Tri rekomandime leximi nga Imer Topanica

Imer Topanica

Në kuadër të rubrikës Rekomandime leximi, ObserverKult kësaj radhe ka mysafir shkrimtarin Imer Topanica.
Ja cilat janë tri librat që Topanica u sugjeron të pasionuarve pas leximit

Më është bërë si zakon këtyre viteve, që sa herë planifikoj të shoh ndonjë film, përfundoj te ndonjë që e kam parë më shumë se sa një herë. E njëjta gjë gati po më ndodh me leximin. Kur i avitem raftit të librave, dora më shpesh më zgjatet te ato që tashmë i kam shfletuar. Kam menduar për këtë. Ndoshta, ndoshta, ndërdija ime nuk do ta rrezikojë shijen e leximit, të kultivuar prej vitesh (nëse guxoj të them se ajo veç ka zënë tharm)…

Nga Imer Topanica

Le të themi që ta definosh kulturën e leximit, nuk është aq e vështirë. Në rastin më të shpeshtë atë e njohim si instrumentin e detyrueshëm për ngritje profesionale e intelektuale. Ndërsa po qe se aktin e tillë duam ta ndërlidhim me pasionin, atëherë është më shumë se aq: një mjet për pasurimin e shprehësive, për mprehjen e mëtejme të shqisave, për njohjen e perspektivave të reja nëpërmjet të cilave e kuptojmë botën njerëzore etj, etj.

Por të sugjerosh tituj për të tjerët, nuk është aq e thjeshtë. Dikush që është më i disiplinuar, veç tjerash, e ka për zakon të mbajë edhe shënime për gjithçka që lexon, për ç’gjë nuk mund të mburrem unë. Madje nuk guxoj të futem në radhë me ata që lexojnë shumë. Sido që të jetë, ka disa autorë, librat e të cilëve kanë ndikuar në atë që mund të cilësohet si: shije e leximit. Ja për shembull veprat e: Markezit, Borhesit, Kafkës, Proustit, Hafizit, Transtromerit, Bashos, Rumiut etj, më vijnë përherë interesante. Por përpilimi i një liste me libra prej më të mirëve autorë të njohur nga unë, është vështirë të bëhet. Jo sepse kam lexuar shumë, por sepse kur bëhet fjalë për shijen, unë nuk e nënkuptoj atë si diçka statike, homogjene dhe të pandryshueshme. Për t’u mos u përsëritur,  ja disa sugjerime për ata që leximin e kanë shndërruar në pasion:

  1. Lirikat e Frederik Rreshpjes, poetit brilant, mbase më i papërsëritshmi në tërë traditën letrare shqipe. Ai që me aq mjeshtri e zotëronte metaforën. Lexuesit shqiptarë, ende nuk e njohin mirë veprën e tij. Ka qenë disa herë i burgosur nga regjimi komunist, duke u etiketuar si “një person që paraqet rrezikshmëri shoqërore”. Kuptohet, ajo që duhet të na grish për ta njohur veprën e tij, nuk është jeta e vështirë, fakti që ai për do kohë u anatemua nga ish sistemi, por përsosuria e shkrimit të vargut. Peneli i tij poetik, edhe kur me pak vija përshkruan diçka nga peizazhi i bukur, ka tendencë të thotë shumë më shumë se sa aq. Ja një shembull:

“Rrëzohet nga drurët trishtimi i borës,
Lugina me hënë e lyer
Dhe drerët e erës vënë kujën me dhembje,
Me brirët prej akulli thyer.
Më vdiq dhe kjo vjeshtë, më shkoi dhe kjo ditë
Qefinin me gjethe të tharë…
O dimri i drerëve me brirët në erë

Kë vjeshtë të qajmë më parë?”

Prandaj, e them me bindje të plotë: është vështirë ta gjesh një të dytë si Rreshpja, në letrat shqipe.

2. “Rrëfimi i një nate” nga Nexhip Mahfuz, për të gjithë ata që duan diçka më “ekzotike”. Shkrimtari egjiptian ka një stil unik të të rrëfyerit. Ai ka pasur gjithnjë guxim të gërmojë ngadalë në karakteret njerëzore. Personazhet e Mahfuzit, janë, andaj, aq të dallueshëm, aq unikë.
Historia e një njeriu nisë të rrëfehet në një mbrëmje verore dhe mbaron po në atë natë. Fëmijëria, vitet e rinisë deri në përmbysjen e fatit në ditët e pleqërisë, nëpërmjet gjuhës së Mahfuz-it. Kush e lexon, e zbulon një botë të tërë,  ndonëse e vështruar nga vetëm një palë sy.   

3.“Mjeshtri dhe Margarita”, roman i Mihail Bulgakovit, pati fatin e veprave të mëdha, që fillimisht luftohen nga sistemet totalitare. Por kur gjeni kryengritës derdh në vepra të tilla gjithë pasionin letrar, ato janë të destinuara t’u mbijetojnë viteve. Sot romani në fjalë, radhitet ndër më të mirët e shekullit njëzet. Dy linja kryesore të rrëfimit, vizita e djallit në Moskë dhe orët e fundit të Jezusit nga Nazareti, gërshetohen mjeshtërisht, për ta dhënë idenë e guximshme e sfiduese për kohën se: Zoti e djalli, vërtetë ekzistojnë.
Fillimisht ai qe botuar në formë fragmentesh në revistën moskovite “Bota e Re”, për t’u censuruar më vonë dhe për ta parë dritën e botimit, tek pas vdekjes së autorit.
Rrëfimi më shpesh është i vrullshëm, me nota humori e sarkazme. Me një fjalë, s’mund të mos kënaqesh duke e lexuar.
Kështu pra, të mos kujtohem më gjatë…  mund të më vijnë emra e tituj të tjerë në mendje.  /ObserverKult