Turizmi “i errët” në Shqipëri: “Vuajtja jonë dje është dëfrimi juaj sot”

Në një malësi të thyer në rrethinat e Tiranës, hapat tanë jehojnë si ogur teksa çapitemi nëpërmjet një vargu betonesh të papërshkueshëm dhe dyersh të metalta, secila e trashë disa centimetra dhe në një labirint korridoresh që humnerojnë thellë në malin e Dajtit.

Dritat elektrike regëtijnë, buçimat e largëta kumbojnë, telefona të moçëm tryeze cingërojnë dhe jehona zërash të incizuar shpërthejnë nga thellomat e një kompleksi të dikurshëm nëntokësor i bërë për të shpëtuar lëkurën e elitës sunduese të Shqipërisë në rast lufte, derisa secili sipër do të vithisej nga reja-kërpudhë. Ky kompleks i gjerë e i dyshimtë, tetë kilometra larg qendrës së kryeqytetit, përfton vizitorë drejt thellësive të tokës dhe prapa në kohë – në një epokë kur nuk ishte pandemia që ngulitej në ndërgjegjen kombëtare, por një tjetër prospekt, fort më lemeritës: holokausti bërthamor.

Bash në këtë histori të pikëllimtë, Shqipëria do të tërheqë turistë kur të fillohet sërish udhëtimi. Bunkerët e panumërt bërthamorë në Tiranë janë hapur si atraksione për vizitorët, krahas peizazheve të tjera makabre të tiranisë dhe izolimit gjysmëshekullor që i solli Shqipërisë llagëpin e “Koresë Veriore të Evropës”. Para se bota të strofullohej në izolim, unë bëra një udhëtim.

“Mirë se vini në historinë tonë të tmerrshme”, thotë kallauzi ynë i stërlodhur, me një humor thumbues, teksa na shpie në një kompleks për të cilin pëshpëritej nën zë nga banorët e Tiranës, që jetonin në frikë të përhershme të arrestimit nga policia e fshehtë – Sigurimi. “Vuajtja jonë dje është zbavitja juaj sot”.

“Zbavitja” e zymtë përbëhet nga një sërë dhomash të gjera njëra pas tjetrës, pa dritare, të shndërruara në mënyrë kreative në një muze surreal modernist që përdor mbijetojat e Luftës së Ftohtë dhe fotografitë e kombinuara me dritë dhe tinguj që sjellin rrëfimin e jashtëzakonshëm të kalimit të Shqipërisë drejt marrëzisë kafkiane.

Disa dhoma janë të dedikuara për makinerinë e shtetit dhe aparatin primitiv të përgjimit që përdorej për të kapur tradhtarët, të tjera dhoma për gulagët, ku mijëra qytetarë u zhdukën, apo për jetën e përditshme të shqiptarëve, banesat e mjera të të cilëve ishin të përshtatura me përzgjedhjet e njëjta të pajisjeve rudimentare dhe orendive të lira që të sigurohej se secili qe i barabartë. Sigurisht, me përjashtim të elitës, transmeton ‘koha.net’.

E fundit nga blloku i dikurshëm i vendeve lindore që braktisi komunizmin dhe një prej më të vobektave në Evropë, Shqipëria, ende ka blanat e izolimit katërdekadësh nën Enver Hoxhën, 35 vjet pas vdekjes së tij.