Tzvetan Todorov: Letërsia më ndihmon të jetoj!

Nga Tzvetan Todorov

Për aq larg sa mund t’u kthehem kujtimeve të mia, e shoh veten të rrethuar me libra. Dy prindërit e mi ushtronin profesionin e bibliotekarit, përherë kishte tepër libra në shtëpi. Ata bënin në mënyrë konstante plane për rafte të reja, me qëllim që t’i përpinin ato. Në pritje e sipër, librat grumbulloheshin nëpër dhoma dhe korridore, duke formuar stiva të brishta në mesin e të cilave më duhej të zvarritesha. Kam mësuar shpejt të lexoj dhe fillova t’i përpij tregimet klasike të përshtatura për rininë “Një mijë e një net“, përrallat e Grimm-it dhe Andersen, “Tom Sojerin”, “Oliver Tuistin“, dhe “Të mjerët” (Les Misérables).

Një ditë, si tetëmbëdhjetëvjeçar, e lexova një roman në tërësi: me siguri se isha shumë krenar për këtë, ngase e pata shkruar në ditarin tim intim:”Sot e kam lexuar Në prehrin e gjyshit (Sur les genoux de grad-pere), libër më 223 faqe, për një orë e gjysmë!

Si nxënës në kolegj dhe lice, vazhdoja të adhuroja leximin. Hyrja në universin e shkrimtarëve, klasikë apo bashkëkohor, bullgarë apo të huaj, tekstet integrale të të cilëve po i lexoja tani, më ngjallnin çdoherë një drithmë kënaqësie. Mund ta përmbushja kurreshtjen time, të përjetoja aventura, ta shijoja frikën dhe gëzimin, pa i duruar frustrimet që përgjonin lidhjet e mia me djemtë dhe vajzat e moshës sime, në mesin e të cilëve jetoja.

Nuk e dija se çfarë do të bëja në jetë, por isha i sigurt se ajo do të kishte të bënte me letërsinë. Të shkruaja unë vetë për të? E kam provuar veten, kam kompozuar poema në vargje në formë fyelli, një pjesë në tri akte kushtuar jetës së xhuxhëve dhe viganëve, bile edhe një roman e kam filluar – por nuk shkova më larg se faqja e parë. E ndjeva shumë shpejt se rruga ime nuk kalonte atypari.

Vazhdimisht i pasigurt për të ardhmen, ndodhi megjithatë që pa farë mëdyshjeje, në përfundim të liceut, të zgjidhja rrugën time universitare: do të bëja studime në letërsi. Më 1956 hyra në Universitetin e Sofjes: profesioni im do të ishte të folurit për librat.

Atëbotë Bullgaria bënte pjesë në bllokun komunist dhe studimi i humaniteteve gjendej nën ndikimin e ideologjisë zyrtare. Orët e letërsisë bëheshin përgjysmë me dituri e përgjysmë me propagandë. Veprat e së kaluarës apo të së tashmes mateshin më kutin e përshtatjes me dogmën markiste-leniniste.

Duhej dëshmuar se me çka këto shkrime ilustronin ideologjinë e mirë-ose përndryshe, çfarë u mungonte këtyre shkrimeve që ta arrinin atë. Duke mos e përqafuar fenë komuniste, por edhe duke mos qenë as i frymëzuar me një shpirt revolte, strehohesha pas një qëndrimi që e adaptonin shumica e bashkëatdhetarëve të mi. Në publik, një pëlqim i heshtur ose me majë të gjuhës me slloganet zyrtare. Privatisht, një jetë të mbushur me takime dhe lexime, të orientuara sidomos drejt autorëve për të cilët nuk mund të kishte dyshim se ishin zëdhënës të doktrinës komuniste, qoftë nga fati që kishin pasur të jetonin përpara ardhjes në pushtet të marksizëm-leninizmit, qoftë nga të jetuarit në vendet në të cilat ishin të lirë t’i shkruanin librat që donin.

