Tri rekomandime leximi nga Ilire Zajmi

ilire zajmi

Në kuadër të rubrikës Rekomandime leximi, ObserverKult kësaj radhe ka mysafire shkrimtaren Ilire Zajmi .
Ja cilat janë tri librat që Zajmi u sugjeron të pasionuarve pas leximit

Disave, si unë, u ka pëlqyer përherë leximi, pa e ditur ç‘ rëndësi ka e pse duhet  lexuar. Para se të lexojmë, kujtoj se duhet mësuar si ta bëjmë këtë. Ta shtyejmë veten të ndërveprojë me rreshta fjalësh që fillimisht duken të pakuptimta, derisa ato të shndërrohen në histori, personazhe dhe ide. Literaturë klasike, autorë bashkëkohor, libra në gjuhë të huaja. Leximi është një ushtrim me këmbëngulje, në të cilin vazhdimisht e sfidojmë veten për të arritur diku. Të gjithë kemi një rol unik të vlefshëm në jetë. Por shumë prej nesh, edhe nëse janë të kënaqur me atë rol, shpesh pyesin veten se si do të ishte të jetosh në një vend tjetër, apo edhe të ishte një person krejtësisht i ndryshëm. Librat na e japin këtë mundësi. Për një kohë të shkurtër, ato na çlirojnë nga kufizimet e realitetit tonë, duke na dërguar përtej botës sonë, në një botë imagjinare të dikujt tjetër.

Nga Ilire Zajmi

Leximi nuk ka të bëjë vetëm me zbulimin e gjërave të reja. Ai gjithashtu është një mjet për reflektim. Leximi na kujton kush jemi, ku jemi dhe si erdhëm këtu.
Nëse jeni një dashnor i librit, do ta përjetoni leximin si një magji që përtërin energjinë dhe lartëson gjendjen shpirtërore. Të lexuarit të ndriçon shpirtërisht,  dhe bën që të zbulosh pjesë të vetes që nuk ke ditur se ekzistonin brenda teje.

Prandaj, duke i ditur të gjitha këto, e kam shumë të vështirë t’i rekomandoj lexuesit çfarë të lexoj. Nëse do merrja guximin, do rekomandoja dhjeta autorë të dashur, librat e të cilëve i lexoj, por kësaj radhe po ndaj tri vepra të preferura.      

1. Azem  Shkreli: “Lirikë me shi”

Azem Shkreli, është bard i poezisë shqipe. Poezia e tij është lirike, e hollë meditative, nostalgjike, me varg të gjallë plot temperament. Vargjet e tij kanë forcë të rrallë krijuese. Te poezitë e tij ka filozofi, metaforë, alegori e simbole.

Te vëllimi “Lirikë me shi”, Shkreli dëshmon se është krijues elitar i  letërsisë shqipe. Ai arrin Olimpin letrar, duke shënuar  kapërcim cilësor me prurje krejtësisht origjinale në krijimtarinë letrare shqipe.

Poezia e Azem Shkrelit, te “Lirikë me zi” shpalos para lexuesit një poet modern, me un të veçantë artistik.

Njëra ndër poezitë e veçanta të këtij vëllimi e cila të magjeps, është  “Udhëtimi për Itakë”.

Një ditë prej ditësh patjetër
Nisesh tej më tej vetvetes
Nuk është vetëm një Rozafë
Një kep i shpresës së mire
I thua vetes:-Udha e mbarë
Udhëtim në të panjohurën nisesh
Dhe rreth e rreth i bjen
Pompeut pendimit, detit të vdekur

Shkreli është poet autentik, i papërsëritshëm në letrat shqipe. Poezitë e tij te ky vëllim, por edhe te vëllimet e tjera poetike, janë himn për njeriun e Atdheun. Një poet që duhet të lexohet, rilexohet e studiohet pafundësisht.   

2. Gabriel Garcia Markez  Njëqind vjet vetmi”

Njëri ndër autorët më të dashur për mua Gabriel Garcia Markez, dhe njëri ndër romanet më të mira të shekullit njëzet “Njëqind vjet vetmi”, ëshë një libër që të ndryshon jetën. I shitur në miliona kopje, i përkthyer në mbi 200 gjuhë të botës.

“Njëqind vjet vetmi” që konsiderohet të jetë kryevepra e Markezit rrëfen historinë e shtatë gjeneratave të familjes Buendia dhe qytetit të ndërtuar nga kryefamiljari Jose Buendia, Makondo.

Ngjarjet e përshkruara në roman në qytetin e Makondos, emrin metaforik të Kolumbisë, karakterizohen nga luftërat, fatkeqësitë por edhe nga çuditë dhe mrekullitë. 

“Njëqind vjet vetmi” është narracion për mikrokozmosin kolumbian. Të fshehtat dhe kodet e këtij mikrokozmosi mund t’i kuptojë e deshifrojë kryefamiljari i familjes Buendia.

Narracioni i romanit në thelb është histori konflikti mes njeriut tradicional dhe atij modern.

Gërshetimi i realizmit magjik me realitetin politik të kohës me fantazinë dhe ngjarjet e paparashikuara shpeshherë komike, e bëjnë këtë roman njërin ndër librat më origjinal e ndjellës që është shkruar ndonjëherë në shekullin e njëzet.         

Prandaj, ky roman ku gërshetohet e natyrshmja me të mbinatyrshmen, paraqet një përvojë magjike të të lexuarit.

3. Dino Buzzati “Gruaja me flatra”  

Dino Buzzati është ndër autorët e mi të preferuar. Shkrimtar magjik, rrëfimtar magjepsës i dëshmuar me romanet “Shkretëtira e tartarëve”, “Invazioni i famshëm i arinjve në Siçili”, “Një dashuri”  etj. Buzzati është një nga shkrimtarët më të mëdhenj të Italisë së shekullit të njëzetë.

Ai njihet si një mjeshtër i jashtëzakonshëm i prozës së shkurtër moderne.

Prandaj librin me tregime “Gruaja me flatra” ia rekomandoj çdo lexuesi, për ta shijuar prozën e Buzzatit, që të lë gojëhapur  e të mahnit me mjeshtërinë e rrallë të të rrëfyerit.

“Gruaja me flatra” përmban 29 tregime. Secili tregim më joshës se tjetri, secili më mahnitës se tjetri, i veçantë.

Te këto tregime lexuesi takohet me shpirtrat dhe komunikon me ta.

Këto histori të shkurtëra, lexohen shpejt dhe na japin çelësin për të zbërthyer ankthin e pritjes dhe frikës nga vdekja, dëshirat dhe dyshimet e përditshme. Buzzati te këto tregime depërton thellë në psikologjinë e karaktereve. 

Po e veçoj këtu për lexuesit, tregimin “Një rast interesant”.

Ky është tregimi më i shkurtër që hasim në këtë libër, dhe ai na bën të reflektojmë thellë për jetën dhe veten tonë.

Një rast interesant” është një tregim shumë i shkurtë, për një vajzë që i pëlqen jeta. Secili lexues këtë tregim do e përjetoj në këndvështrime të ndryshme.

Lexues të dashur, tregimet e Buzzatit lexohen me një frymë, si librat e Gogolit, Bulgakovit, Kafkës, Kamysë apo Borgesit./ ObserverKult