
Sot faqet e internetit janë një vloje e ”dashurisë” pa kufi karshi Margarita Xhepës. Sikur të ishim kaq dashamirë, kaq ikonikë, kaq tradicional, kaq artdashës, nuk do ia kishim prishur shtëpinë Margaritës.
Nga Ilir Levonja
E kam fjalën për Teatrin Kombëtar, ku edhe ajo shkeli skenën për aq e kaq vite. Por sot Margarita nuk ka një holl të tillë. Ka muret e fejsbukut thuajse të të gjithëve prej jush, sa prej dëshirës infantile, sa prej ekstazës, sa prej kënaqësisë, sa prej piopulizmit për të qënë gjoja aty, të ndjeshëm, të hidhnuar etj. Ka padyshim edhe muret e fejsbukut të të gjithë politikanëve, pasi ata nuk mund të bëjnë përjashtim tek ndjeshmëria qytetare, sidomos kur u duhet vëmendja e tyre. Madje këtë të fundit e kanë sot pronë totale, pasuri të paluejtshme aq sa qytetari deshifrohet ose si Ramist, ose Berishist, pa anashkaluar showmanin Lul Basha, burgaxhiun Ilir Meta, kaçatorrët e partive të reja me formën mikroskopike të traktorëve kinezë. Margarita sot ka pushtuar gojët tuaja, me dedikime bajate të tipit socialist, nuk vdiqe por ike në përjetësi.
Vdiq ore vdiq, se, nuk i keni ruajtuar sikur një derë garderope nga Teatri Kombëtar, derën e studios, apo tavolinën e kurimit të roleve etj. Ia keni mender shkatërruar edhe atë pak histori që ajo bëri bashkë me kolegët a bashkëkohësit e saj. Ia shëmbët të gjithë në kokë edhe atë pak shkollë a ndërrmarrje që quhej Kinostudio. Në përgjithësi lufta karshi artit dhe kulturës ishte nga më mizoret dhe për ironi të fatit ata që luftuan më shumë ishin pikërisht bijtë e komunizmit. Kudo të hapet barku me fjalët realizmi socialist, shkolla e dalë bojë, çensurën dhe mungesën e lirisë së fjalës. Mirëpo rezultoi se liria na u kthye kokës, më vrastare, më e pamëshirshme se diktatura.
Nga cili holl politik do e përcillni sot Margaritën, nga qelia e burgut të lali Erit, nga kopshtet e varuara të Kryeministrisë, apo teatrot e vdekura të bashkive në rrethe. Nuk ka më skenë me pluhurin e shojeve të saja. U bastarduan me fadroma, madje me intriga otellosh të gjallë. Nuk ka më as sheshe xhirimi pasi buxheti i artit është pronë private e televizioneve që i shërbejnë diktatorit. Ndarja selektive ka krijuar edhe kundrashkollën, kundra traditën, me gjoja emrin e modernizmit, aq sa Shqipëria sot nuk ka më identitet historik të vetit, por atë të personazheve nga telenovelat turke. Janë kaq e kaq vujtje shekullore, nëpërkëmbje emrash, personalitetesh, fate njerëzore. Kaq e kaq dhimbje subjektesh shqiptare nga përvoja e emigrimit, e eksodeve nga deti, nga malet, la Manshi etj., deri tek kufijtë e Meksikës për tu futur biri i shqiptarit në Amerikë a Kanada, mirëpo televizionet e diktaturës merren me Behixhenë e Turqisë.
Një nga arsyet që sot shqiptarët ndihen më shumë fetarë se sa shqiptarë. Madje kanë filluar ta identifikojnë veten me besimin dhe jo me kombësinë, racën a bojën. Sot duhet të ishte një ditë zie dhe indinjate shoqërore, megjithatë është një ditë ekstaze, grahme sociale siç edhe e kemi zakon. Madje prisni homazhet nga galeria ”moderne” e diktatorit ose nga tvsh-ja po e diktatorit, pasi Margarita nuk ka shtëpi. Nuk kanë më shtëpi të tyre asnjë nga korifejtë. As qyteti i Margaritës nuk ka më identitetin e saj, ka atë të shtetit, i fryjnë erërat dhe e hedhin sa në Fier sa në Berat. Të qoftë e lehtë lëndina vajzë e Myzeqesë.
ObserverKult