Për t’i kryer si duhet studimet e larta, na duhej që, megjithatë, të hartonim, në fund të vitit të pestë, një temë diplome. Si të flitet për letërsinë pa pasur nevojë që t’u nënshtrohemi kërkesave të ideologjisë mbretëruese? U angazhova në njërën nga rrugët më të rralla që mundësonte ikjen nga rekrutimi i përgjithshëm. Kjo parashihte marrjen me gjëra pa përmbajtje ideologjike. Pra, në veprat letrare, me atë që prekte anën materiale të tekstit, me format e tyre gjuhësore.

Nuk isha i vetmi që e kisha provuar këtë zgjidhje. Që në vitet njëzet të shekullit XX, Formalistët rusë e kishin hapur tashmë rrugën, të pasuar më vonë prej të tjerëve. Në universitet, profesori ynë më interesant ishte, ashtu siç duhet një specialist i vargëzimit. Kështu, vendosa të shkruaj temën time, duke i krahasuar dy versione të një novele të gjatë të një autori bullgar, e shkruar në fillim të shekullit XX, dhe u kufizova në analizën gramatikore të ndryshimeve që i kishte sjellë nga një version në tjetrin. Foljet kalimtare zëvëndësonin jokalimtaret, e kryera bëhej më e shpeshtë se e pakryera… Venerimet e mia i iknin në këtë mënyrë çdo censure! Duke vepruar në këtë mënyrë, nuk rrezikoja të shkelja tabutë ideologjike të partisë.

Nuk do ta marrë vesh kurrë se si do të mund të vazhdoja këtë lojë të maces me miun- dhe jo me çdo kush në dobinë time. U paraqit rasti për mua që të nisem një vit në ‘’Evropë’’, siç thonim ne atëbotë, do të thotë në anën tjetër “të perdes së hekurt” (një imazh që në asnjë mënyrë nuk na dukej i tepërt, pasi që ta kalojë këtë kufi, ishte pothuajse e pamundur). E zgjodha Parisin, nami i të cilit – qytet i arteve dhe i letrave- më verbonte. Më në fund një vend ku dashuria ime për letërsinë nuk duhej të njihte fare kufizime dhe ku do të mund t’i përafroja, në një liri totale, bindjet intime dhe detyrat publike, duke iu shmangur kështu skizofrenisë kolektive të imponuar nga regjimi totalitar bullgar.

Gjërat shkuan më vështirë se ç’e kisha paramenduar. Gjatë studimeve të mia universitare, e kisha bërë shprehi t’i vija në pah elementet e veprave që i iknin ideologjisë: stili , kompozicioni, format narrative, me një fjalë teknika letrare. I bindur në fillim që të qëndroja vetëm një vit në Francë, aq ishte kohëzgjatja e pasaportës që ma kishin lëshuar, doja që të përfitoja të mësoja çdo gjë mbi këto tema: të lëna pas dore, të margjinalizuara në Bullgari, e meta e të cilave ishte se i shërbenin fare pak çështjes komuniste, duhej që të studioheshin gjerë e gjatë në një vend ku mbretëronte liria!

Por, pata vështirësi të gjeja një arsimim të tillë në fakultetet parisiene. Aty ligjëratat mbi letërsinë ishin të ndara në bazë të kombeve dhe shekujve, nuk dija si t’ia bëja për t’i gjetur profesorët, të cilët, bile në një masë, do të kishin një interesim për çështjet që më preokuponin. Duhet thënë, gjithashtu, se lëmshit të ngatërruar të institucioneve shkollore dhe të programeve të tyre nuk ishte e lehtë që t’iu gjendej filli, e aq më pak për mua, një student i huaj.

Dekani i Fakultetit të Letërsisë në Sofje më kishte rekomanduar te homologu i tij i Parisit. Një ditë maji, të vitit 1963, trokita në derën e një zyre të Sorbonës (atëbotë universiteti i vetëm parisien), në atë të dekanit të Fakultetit të Letërsisë, historianit Andre Aymard.

Pasi e kishte lexuar letrën, më pyeti se çfarë kërkoja. I thashë se dëshiroja të bëja studime për stilin, për të folurit dhe teorinë letrare- në përgjithësi! Në cilën letërsi dëshironi që të specializoheni ju? -Duke e ndier tokën që po dridhej nën këmbët e mia, murmurita mëshirshëm se letërsia frënge do të kryente punë. E ndjeja njëkohësisht se po ngatërrohesha me frëngjishten time, që atëbotë ishte jo edhe aq e sigurt. Dekani më shikoi me zemërbutësi dhe më sugjeroi që ta studioja më mirë letërsinë bullgare me njërin nga specialistët e tij, që nuk ishin të paktë në Francë.

