Tri urtitë e babit për të bijtë para se të vdiste

Tri urtitë: Prozë popullore

Njeriu një jetë ka dhe ajo nuk i kthehet kurrë më për së dyti. Edhe plaku i moçëm, një jetë pati, mbushi njëqind vjet dhe ndjeu se po i vinte vdekja.
Tregojnë se, para se t’i shuheshin qirinjtë në gropat e syve, u tha djemve aty pranë shtratit të lamtumirës:
-Bijtë e mi, njeriu është mysafir në këtë botë. Prandaj, po ua le me gojë që, kur të bujtni në shtëpinë e tjetrit për mik, mbani me vete tri gjëra të thjeshta: një metër, një gur kandari dhe një gjilpërë.

-Përse një meter, baba?! – foli djali i parë, ose gishti i madh i dorës, siç e quante plaku, pasi qe më i madhi në moshë se vëllezërit dhe donte vend të veçantë në qoshen e vatrës.
Plaku i hodhi një vështrim të zgjuar.
-Që të matësh vendin kur rri mes të tjerëve, biri im.

-Përse një gur kandari, baba?! – foli djali i dytë, ose gishti i gjatë i dorës, siç i thoshte i ati, pasi qe më i gjati në familje dhe bënte punët më të rënda.
Plaku i hodhi një vështrim të matur.
-Ta peshosh fjalën tënde para se ta thuash, biri im.

-Përse një gjipërë, baba?! – foli djali i tretë, ose gishti i vogël i dorës, siç e quante babai, pasi qe më i vogli në moshë dhe trajtohej gjithkund “pas të tjerëve”.
Plaku i hodhi nje vështrim të mençur.
-Para se te thumbosh tjetrin me fjalë, ta provosh në veten tënde më parë, në të dhemb apo të djeg, biri im.

Dhe për të fundit herë plaku foli gjuhën e mëmës:
-Dhe tani, bijtë e mi, trupin tim ia fal tokës dhe mendjen time jua le juve!

ObserverKult

——————-

Lexo edhe:

PO TË KISHIM DASHUNI PËR NJËRI – TJETRIN, DO TË ISHIM MË NDRYSHE…