Tri poezi nga poetja e pafat, Drita Çomo

Drita Çomo, portret

Drita Çomo lindi më 19 mars 1958. Si shumë të tjerë në atë periudhë, edhe ajo vuajti pasojat e regjimit të egër komunist. Ishte vetëm dy vjeçe kur u përcaktua që ajo të mbetej e vetme.

Prindërit e saj u dënuan. E ëma, Liri Belishova, një nga udhëheqëset e rinisë gjatë Luftës Antifashiste dhe për një kohë anëtare e Byrosë Politike, njëkohësisht një nga gratë më të njohura të vendit, u përball me internimin për rreth njëzet vite. Ndërkaq, i ati Maqo Çomo, udhëheqës partizan dhe më vonë Ministër i Bujqësisë, u dënua si ʽrevizionistʼ dhe u persekutua në burgje e internime për 30 vjet.
Kështu, fati i Drita Çomos ishte padrejtësisht i ngjashëm me atë të prindërve të saj. Ajo u internua në Kuç të Vlorës ku kaloi një pjesë të fëmijërisë dhe më pas në Progonat të Kurveleshit. Më vonë, ajo u dërgua në Cërrik ku kreu edhe shkollën e mesme. Ishte një nxënëse e shkëlqyer, megjithëse mësuesit nuk e vlerësuan kurrë maksimalisht. Ajo madje nuk arriti as të mbronte diplomën. Kjo për arsye politike, por edhe për shkak të sëmundjes së saj të pashërueshme që avanconte dita-ditës.
Drita Çomo u largua nga jeta fare e re, në moshën 23 vjeçare. Më 19 shkurt 1981, sëmundja e mposhti përfundimisht. Ajo vdiq në spitalin onkologjik në Tiranë, ashtu sikurse edhe jetoi: e vetme, pa dikë afër në grahmat e fundit. Regjimi nuk ia lejoi të kishte pranë as njeriun më të dashur, nënën e saj.
Në nderim të figurës së Drita Çomo saj, në Cërrik është ngritur një bust për të. Po ashtu në të njejtin qytet, një shkollë mban emrin e saj.

PËR TY

Lëkunden pishat nën retë që ikin,
Ikin e ikin retë nëpër shi…
Unë pres të shoh pas reve pak qiell,
Ashtu siç pres pasditeve, të më telefonosh ti.
Po ti s’dukesh gjëkund.
Ku paske humbur,
Ka kaq ditë që pres.
Dhe bie shi…
Si mund të jetoj, pa pak qiell të kaltër,
Si mund të jetoj, pa zërin tënd, pa ty.
Ti do vish, unë e di, do vish patjetër,
Po unë dua të vish tani, nëpër shi,
Pastaj retë do të ikin dhe do të dalë dielli
Po unë dua diellin të ma sjellësh ti

VETMIA

Vetmia është zilja e telefonit
Dhe një zë i huaj që kërkon dikë tjetër
Vetmia është e diela e zbrazët
Me biseda boshe dhe pa diell.

Vetmia është të shikosh pas xhamit
Njerëz që nxitojnë në mbrëmje
Mërzia e gjatë para gjumit
Dhe vapa në netët pa hënë.

Vetmia është të duash shumë
Dhe të mos kesh çfarë të duash
Të mos kesh kujt t’i falësh dy lule
Dy fjalë të mira të mos kesh kujt t’ia thuash.

Të jesh kudo, i tepërt, i huaj
Mik i paftuar në botë, hije
Pa një kujtim që të të bëjë të vuash
Pa një shpresë për atë që do të vijë.

Po ankthi i ditëve të mia pa ty
Ankthi im i përhershëm
Për të gjitha ato që i di dhe s’i di
Kjo është diçka tjetër.

Minutat që ikin ngadalë-ngadalë
Rënduar nga ajo që quhet pritje
Rënduar nga ai që quhet mall
Dhe që nuk llogaritet…

SHI

Shiu përplasi mbi xhama trishtimin
Shiu përplasi në xhama mërzinë
Shiu i lagu të gjitha mendimet
Për ditët që ikën dhe ato që do vijnë

Mendime të lagura…si të jetosh
Në ketë qullje të përgjithshme idesh
Kur nuk gjen asgjë te askush që ta çmosh
Kur nga brenda qan dhe gjithkujt i qesh

Ç’mund të bësh tjetër veç të qeshësh me zor
Në ketë turp të dhimbshëm dhe pa fund
Të gjithë fjalë të bukura të thonë
Po askush nuk ngurron të bëjë ç’të mundë

Fjalë të bukura…Sa hipokritë,
Njerëzit dhe vetes i flasin bukur
Njësoj në dashuri, në politikë
Të gjitha i mbështjellin me llustër.

Përgatiti B.N/ ObserverKult

Kliko edhe:

(VIDEO)ENEDA TARIFA KËNDON POEZINË E DRITA ÇOMOS, POETES QË E MORI VDEKJA HERET