Isha paksa i dëshpëruar, por i vazhdova kërkimet e mia, duke i pyetur ata pak njerëz që njihja. Dhe kështu ndodhi që një ditë, një profesor i psikologjisë, mik i mikut, të më thoshte, pasi që ishte njohur me vështirësitë e mia: – E njoh edhe një njeri tjetër që interesohet për këto çështje të çuditshme, është asistent në Sorbonë dhe quhet Gérard Genette. – Jemi takuar në një korridor të errët të rrugës Serpente, ku gjendeshin disa klasë mësimi. Një simpati e madhe lindi mes nesh. Më shpjegoi, ndër të tjera, se një profesor mbante seminar në Shkollën e Studimeve të Larta, vend në të cilin do të ishte e përshtatshme të takoheshim. Emri i tij (që nuk e kisha dëgjuar më parë) ishte Roland Barthes.

Hapat e parë të jetës sime profesionale në Francë ka qenë të lidhur me këto takime. E pashë shumë shpejtë se një vit i vetëm qëndrimi nuk do të mjaftonte dhe se duhej të vendosesha për një kohë më të gjatë në këtë vend. U regjistrova në klasën e Barthes-it për ta bërë doktoratën time të parë, punë të cilën e kam paraqitur më 1966. Pak më vonë, kam hyrë në Qendrën Kombëtare të Kërkimeve Shkencore (CNRS), ku edhe ka rrjedhur e tërë karriera ime. Ndërkohë, me nxitjen e Gennette-it, i kam përkthyer në frëngjish tekstet e Formalistëve rusë, fare pak të njohur në Francë, në një volum me titull Teoria e letërsisë (Théorie de la literature) e cila doli në vitin 1965.

Më vonë, çdoherë me Gennette-in, kemi udhëhequr për dhjetë vjet radhazi revistën Poetika, të ndihmuar nga një koleksion esesh dhe jemi përpjekur që t’ia ulim pakës kokën të shpjeguarit letrar në universitet, për ta liruar atë nga parmaku i hekurt i kombeve dhe i shekujve, me qëllim të hapjes së tij drejt asaj që i bën veprat të afërta me njëra-tjetrën.

Vitet që pasuan kanë qenë për mua vite të integrimit hap pas hapi në shoqërinë franceze. U martova, më lindën fëmijë dhe u bëra kështu një qytetar francez. Fillova të votoj dhe të lexoj gazetën, duke u interesuar për jetën publike pakëz më shumë sesa që e bëja në Bullgari, ngase do ta zbuloja se kjo jetë nuk ishte me çdo kusht e nënshtruar ndaj dogmave ideologjike, siç ishte rasti në vendet totalitare.

Pa rënë në një admirim të rehatshëm, gëzohesha se po konstatoja që Franca ishte një demokraci pluraliste, repsektuese e të drejtave individuale. Ky konstatim e kishte pastaj ndikimin e vet në përzgjedhjen e qasjes sime letërsisë. Mendimi dhe vlerat që i përmban çdo vepër nuk ishin më të burgosura në një hallkë ideologjike të përcaktuar dhe nuk kishte më arsye që t’i lija mënjanë dhe t’i injoroja.

Çështjet e interesit tim ekskluziv për materien gojore të teskteve ishin zhdukur. Që nga ky moment, ishte mesi i viteve të shtatëdhjeta, e humba edhe dëshirën time për metodat e analizës letrare dhe u lidha vetëm me analizën, pra me takimin e autorëve.

Nga ky moment, dashuria ime për letërsinë nuk ishte më e kufizuar nga edukimi që kisha marrë në vendin tim totalitar. Përnjëherë më është dashur të pasurohem me mjete të tjera të punës; e kam ndier nevojën që të familjarizohesha me të dhënat dhe konceptet e psikologjisë, të antropologjisë, të historisë. Meqë idetë e autorëve kishin aq forcë, kam dëshiruar që, me qëllim që t’i kuptoja sa më mirë, të zhytesha në historinë e të menduarit mbi njeriun dhe epokat e tij, në filozofinë morale dhe politike.

