reklamë

Tri poezi nga Ndue Dedaj: Stoli i vjetër

“Triptik për qytetin”, nga Ndue Dedaj

QYTETI I XHIROS SË VET

Qyteti ynë i vogël xhiron e ka të madhe,
shëtitjet mondane të mbrëmjeve,
mbrëmjet e shëtitjeve mondane.

Humbet ai në xhiron e vet
si në një vals dashurie!

Çdo qytet ka orën e tij – kullën e sahatit.
Qyteti ynë për orë ka xhiron!
Pulson tik-tak-u i saj
si një shpirt i bardhë.

Nxiton qyteti ynë të bëhet plak,
Njëqind, një mijë vjeç
duke ua kaluar pleqve të kërrusur lehtë,
duke ua kaluar drurëve të blertë.

Unë xhiron asnjëherë nuk ia prish
qytetit tim krenar,
ani se s’jam praktikant i saj!…

I vogli qyteti ynë, me xhiro të madhe.

NË PROVINCË

Në provincë përditë bien tupanat…

Në provincë të gjithë shesin kikirikë,
Në provincë të gjithë gjuajnë politikë,
Në provincë fjalimet i mbajnë të gjata,
Në provincë makinat i ngasin burrat,
Në provincë shkallët i lajnë gratë,
Në provincë të gjithë shkruajnë libra,
Në provincë të gjithë i bëjnë të gjitha.
Në provincë bëhesh hero dhe padashur,
Në provincë rakia pihet me barut,
Në provincë sporti i të gjithëve – xhirot,
Në provincë plugu i ditës – thashethemet,
Në provincë gratë janë të ndershme,
Në provincë dashuritë janë të zjarrta.

Në provincë bie lahuta bridashe…

STOLI I VJETËR

Kam frikë kur ai stol të mos jetë…
Stoli para pallatit me tulla të bardha.
Ulet përditë nëna ime me të vjetrat e lagjes,
Gra më të moshuara se qyteti.

Vajzat vogëloshe luajnë rrasa-vijë
Pa dashur t’ia dinë për trillet e moshës,
Pa ngrihen gjyshet si në kërcimet motit,
Luajnë fëmijërisht dhe ato…

Lulet në kodrinë kanë çelur
Lulet e pjeshkës, lulet e mollës, lule të bardha…
Ah!… Shkojnë dorën nëpër flokë,
Ishin dikur edhe ato vasha!

Vajzat me të nesërmen shkrihen në paqe
Te ajo rrugicë, te ai stol nën diell!
Stoli para pallatit me tulla të bardha.
Kam frikë kur ai stol të mos jetë…

ObserverKult

———-

Lexo edhe:

Ndue Dedaj: Fjalë të huaja “shqipe”