoshja e rrugës. E ai, në ato çaste të gjata të pritjes, sa të hapej dera, me vete thoshte: soj i tradhtarit është ky, e di unë mirë. Pakon e mora (ishte natë vere dhe nga kopshti vinte një freski e lehtë, përzier me një cingërimë nervash, si këngë bulkthi), u mbylla në dhomë dhe e hapa ngadalë. Geshtetneri kishte nxjerrë bojë me tepri dhe traktet ishin të palexueshme, të përshkuar me njolla të zeza, që, kur i merrje në dorë, të shkaktonin ndjenjë avarie.

Letra kishte një ndërprerje, të cilën e hetoje nga leximi, por nuk e kuptoje përse kishte ndodhur. Kishte hyrë aty në mes një heshtje e gjatë, e mbështjellë me tym duhani dhe me një shikim të përqendruar ndoshta diku në mur, ose në dritën e abazhurit, ose në fytyrën e Sarës, të shtruar e të qetë, si një lumë fushor (Raul, përse edhe kur të shoh ëndërr, atje ku rri ti gjithmonë fryn erë e ftohtë?), ose në një turbullirë mendimesh, që fillon e dyndet nga nata bashkë me hijet e mugëta. Gjatë dy ditëve që erdhën pastaj, me një shqetësim që më shkaktonte të dridhura e lebetitje të fshehta, kërkova shokët e grupit, në mënyrë që prej tyre të merrja një udhëzim e të më thoshin çfarë duhej të bëja me traktet e të më tregonin ç’rrugë të zgjidhja, t’i shpërndaja, t’i zhdukja, apo t’i fshehja diku. Ndërkohë, pakon e vogël mbështjellë me letër të përhimët, e kisha vënë në bodrum të shtëpisë, nën një pllakë betoni e me ca rrangalla të tjera sipër, atje ku mbaja edhe të tjera gjëra të fshehta, ca dokumente të organizatës dhe një regjistër me emrat e anëtarëve. Po atë ditë, ndërsa kthehesha në shtëpi i mbushur me një ndjenjë teprie dhe me një mërzi të tymtë që më rrethonte, pikërisht te qoshja e rrugës, aty ku fillojnë te dukën një pas një pullazet e ulëta të shtëpive të lagjes, aty ku qershitë e mollët nga kopshtet hedhin në rrugë hije të kaltërreme, aty ku hapat mbi kalldrëmin e rrugës jehojnë në kujtesë me njëmijë tinguj nga më të çuditshmit, aty diku më dolën përpara dy njerëz dhe më thanë të ecja midis tyre, dhe më thanë të mos ktheja kokën prapa, dhe më thanë të mos flisja me njeri…

Në cepin e skajshëm të natës, në fund të fushëtirës dhe akoma më larg, mbi shpinën e kodrinës dhe përtej saj, qielli dukej sikur kishte ikur nga toka dhe ishte dyndur me një anë, dhe kishte krijuar një të çarë, përmes së cilës kishte filluar të hynte një dritë e shngjyrosur, një si pluhuromë e bardhemët, që vdirrej e tretej sapo bënte t’i ngjitej qiellit përpjetë. Pak më vonë era filloi ta dyndte atë pluhuromë dhe ta shtynte nga cepat e skajshëm të peizazhit, dhe ta shpërndante anë e tej, mbi pyllin që ende nxinte e mbi pllajën e zhveshur aty afër, e pastaj në rrugë e në kopsht e në xhamat e dritares, duke endur mbi krejt pamjen një mëngjes të hirtë e të mjegullt. Një pjesë e mbetur e asaj nate, gati e pandryshueshme, po me atë dendësi molekulare, ishte zhvendosur këndej dritares dhe ishte futur në dhomën e Raufit. Diku në ato çaste, Raufi po shkruante këto radhë, herë duke ndjekur me sy lëvizjen e errët të shkronjave mbi letër, e herë mjegullimin mëngjesore përtej xhamit.