Duke e bërë këtë, edhe vetë objekti i kësaj pune të njohjes u zgjerua. Letërsia nuk lind në zbrazëti, por në kuadër të një tërësie diskursesh të gjalla, me të cilat ajo ndan shumë karakteristika. Nuk është një rastësi që, gjatë historisë, kufijtë e saj kanë qenë të ndryshueshëm. Jam ndier i joshur prej këtyre formave të tjera të të shprehurit, por jo në dëm të letërsisë, por përkrah saj. Në Pushtimi i Amerikës, për të ditur se si takohen kultura të ndryshme, kam lexuar tregimet e udhëtarëve dhe konkuistadorëve spanjollë të shekullit XVII, mu sikurse edhe ato të bashkëkohësëve të tyre astekë dhe maja.

Për të menduar mirë për jetën tonë morale, iu përvesha shkrimeve të të deportuarëve të dikurshëm të kampeve ruse dhe gjermane. Kjo më bëri të shkruaja Përballë ekstremit (Face à l’extrême). Komunikimi i disa shkrimtarëve më ka mundësuar, në Avanturistët e pakufizueshmërisë, të gjurmoja një projekt jetik: atë që nënkuptonte vënien e jetës në shërbim të së bukurës.

Tekstet që lexoja, tregimet personale, memoaret, veprat historike, dëshmitë, refleksionet, letrat, tekstet folklorike anonime nuk e ndanin statusin e fiksionit me veprat letrare, pasi që ato përshkruanin drejtpërdrejt ngjarje të përjetuara. Megjithatë, sikurse këto të fundit, edhe ato më bënin të zbuloja dimensione të panjohura të botes, më tronditnin dhe me nxisnin për të menduar. Me fjalë të tjera, fusha e letërsisë u zgjerua për mua, ngase ajo po fuste tani, përkrah poemave, romaneve, novelave dhe veprave dramatike, fushën e gjërë të të shkruarit narrativ, të destinuar për përdorim publik ose personal, esenë, refleksionin.

Po te pyetesha sot se përse e dua letërsinë, përgjigjja që më vjen spontanisht në mendje është: sepse ajo më ndihmon të jetoj.

Nuk i kërkoj më aq shumë, siç bëja në adoleshencë, që të më kursente prej plagëve që do të mund të merrja gjatë takimeve me personat realë. Në vend që të mënjanoj përvojat e jetuara, ajo më bëjnë të zbuloj botëra që vendosën në vazhdimësi me to dhe më mundëson që t’i kuptoj më mirë ato. Nuk besoj të jem i vetmi që mendon kështu. Më e dendur, më elokuente se jeta e përditshme, por jo radikalisht e ndryshme, letërsia e zgjeron universin tonë, na nxit të imagjinojmë mënyra të tjera për ta kuptuar dhe për ta organizuar atë.

Të gjithë ne jemi të përbërë prej asaj që na japin qeniet e tjera njerëzore. Pikësëpari prindërit tanë, pastaj ata që na rrethojnë. Letërsia e hap në pafundësi këtë mundësi të ndërveprimit me të tjerët dhe na pasuron pa mbarim.
Ajo na dhuron ndjenja të pazëvendësueshme, na bën që bota reale të bëhet më e ngarkuar me kuptimësi. Larg të qenit një argëtim, nje dëfrim i rezervuar vetëm për personat e edukuar, ajo i mundëson secilit që t’i përgjigjet më mirë prirjes personale të të qenit njeri.

*Titulli është i redaksisë.
*Teksti është Parathënie e librit “Letërsia në rrezik”, Tzvetan Todorov, përkthyer nga Mehdi Halimi dhe Botuar nga Buzuku në vitin 2007.

Përgatiti: ObserverKult

——————-

Lexo edhe:

BORGES: ATA QË MENDOJNË SE UNË NUK E PASKAM NJOHUR DASHURINË, GABOJNË…