Letër Brahim Rugovës
Unë nuk di shumë për ty, Brahim Rugova
Por, poetët modernë arabë tue lexue
m’vjen ndërmen ajo që Isam Mahfouz-i thotë
“Fundi i tregimit tim âsht i ftoftë
njashtu si troshat në sofër”
Dhe kjo m’shti me menu për ty
për Ylfete Humollin shtatëmdhetvjeçare
T’shtrime në morgun e spitalit
me maicë t’bardhë e xhinse blu
Me një lulkuqe n’lule të ballit!
As për atë vajzë sen s’di
Di vetëm se kusherinë jona e largët
duhet me kânë o burrë
Që flatrat bulue s’do t’ia prekim kurrë
Fëmijë i humbun i kësaj epoke
I ftofët si troshat n’sofër,
Ngrimun si e premun dorë
E Florit a Laurit* shejtnorë
Si kur merr frymë
Antonin Artaud* dekun.
Por ky nuk â as nuk munet me kânë
funi i tregimit tand.
bashkë n’heqamë e tuebamsi
deri n’flijim, mos prâj Brahim
Dhe gjaku ma i fortë se çeliku ka me u bâ n’vlim
Nga zemra e Ylfetes behari ka me gufue
kudokofshim na
E me gjethe dafine me t’mlue
Syni i lig mos me t’pa!
Edhe pse dimën â, unë t’bâj bé:
Se edhe për ty ka me dalë pranvera
bija Teutë deri n’ag vallzimin s’ka me e nalë
N’Risan, n’zallinë si ktohera!
Të betohem, Brahim!
Dhe lutem sot,
falna njohjën Zot
t’kofsha falë
Amen!
———
*Antonin Artaud (1896-1948) aktor, regjisor dhe poet francez. Autor i konceptit të “Teatrit mizor”, si avangardë e teatrit europian të shekullit XX.
**Flori e Lauri, martirë dardanë të Krishtnimit! Në vend të ‘Martirit krishten’ vendosa t’i përdor emrat e tyne, për efekte afërsie gjaku me poetin kroat Maruna, i cili i qaset Ylfete Humollit si ‘nji kusherinë e largët’!?
***Risani, qytet në brigjet e Adriatikut, ku ka mbretnu Teuta. Teuta (ilirisht: * Teutana) ishte mbretëresha e fisit Ardian në Iliri, e cila ka mretnu afërsisht nga 231 para deri në 228 / 227 pas Krishtit.
Kryq Bizantin
Pushojnë në paqen e Hyut si t’premë n’fyt
me këtë kryq nër kry’
Pijanecë me dokë tmerri
T’cilët më 1991 erdhën prej Serbie
Tue shkelë grunin dhe lavdinë
Kroate
Gjetën gjith ç’kishin lakmue
E çkado që kishin synue
Shtruet n’atë sofër…
Përfshi edhe grunajat me kallij kokëulun shtremnuet valviten
Dhe psherëtimën e thellë t’lisave n’t’errtat pyje
Për qata edhe kjo kângë
Âsht mbjellun
Pak shtrémt!
Tue lexu poetin bask
Kam me e mbrojtë sh’pinë e bablokut nga ujkanët
Nga moti i lig sh’pinë e babës kam me e mbrojtë nga hajvanët
Kam m’u dalë para tagramledhsve komploteve ideologjive
Nga krimi sh’pinë kam me mbrojtë
prej padrejtësive
E di se kam me hupë shumë vneshta, gjâ t’gjalla
e smuja ka me i shkatrru pemët t’korrunat e motit
Po me e mbrojtë kam
sh’pinë e bablokut
Kur pushkën kanë me ma nxjerrë ndoresh
Duerthatë kam me qindru’
Egërsisht me dhâm
Por me e mbrojtë po kismet
sh’pinë e babës kam
Duerpremë e krahthyem
me gishtat llomitun
me zemër t’përgjakun
kam me i dhânë hakun
Me e mbrojtë me shpirtin tém t’mekun
Me t’pamunit e syve t’mi me e mbrojtë gjithqysh sh’pinë e babës
Me shpirt ndër dhâm e dekun
Kur zemra jéme dhé ka m’u bâ
E kur t’më asgjâsojnë mue
Sh’pia e bablokut
E palëkunun ka me qindrue.
Përktheu nga kroatishtja: Halil Matoshi
_________________________________
Boris Maruna leu më 13 prill, 1940 në Jasenice ngat Zare.
I ikun nga regjimi komunist në Itali, (1960) ai jetoi Argjentinë, Britani e Madhe, ShBA dhe Spanjë.
Dekë me 2007 në Zagreb.
Kritika e vlerëson si përfaqësues të Beat-gjeneratës, përkatësisht Alan Ginsberg-ut. Veprat:
- Edhe mas nesh metët dashunia, 1964;
- Flas me zâ, 1972;
- Ndalimet, 1986;
- Kështu, 1992;
- Ishte ma kollaj me t’dashtë prej s’largu, 1996.
ObserverKult