Tre muaj hetuesie mohova çdo gjë dhe tre muaj më thanë se ata i dinin të gjitha, dhe tre muaj të tjerë kërkuan të tregoja ku i kisha fshehur traktet. M’i lexuan deklaratat e shokëve të grupit dhe dëshminë e atij që ma kishte lënë pakon te dera. Nuk e di se si më vinte, sikur më kishte përmbytur një ngrohtësi e vagullt, një limonti e përgjumshme, e cila do të merrte fund sapo të më pyesnin përsëri për traktet. Traktet? O Zot, sa pak gjëra mbaja mend dhe sa të largëta e të mjegullta e të përtejme më dukeshin të gjitha. Nuk e di përse mu kujtua kopshti përpara shtëpisë, i mbushur me atë heshtim hijesh të kaltërreme e me një freski bari të njomë. Traktet? Po, po, aty ishin traktet, mbështjellë me dheun e butë e të lagësht, pikërisht te qershia në midis, tre hapa larg qershisë dhe katër hapa nga muri rrethues. Natën, kur hëna del mbi pullazet e shtëpive, qershia shtrin nëpër kopsht një hije të gjatë e të dridhshme, me majë të lakuar nën dritare, gati për të prekur parvazin e për t’u futur në dhomë, dhe rrëshqet pastaj teposhtë me një fëshfëritje të ëmbël që të arrijë pas pak te gryka e pusit, të rrijë aty një çast të vetëm dhe më vonë e sheh tek luhatet e pluskon në një tejdukshmëri të sedeftë, gati vezulluese. Traktet? Aty duhej t’i kisha vënë, tre hapa… Në ëndërr atë natë pashë një flakë të madhe, të bardhë e të verdhë e të blertë e të purpurt, që i shkonte qershisë deri në maje, dhe ngjitej akoma më lart përmes qiellit, dhe hënën e përcëllonte, e bënte prush të kuqe. Më zgjoi një rrapëllimë hapash në korridor dhe dera që u hap me zhurmë. Në syprinën e mugët të qelisë ende rrinin pezull copa të asaj ëndrre. Më shpunë në një zyrë të gjerë e të bardhë, pastaj në një zyrë tjetër dhe në një tjetër pak më vonë. Ngado që më sillnin, nëpër korridore e nëpër dhoma të mëdha e të ndriçuara, shihja mure të bardhë e të zhveshur, që binin pingul mbi apatinë time të rrafshët, mbi një indiferencë e mefshtësi horizontale, që mendërisht më mërgonte e më shpinte diku larg. Në njërën nga ato zyrat nënshkrova një letër, kurse në një tjetër një burrë i moshuar me sy të vegjël e të pjerrët, më buzëqeshi shlirshëm. Po atë ditë, ose të nesërmen më thanë se do të lirohesha, se kishin mbetur edhe ca formalitete, punë shkresurinash. Daleni! Unë dua të gjykohem, dua të më dënoni, të them para trupit gjykues në një sallë të madhe, se unë nuk e njoh këtë gjyq, njoh vetëm gjyqin e popullit, unë… Më shpjeguan se ndaj meje kishin përfunduar hetimet, se isha treguar kooperativ dhe se kisha dhënë ndihmë të madhe për zbulimin e krejt organizatës. Ai regjistri… Një terratisje e përnjëhershme nxiu muret, veshi xhamat e dritares, u shtri mbi mua me një peshë të padurueshme. Shafitje, rënie, gremisje dhe prapë rënie gremisje e pandalshme drejt thellësisë së tokës, përmes një terri ngjitës, si prej rrëshire të valë. Kur erdha në vete, burri i moshuar me sy të vegjël e të pjerrtë rrinte qetë-qetë te tryeza e madhe, më shikonte ngeshëm dhe me gishtërinj trokiste ritmikisht. Gjuha, e trashë dhe ngjitëse, më ishte mbledhur në grykë si një dorë balte argjilore. Mund të shkoni. Por unë… si të them, ishte një gabim, një rastësi e marrë, unë nuk dua të mendohet se… Ai buzëqeshi, tregoi me sy derën, bëri një rrotullim mbi karrige dhe zuri të shikonte nga dritarja. Pastaj korridori i zbrazët, me mure që luhateshin, si të bërë prej hijesh të murrme, pastaj asgjë. Në periferi të asaj trallisjeje dhe të asaj mpirjeje dhe të asaj kotësie të zymtë kishte mbetur një shpjegim me një qartësi të egër, mbështjellë nga një largësi e pambërritshme. Dikush nga të shtëpisë, e kishte marrë pakon e trakteve dhe të tjerat letra që i mbaja në podrum, për t’i fshehur më mirë, i kishte futur në një thes najloni dhe i kishte groposur aty në kopsht, nën qershinë e gjatë, e cila, meqë ra fjala, natë për natë, kur hëna zinte vend mbi pullazet e shtëpive, në anën tjetër të oborrit, te pusi e krejt nën dritare, hidhte një hije të blertë e të hollë, të sedeftë e të tejdukshme…

Atje jashtë, mbi qytezën W. tashmë kishte rënë mbrëmja dhe nga dritarja hynte në dhomën time një mug i lehtë, i shpërndarë e i nëpërdukshëm, që ende rrinte pezull e pluskonte nën tavanin e lartë. Nga letra e Raufit që mbaja përpara, shkrimi i zi filloi të turbullohej e të përzihej me pluhuromën e vrugët e të përhimët, e të rrëshqiste e të zgjerohej e të dilte matanë dritares, e të shpërndahej nëpër natë e të ikte tëhu, deri atje tej në lindje, mbi atë kodrinë të errët bredhash, ku nata tashmë kishte bërë një mur të pakalueshëm. E atëherë, tek mendoja për atë mur të zi mbi kodrinë e nën cepat e irnosur të qiellit dhe tek shkoja andej me një fishkëllimë vetmie prapa, se si mu bë, sikur atë letër të lënë mbi tryezën afër dritares e kisha shkruar unë, se unë isha Raufi, kurse atë tjetrin që i kishte rrëfyer të gjitha këto, pra autorin, e kisha lënë atje prapa, në atë dhomë të errët, tek shikonte natën dhe peizazhin fushor në lindje.

*Shkëputur nga vëllimi me tregime “Portat e qiellit”

ObserverKult