Në kuadër të rubrikës Rekomandime leximi, ObserverKult kësaj radhe ka mysafir profesorin, publicistin e shkrimtarin Rrahman Paçarizi.
Ja cilat janë tri librat që Paçarizi u sugjeron të pasionuarve pas leximit.
Mbyllja në shtëpi është traumë më vete. Jo pse ke lënë një punë keq, por pse ideja e mbylljes së detyrueshme vret. Truri ka nevojë për ushtrim, më shumë sesa për relaks. Unë mendoj se ka libra të shumtë që do të ishin të përshtatshëm për t’u lexuar në këtë kohë.
Nga Rrahman Paçarizi
Preferencat, gjithmonë janë subjektive. Unë për vete gjatë kësaj kohe lexoj literaturë profesionale. Megjithatë, letërsia mund të jetë zgjedhja e duhur për ta zhvendosur vëmendjen nga media dhe informatat, të cilat na duket se i kemi më të nevojshmet dhe vrapojmë pas tyre, e në këtë vrap e sipër ja rrezik të marrim gjithfarë informatash.
Filmat do të ishin zgjidhje e mirë, por ata kqyren në pajisje multimediale ku prapë ka rrezik të interferojë informata (në telefon, në televizor e PC).
Kështu, mbetet sërish letëra.
Unë mendoj se romani “Varrë” i Eqrem Bashës është një zgjidhje e mirë për trajnimin e trurit. Leximi i këtij libri është traumë më vete, që le gjurmë e ndoshta edhe varrë, si varrët që trajtohen aty, pra varrët etnologjike, sociologjike, psikologjike, kulturore etj.
Duke qenë vetë linguist jam mrekulluar nga performansa gjuhësore e autorit në këtë vepër letrare dhe nuk ka një shkrimtar tjetër që ta zotërojë në nivele kaq të larta gjuhën në kuptim të përdorimit, të pasurisë leksikore dhe të trajtave gramatikore.
Në këtë vepër, Basha arrin të performojë aq lart, sa ta shndërrojë një vepër fiksionale në platformë të ushtrimit gjuhësor, thuase ka shkruar një libër ushtrimesh gramatikore. Tema, motivet, kompozicioni, prosodia janë çështje që i vlerëson secili gjatë leximit. Në kohë të këtilla, kur thyerjet shpirtërore janë shumë të mundshme, ky libër është terapi për trurin, diçka që e ruan kondicionin mental.
Libri i dytë që do ta kisha sugjeruar për lexim këto ditë është vëllimi poetik “I kam edhe dy fjalë” i poetit Lulzim Tafa.
Ky vëllim poetik, për mendimin tim, gjithashtu është një realizim i përkryer në kuptim të gjuhës dhe motiveve, një realizim i shkëlqyer i figurave stilistike si mikrostrukturë dhe makrostrukurë, me ç’rast një filozofi e tërë popullore transponohet në kohët moderne dhe funksionon për mrekulli. Motive popullore tendosen skajshëm në realitetin deri virtual, duke e bërë këtë vëllim të ketë nota të postmodernes, ndonëse të pasynuar teorikisht nga autori. Lulzim Tafa e vulos këtë manifestim edhe në vetë titullin “I kam edhe dy fjalë”, që në filozofinë popullor e kanë kuptimin e dy fjalëve shumë të rëndësishme, të dy fjalëve që përbëjnë momentin vendimtar për t’i thënë dhe për ta përmbysur botën a botëkuptimin. Leximi i këtij vëllimi në këto kohë kryen dy detyra njëkohësisht: edukon në një frymë të caktuar dhe ofron përmbushje estetike – për çka tjetër njeriu ka nevoj në ditët e mbylljes.
Vepra e tretë letrare që vlen të lexohet këto ditë është vëllimi i tregimeve “Kthimi i profetit”, madje për plot arsye. Autori i këtij vëllimi Adil Olluri është mjeshtër i gjetjes së motiveve dhe i vendosjes së tyre në kontekste politike e kulturore, duke ironizuar përmes ndërtimit të situatave ultrafiksionale apo edhe reale, që fitojnë dimension të ri kuptimor, saherë që lexohen – a nuk është shumësia e kuptimit ndërt tipat e letërsisë bashkë me gjuhën. Tregimet e Adil Ollurit, e sidomos ai që i ka dhënë edhe emrin librit është diçka që duhet lexuar patjetër , nëse do me lexu letërsi. Duke e lexuar do t’i merrni inat e do ta shani autorin, pse ka shkruar shkurt, sepse autori sa të merr e të fut shpejt e shpejt në ngjarje dhe kur ti tashmë ke hy “n’tripa” qoftë të ngjarjes, qoftë të ambientit apo ke fillu me e njoftë personazhin, ai (autori) ta fut një shqelm e të nxjerr jashtë. Dhe, kur si lexues ndihesh i përjashtuar, ai shqelm të traumatizon deri në masën sa me nisë e mendu për tregimin e ndoshta me e lexu edhe një herë tjetër. Në këtë vëllim ka edhe tregime të tjera që shkojnë shumë me kohën e mbylljes, panikut e frikës, si Transistori.
Lexojeni dhe do të pajtoheni me mua!/ObserverKult