Tri rekomandime leximi nga Irena Gjoni

Në kuadër të rubrikës Rekomandime leximi, ObserverKult kësaj radhe ka mysafire shkrimtaren dhe studiuesen e letërsisë Irena Gjoni.
Ja cilat janë tri librat që Gjoni ua rekomandon t’i lexoni:  

Ndodh që raportet me leximin janë të çuditshme e shpesh të mbështjella me një tis misteri. Ka libra që i lexon me një frymë dhe impakti i tyre është aq goditës dhe i fuqishëm, si një goditje rrufeje që nuk bie dy herë në të njëjtin çast e në të njëjtin vend. Por lenë vetëm vragën tronditëse, sa ke frikë më t’i kthehesh rileximit, se mos prishet “magjia” e përjetimit. Ashtu si ka libra që i mban në nënkresë dhe gjen gjithmonë mundësinë përgjatë jetës “t’i vizitosh” e t’i kesh në vendin e oazit shpirtëror. Apo të tjerë që në kohë të ndryshme leximi apo kondicione të caktuara, nuk përfton të njëjtën ndjesi. Këtu qëndron edhe aspekti i subjektivitetit të përzgjedhjes. Megjithatë, gjithmonë kam qenë e mendimit, se pavarësisht sa më sipër, një libër i mirë, ngelet gjithmonë i tillë.
Për një njeri që jeta e fati i të cilit është i lidhur me librin, vihem shpesh në dilemën e përzgjedhjes. Aq më tepër kur të duhet të rekomandosh e akoma më vështirë, vetëm tre  prej tyre.

Nga Irena Gjoni

Në  përditshmërinë e punës sime, më duhet të bëj rekomandimet e librave që për plan programet e kurrikulave, janë të detyruara për lexim për nxënësit e studentët, duke filluar që nga Antikiteti. Megjithatë, kurrë nuk ua “servir” si një “detyrim”, por si diçka e bërë për qef e kënaqësi dhe që ndikon dukshëm tek ta në çdo aspekt. Disa nga arsyet që i mëshoj fort këtij fokusimi te libri me të gjitha mënyrat, janë, sepse:

1. është kjo moshë që konsiderohet më aktive për lexim,
2. është një lexues më masiv, se sa ata që në një të ardhme do të zgjedhin profesione që kanë lidhje të drejtpërdrejt me leximin e konsiderueshëm të librave letrarë dhe mund të kufizohen vetëm në një korpus librash profesionalë,
3. është mosha ku kultivohet shija e mirë dhe orientohen drejt vlerave të vërteta në letërsi duke përgatitur lexuesin e ardhshëm cilësor.

            Sipas konceptit të Gëtes për Weltliteratur, si panteoni i veprave të mëdha, të konsideruara si pronë e përbashkët e gjithë njerëzimit në çdo kohë, po e perifrazoj dhe e quaj të mirëqenë të gjithë këtë korpus librash që çdokush i njeh, është familjarizuar me ta nëpër libra shkollorë dhe shkon lehtësisht t’i gjejë pa asnjë lloj rekomandimi.

            Ndaj doja të ndalesha në tre autorë dhe tre libra të tyre jashtë këtyre programeve, por brenda letërsisë elitare për mua:

            I pari është autori Gabriel Garcia Markez, një shkrimtar që ka lënë gjurmë herët te unë, ku çdo libër i tij do të lexohej me kënaqësi dhe do të ishte një univers më vete për t’u zbuluar. Megjithatë, unë do të ndalesha te libri me tregime të shkurtra, Dymbëdhjetë tregime pelegrine. Vet Markezi e çmon këtë vepër, duke e konsideruar se këtu ka arritur të jetë më pranë librit që ka ëndërruar të shkruajë.  Rëndësia që i dha Markezi këtij libri, duket në 18 vitet përgjatë të cilit u realizua. Gjithashtu, për përkushtimin ndaj tij shprehet: …mundi për të shkruar një tregim të shkurtër, është po aq intensiv sa mundi për të nisur një roman. Sepse në paragrafin e parë të romanit duhet të kesh përcaktuar gjithçka të tij. Përkundrazi, tregimi nuk ka as fillim e as fund: ai ngjit, ose nuk ngjit.

