Tronditëse: Komunistët e pushkatuan duke mos e pritur vendimin e gjykatës…

Foto ilustrim

Dokumentet tregojnë se misioni i diktaturës nuk ishte vendosja e drejtësisë, por zhdukja me shpejtësi e kundërshtarëve të saj. Dedë Prek Shabani është ekzekutuar një muaj para se të vinte vendimi i formës së prerë nga Gjykata e Lartë për dënimin e tij, në shkelje edhe të vetë ligjeve që kishin vendosur komunistët

Pas ekzekutimeve të para me vendime gjykate, më 9.1.1945 të ing.Niazi Mehmet Pilkut nga Dibra dhe Leonardo Tomassos nga Palermo, i treti në radhë ishte në Shkodër.

Dedë Prek Shabani, lindur më 1895 në Selckë të Koplikut (por në gjyq thuhej se ishte 37 vjeç), banues në Malkolaj, u arrestua më 24.1.1945. U mor në pyetje një ditë më pas, nga komisari i Brigadës së 2-të të Mbrojtjes së Popullit, Lako Polena. Çështja e tij u mbyll shpejt për të dhënë një mesazh të shpejtë për popullin. Në hetuesi tha se më 20.1.1945 bisedoi me Jup Kazazin, por mori lajm edhe nga Hasan Isufi për t’u ngritur në një kryengritje kundër komunistëve për të marrë Shëngjinin dhe Lezhën. Deda arrestoi 9 partizanët e Brigadës së 1-rë në Malikolaj dhe iu drejtua Lezhës. Sipas tij, plani në konsultim me disa këshilla nacionalçlirimtare të fshatrave ishte për një kryengritje të përgjithshme, por pasi të arrihej një marrëveshje duke shpresuar për një zbarkim të britanikëve dhe kthimin e Mbretit Zog. Ai kish strehuar edhe partizanë dezertorë.

U akuzua në bazë të nenit 1 të ligjit nr.21, datë 15.12.1944 “Mbi sabotatorët e luftës dhe të pushtetit të popullit…”. Prokurori deklaroi se Deda ishte sjellë në gjyq sepse detyroi këshillat që ta bënin komandant të ushtrisë nacionalçlirimtare për Shkodrën.

Gjykata Ushtarake e Korparmatës së 3-të në Shkodër, e drejtuar nga nënkolonel Esat Ndreu, me pjesëmarrjen e prokurorit Sotir Dodoni, me vendimin nr.6, datë 24.1.1945, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me vdekje dhe me konfiskimin e pasurisë. U la në fuqi nga Gjykata e Lartë Ushtarake me vendimin nr.20, datë 28.2.1945.

Megjithatë pushkatimi u realizua më 26.1.1945 në Shkodër nga forcat e Brigadës së 2-të të Mbrojtjes së Popullit, në shkelje të nenit 31, të ligjit nr.41, datë 14.1.1945 “Mbi organizimin dhe funksionimin e gjykatave ushtarake”, i cili për ekzekutimet me vdekje kërkonte vendim të formës së prerë. Shkelja vërtetohet lehtësisht në dokumente të tjera. Pikërisht më 28.2.1945, Gjykata e Lartë Ushtarake miratoi në seri disa vendime të shkallës së parë që i takonin Prefekturës së Shkodrës./kujto.al