Ture virtuale në tri xhami, monumente të trashëgimisë kulturore

Xhamia e Iljaz Bej Mihrahori në Korçë, e Plumbit në Berat si dhe xhamia e Muradies në Vlorë, janë jo vetëm objekte të rëndësishme të kultit në vendin tonë si monumente të trashëgimisë kulturore, por janë kthyer tashmë edhe në atraksione të preferuar për turistët e vizitorët.Arkitektura e veçantë që i përshkon këto objekte, të ndërtuara në periudha kohore shumë të hershme, i bën këto xhami mistike dhe të veçanta.Xhamia e Iljaz bej Mihrahori, në Korçë, vlerësohet se është xhamia e parë me kube e ndërtuar në Shqipëri. Xhamia është ngritur mbi themelet e kishës së vjetër të Shënapremtes dhe dallon për sallën e lutjeve me përmasa të mëdha. Kjo xhami mori statusin “Monument Kulture” në vitin 1948.

Edhe xhamia e Plumbit (Izgurliut) në Berat daton e ndërtuar në vitet ’30 të shekullit XVI, koha e sundimit të sulltanit Sulejman Konunorit (1520-1566), periudhë kur qyteti i Beratit filloi të rimëkëmbet.

Elementët përbërës arkitekturorë të monumentit janë: salla e lutjeve në formë katrore me kupolë, portiku nga ana veriore dhe minareja e lartë dhe e hollë punuar në bazamentin e saj në teknikën e kluasonazhit.

Xhamia e Muradies ndodhet ne qytetin e Vlorës, në aksin rrugor Vlorë-Skelë, në një nga qendrat e qytetit, pranë Sheshit të Flamurit.

Objekti është ndërtim i shekullit te XVI, viti 1542, është vepër e arritur e arkitekturës sonë të këtij shekulli. Xhamia e Muradies është e ndërtuar me rreshta gurësh dhe tullash që të kujtojnë ndërtimet e kësaj kohe të arkitekt Sinanit në Stamboll. Kjo shquhet për ndërtim të mirë të mureve, për punën e rregullt të kornizave, dritareve dhe portalit të hyrjes.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti shprehet se për të zbuluar detajet e këtyre 3 monumenteve të kulturës, tashmë mund të vizitohen virtualisht në kushtet e situatës së krijuar nga pandemia.Ministrja Margariti ka zgjedhur ofrimin e vizitave virtuale në këto tri xhami, në kohën që përkon edhe me festën e komunitetit mysliman të Fitër Bajramit.
Vizitë virtuale në xhaminë e Iljaz Bej Mihrahori, në Korçë:https://bit.ly/2TwWf7M
Xhamia e Plumbit, në Berat:https://bit.ly/3c0hh5g  
Xhamia e Muradies, në Vlorë:https://my.matterport.com/show/?m=KqpqCaMYvYA