Ideja e parë për ta shkruar këtë libër i erdhi autorit pas një ëndrre ku pa veten e tij duke shkuar në varrimin e vetes, duke ecur me këmbë, mes miqsh si pjesë e kortezhit të tij. Shpjegimi sipas Markezit, ishte ndërgjegjësim i identitetit të tij  dhe mendoi se kjo ishte një pikënisje e mirë për të shkruar mbi çuditë që u bëjnë vaki latino – amerikanëve në Europë. Aventura e shkrimit të tyre, është përsëri një subjekt më vete. Nisi si përmbledhje tregimesh të mbështetura në fakte gazetareske dhe pasi ishte konsoliduar, u zhduk në rrëmujën e punëve të tij. Në ankthin e krijimit, iu rikthye të njëjtave tema për t’i rikrijuar nga e para, duke rindërmarrë një udhëtim rinjohjeje në shumë qytete të Europës ku kishte marrë spunton e parë të tregimeve. Megjithatë, asgjë nuk ishte si më parë e rikrijohen nga e para. Janë 12 tregime ku nuk duket se ku mbaron jeta e ku fillon imagjinata. Pavarësisht tejet të ndryshëm nga njëri – tjetri, ata kanë një unitet të brendshëm toni e stili. Të mbajnë pezull deri në fjalën e fundit. Është e pamundur të veçosh, se duket sikur janë në një aradhë preferenciale. Përjetimet te Avioni i bukuroshes së fjetur, duket sikur i ndien në ashtin e frymën tënde e i jeton si përjetimet e narratorit në natën e udhëtimit në qiell, duke pasur pranë gruan më të bukur që kishte parë në jetën e tij. Jeton një jetë brenda disa orësh me një grua të panjohur që fle në krahun tënd dhe nuk do ta marrë vesh kurrë për ekzistencën tënde e jo më për përjetimet që të ndalin frymën. Apo Gjurmët e gjakut tënd mbi dëborë, ku një pickim i padallueshëm i një gjembthi të trëndafilit në gishtin e unazës gjithë diamante, do të ktheheshin nga njëri skaj i lumturisë prej ndjesive të një dashurie të jashtëzakonshme, në një tragjedi për Nena Dakonten. Duke përfytyruar një gjurmë gjaku mbi dëborë që nga Madriti deri në Paris, ku shpirti arratisej nga vrima e plagës e gjithçka shuhej.

Po kaq intesitet përjetimi hasim edhe te Pajtohem me qera për të parë ëndrra, Drita është si uji, Fantazma gushti e çdo tregim i vëllimit Dymbëdhjetë tregime pelegrine të shqipëruara nga Mira Meksi.

            Një libër tronditës për çdo shoqëri, do ta konsideroja romanin Verbëria të Jose Saramagos, që vijon në rekomandimet e mia. Dilema, ankthe, pasiguri, aludime na krijojnë një vorbull që në faqet e para prej pikëpyetjesh e pikëçuditësesh. Tenton të zbulosh se çfarë po ndodh në atë kaos. Njëkohësisht përfshihesh dhe në situatat sikur je ti që po të ndodhin ato që i evidenton përgjatë leximit. Është një mosfunksionim social i një shoqërie.

Bërthama narrative ngjizëse e subjektit, nuk ka ndonjë ndërlikim. Një makinë mbetet në mes të trafikut, sepse shoferi i saj, personazhi i parë që na shfaqet në vepër, mbetet i verbër, në një verbëri të bardhë. Nuk e kupton arsyen pse ndodh, por veçse që ndodh, duke e bërë të ndihet në panik.  Një qytetar i rastësishëm e ndihmon e në këmbim të mirësisë, e shpërblen veten duke i vjedhur makinën. Këtu nis pasimi i zinxhirit të verbërisë, sepse edhe ky personazh, pëson të njëjtin fat: Verbërinë e bardhë. Një mjek përpiqet të zbulojë shkaqet e verbërisë së personazhit të parë, por përfundon edhe vetë si i tillë. Çdo ditë rritet numri i të verbërve duke u përhapur me shpejtësinë e përhapjes së kolerës. Situata tentohet të vihet nën kontroll nga autoritetet e vendit, të cilët të gjithë të identifikuarit e verbër, i marrin dhe i izolojnë në një ndërtesë çmendine që ishte jashtë funksionit. Këtu fillon lufta e vërtetë për mbijetesë. Në këtë shoqëri të verbërish, shfaqen gjithë veset njerëzore dhe krijohet ideja e një ferri mbi tokë, pa treguar konkretisht ku ndodh dhe cilët janë ata që po u ndodh. Vendi mund të ishte kudo dhe personazh mund të ishte kushdo, sepse (…) shpesh njerëzit tregohen të verbër apo bëjnë sikur” kjo është një nga arsyet që kam shkruar romanin tim, – thotë Jose Saramago.

