Trupi yt është pranë meje…

Nga Jaime Sabines

Trupi yt është pranë meje
i lehtë, i ëmbël, i heshtur.
Koka jote e penduar mbi gjoksin tim
me sytë e mbyllur prehet,
ndërsa unë duke tymosur cigare të shikoj
dhe flokët e tu ledhatoj i dashuruar.
Vdekshëm ëmbëlsia e heshtjes sime
të përqafon ty ndërsa të palëvizshëm
qëndrojnë krahët e mi.
Shikoj trupin tim, kofshën time
ku prehet lodhja jote
dhe gjiri yt i butë i fshehur e i ngjeshur,
më poshtë merr frymë barku yt i ngrohtë
pa buzët e mia.
Me gjysmë zëri të them
gjëra që i sajoj aty për aty
dhe nuk di pse trishtohem e ndihem i vetmuar
dhe të puth sikur të ishe portreti yt.
Ti, pa folur, më shikon
shtrëngohesh tek unë dhe fsheh ngashërimin tënd
pa lot, pa shikuar, pa u habitur.
Unë përsëri tymos, ndërsa gjërat
mbajnë vesh çfarë themi ne.

Në shqip: Bajram Karabolli