Tri dekada pa Martin Camajn: “Si i vuri ish-sigurimcat në lojë…”

martin camaj
Martin Camaj

Në 30-vjetorin e ndarjes nga jeta të shkrimtarit e albanologut, mbahet tryeza shkencore ‘Martin Camaj në Sistemin Letrar Shqiptar’. Studiuesi albanolog Bardhyl Demiraj e rrëfen si pjesë të mërgatës politike intelektuale shqiptare e ka dy fjalë për akuzatorët, që aluduan për Camajn si informator.

E nis prej Temalit të Dukagjinit, ku lindi në 13 korrik të 1925-ës, albanologu Bardhyl Demiraj kumtesën e tij për “Martin Camaj si pjesë e mërgatës politike intelektuale shqiptare”… Në 30-vjetorin e ndarjes së tij nga jeta, ku kujtohet në Akademinë e Shkencave përmes tryezës shkencore ‘Martin Camaj në Sistemin Letrar Shqiptar’, profesor Bardhyl Demiraj rikujton kontributin e tij.

“Në radhë të parë si shkrimtari më i spikatur i mërgatës shqiptare gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX-të dhe si studiues, albanolog”, thotë ndër të tjera Demiraj.

Duke sjellë përshëndetjen e Erikës, bashkëshortes të Camajt për Shqipërinë, thotë se tanimë ajo është e qetë që vepra e Martinit dhe personaliteti i tij është bërë e prekshme. Ende pa dalë nga vala e interpretimeve të materialeve të publikuara, ku aludohej për Camajn si agjent i mundshëm i U DB-së a CI A-s, botuesi i veprës së plotë të Camajt, thotë se ftesa ka qenë e hapur edhe për ‘akuzatorët’.

“Nuk e di pse është tërhequr ky koleg”, thotë albanologu.

Por në mungesë, duke shpjeguar rrugëtimin e jetësor të Camajt ai tregon se shkrimtari, ndonëse i rekrutuar si informator gjatë sistemit komunist në vend, ‘i vuri ish-sigurimsat në lojë’.

“Si agjent vullnetar pa pagesë qëndroi rreth dy muaj gjithsej, sepse pastaj ai u arratis. Dhe ai informacion që ka dhënë, ka qenë jo vetëm jo i saktë por i drejtonte agjentët në një qorrsokak”, shton më tej Demiraj.

Pas arratisjes, në Jugosllavi, Demiraj tregon se Camaj iu përkushtua tërësisht studimit në romanistikë, sllavistikë dhe punë të tjera shkencore-filologjike. Në fillim vitet ’50, ku siç pretendonte studiuesi Auron Tare, supozohej të kishte punuar si informator, albanologu kujton se Camaj po merrej me përkthimin në frëngjisht të fjalorit të Kristoforidhit, çka kërkonte përkushtim të veçantë.

“Siç pretendon dikush sot e kësaj dite që mund të ketë qenë edhe bashkëpunëtor i ngushtë i shërbimit sekret jugosllav të asaj kohe, por që të merresh me Kristoforidhin do punë, plus studimi vetë në fushat përkatëse, nuk i binte rasti të merrej me gjëra shtesë, të cilat nuk kishte arsye pse ti zhvillonte”, thotë Demiraj.

Nga studimet në Beograd e largimi në Itali, për t’u vendosur më tej në Gjermani, rrugëtimi i Camajt sipas Demirajt është shoqëruar me dëshirën për t’u formuar, e karriera e tij nuk është e ndërtuar me kompromise miqësore a pretendime të tjera të dyshimta.

Albanologu e mbyll kumtesën në vitet ’90. Po në këtë periudhë Çapaliku e sjell Camajn përmes një epistolari, ku ndër të tjera Camaj i shkruan duke iu referuar fillesave të veta se edhe ai “i përket shkollës letrare shkodrane”. Tryeza shkencore zgjati për më shumë se tre orë e në të morën pjesë akademikë e emra të njohur të fushës albanologjike e letërsisë./shqiptarja.com


Lexo edhe:


MARTIN CAMAJ: DITA E MALIT TEM…

ObserverKult