
Ju ftojmë të lexoni tri poezi nga Luljeta Isaku:
PËR PAK FAT
Ndoshta nesër na ndjek
më shumë fati.
Ndoshta nesër
zemrat do të këndojnë heshtazi
Dhe ne do të dimë
të flasim pa zë.
Ndoshta edhe vallja e yjeve
do të na ndihmojë,
fluturimi i dallëndysheve
e ngjyra e ylberit.
Do të luhatemi në djep përrallash,
Do të rritemi si me dorë
dhe do të përshëndesim retë
në beteja
Me guxim do ta hapim rrugën
Do të jemi ngadhënjimtarë,
sepse bota shumë herë
mbi ne është shembur.
Kemi etje të paparë
Për pak fat dhe
kujtesë të pavrarë.
Është më e lehtë kënga e hapit të njohur
Nesër do të jetojmë më lehtë.
SONTE JAM LARG TEJE
Sonte jam larg teje,
përtej oqeanit
pranë udhëkryqit të botës
dhe mallit.
Këtu yjet shemben nën mjegull
Dritat uluritëse dhe
reklamat për shfaqjet në Broadway
njohin shumë zemra
dhe urrejnë shumë prej tyre.
Për të mos u shkel nga lotët e harresës
ëndrrat e mallkuara
Janë bërë hi i jetës.
Fate të ngjashme lëvizin pranë meje
Role pa skenë,
fshehtas nga vetja
Luhen në trotuare.
E hutuar
kërkoj nurin tënd
zërin e munguar
dhe fjalët kahmot të padëgjuara.
Shikoj veten në vitrina,
nuk e njoh fytyrën time,
Bota është shembur mbi mua.
Shkretirë e fatit jam
Pse ta fsheh?
Unë mendoj për ty,
lutem për ty…
Nuk di nëse ke veshur xhupin e gjelbër edhe sot,
Çfarë mërmërit zemra jote në këtë çast?
Mos po këndon ajo për zanat e “Lahutës”,
për lamtumirën e fundit të Tringës,
për largësitë mitike
dhe gëzimet e ëndërruara?
Sonte jam larg teje
e fshehur prej vetes.
FSHIHU PREJ VETES
Ka filluar të plaket
Gështenja pranë dritares sime
Rrënjët janë kalbur
degët janë tharë.
Është zhveshur nga gjethet
dhe duket se rrënkon thellë.
Si ta ndihmoj?
Si të kërkoj të më rrëfehet
për plagët e motmoteve/
Si t’i them ta heqë pluhurin e harresës
që ia mban peng të kaluarën?
Si ta ruaj?
Si t’u them zogjve
se humbi hapat
mes këngës së tyre,
se është fundi i saj?
Nuk dua ta ndiej këtë dhimbje,
As lotët e gjetheve
që kanë humbur forcën e shikimit,
krenarinë e dikurshme
dhe fshehtësinë
e ngjyrave të shpresës.
Të vërtetën do t’ia them:
Në asnjë humbje nuk mësove si humbet,
Kurrë s’u poqe në stinën tënde,
Ke ecur ngadalë, shumë ngadalë.
Jetë të kotë ke bërë.
Hera-herës ke ëndërruar ngapak.
Tani fshihu prej vetes,
merre këngën në harresë
Shko larg,
Të lutem, të përgjërohem.
Beko fatin, fatin e atyre që të deshën.
ObserverKult
Lexo edhe:
BIBLIOTEKA E TETOVËS NIS FUSHATË FRYMËZUESE LEXIMI ME PERSONALITETE TË NJOHURA TË QYTETIT






