
Në ditën e katërt të Festivalit Poetik të Prishtinës, më 28 janar, promovohet trilogjia poetike “Zoti vdes i pari”, i autorit Afrim Demiri, botuar nga Littera, 2024.
Promovimi fillon në ora 18:00 dhe mbahet në Termokiss, ndërsa për librin flasin poetët Vlora Konushevci dhe Eduard Frrokaj.
Për librin
Faruk Tasholli:
Vizueliteti jetësor dhe vizueliteti fiktiv, janë dy kontraste të ashpra në poezinë e Demirit, nga të cilat shfaqen shkëndija panoramike, që vetë poezinë e kthejnë në një çerdhe absurdi, në majë të një kapërcyelli lufta/paqja. Në këtë interferencë figurash, pas vdekjes së një frike e trishtimi, vjen trishtimi i ri, vjen frika e re, që poeti i kundërvihet me protestën shpirtërore aq edhe me reagimin filozofik njerëzor, por gjithmonë i mundur. Vargjet si: Ashensori koha ime vertikale ose shtëpitë po paketohen në shumëkatëshe/ oborret po vdesin korridoreve pa dritë, sa flasin për një anarki lëndore po aq edhe për një anarki morale, ku robi vështirë e gëzon lirinë apo nga vrulli entuziast e degradon atë. Autori, si një i burgosur në anarki, proteston e gjëmon me revoltën përmes shenjave poetike që i spikatë gjuha e metaforave.
Për autorin
Afrim Demiri, lindi në vitin 1960, në fshatin Sazli, në Ferizaj. Gjimnazin Matematikor dhe Fakultetin Teknik, drejtimi elektronikë i mbaroi në Prishtinë. Me letërsi filloi të merret në vitet 80-të, duke shkruar poezi, tregime të shkurtra dhe reportazhe. Disa herë punimet e tij u shpërblyen në konkurset letrare. Ishte bashkëthemelues i gazetës lokale Ferpress, si dhe gazetar, moderator dhe redaktor i informacionit në TV Tema. Në periudhën 1997-2015, botoi shkrime publicistike si korrespondent i gazetës “Koha ditore”.
Ka botuar:
“Fjongo e zezë”, poezi, Klubi letrar De rada, Ferizaj, 1994
“Figura e 17-të”, tregime, SHB “Beqir Musliu, Gjilan, 2023, libër ky që u shpërblye nga MKRS-ja si libri më i mirë në prozë gjatë atij viti duke marrë shpërblimin “Anton Pashku”.
Punon si mësimdhënës në IAAP “Pjetër Bogdani”, në Ferizaj.
ObserverKult
lexo edhe:
Mbi 70 poetë e artistë në pesë ditët e Festivalit Poetik të Prishtinës/ Programi i plotë