            Që nga mëkatet e vogla të egoizmit, fyerjes e deri te vrasja, që nga shfrytëzimi i njërit ndaj tjetrit e deri te marrja e pasja e pushtetit absolut me çdo mjet, qoftë kjo edhe arma vrastare, janë ato që lëvrijnë në shoqërinë e të verbërve. Fare mirë përmes tyre, autori na hap sytë për t’i parë më mirë në shoqëritë që ne jetojmë realisht.

            E vetmja dritë në këtë shoqëri të verbërish brenda romanit,  është gruaja e doktorit, e cila shtiret si e verbër, po realisht nuk është e tillë. Përmes syve të saj, ne shohim karakterin e vërtetë njerëzor, të zhveshur nga çdo etikë e lakuriq përballë njëri – tjetrit, duke menduar se dhe tjetri është i verbër e nuk i sheh. Frika se çfarë do të bëhet me të, është një tjetër frikë krahas asaj të mbijetesës së të verbërve, por edhe ajo, përballë dhunës, vret. Është një roman që të bën të reflektosh për verbërinë e përgjithshme të shoqërive, për mosfunksionimin e saj, për indiferentizmin, për pasivitetin për të reaguar, apo për të mos e parë vetveten. Duke theksuar faktin që njeriu është vërtet i verbër, kur nuk do të shohë dhe nuk do të veprojë. Ky libër i përkthyer nga Nasi Lera, është një roman që ndikon në psikën njerëzore, duke luajtur një rol të madh në emancipimin e shoqërive.

Kur vjen puna për të rekomanduar poezi, vështirësia e dilemës është më e madhe sepse kam disa autorë të preferuar shqiptarë dhe të huaj. Megjithatë, shpesh herë, dëshira më fle te dy: Yehuda Amichai dhe Kostandinos Kavafis. Meqë përzgjedhja është e kufizuar, do të rekomandoja Poezia e Kavafis, një përzgjedhje poetike e tij. Është një nga poetët më të mëdhenj grek dhe poezia e tij është përkthyer në shqip dhe në të gjitha gjuhët e tjera europiane. Pavarësisht vështirësive të përkthimit, ka fuqinë vargu i tij për të hyrë brenda shpirtit e ta tronditë atë. Ai si në një hon të errët, gërmon në errësirën e shpirtrave njerëzorë.

I anatemuar në pjesën më të madhe nga shoqëria e tij, ai ishte i ndërgjegjshëm për forcën e vargut të tij, si një pasuri e jashtëzakonshme, përtej asaj tokësore e materiale. Instikti tradicional dhe rrethanat e jetës së tij, e kishin mësuar qysh herët të bënte “llogari të sakta”, ndaj në vitin 1897, në një poetizim personal, do të shkruante: Që jetën time të vështirë ta bëj të sigurt,/ sipër, në Bankën e së Ardhmes, unë shumë pak valutë do të nxjerr.

Ndjenja e izolimit, si komponent tragjik i jetës së tij, do të bëhej evidente në shumë poezi. Secila prej tyre, me universalitetin e ndjenjës, me lidhjen e fuqishme historike me rrënjët e ekzistencës së tij, me dashurinë jo tradicionale, me koncizitetin e paimagjinueshëm në mjetet shprehëse, do të ishte një gur i rëndësishëm, i pazëvendësueshëm dhe i patjetërsueshëm që do të përbëjnë, atë që shprehet kritika, “qytetin kavafian”. Kolonat e forta mbështetëse të këtij “qyteti”, janë: koncepti i lartë për artin si tek Shkalla e parë, apo elementi historiko – mitologjik, por edhe peshimi i botës së njer[zve dhe i hyjnive te Kuajt e Akilit. Për t’i vënë vulën gjenialitetit të tij me poezinë emblematike Itaka,  si një lejtmotiv jete: Gjithnjë mbaje në mendje Itakën…/  Të arrish atje, është i fundmi qëllimi yt. / ObserverKult