Derisa kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, javë më parë njoftoi për nënshkrimin e një marrëveshjeje me TIKA-n turke për restaurimin e Hamamit të Madh të Prishtinës, reagimet pasuan menjëherë.
Arsyet që çuan në këto reagime ishin se në fotografitë që prezantoi Komuna e Prishtinës dhe TIKA, Hamamit të Madh i ishte ndërruar emri në “Fatih Hamami Muzesi”.
Pak kohë pas reagimeve, kryetari Ahmeti, përmes një postimi në ‘Facebook’, mohoi ndryshimin e emrit të Hamamit të Madh.
Ahmeti tha se TIKA nuk ka vendosur asnjë kusht sa i përket emërtimit dhe tha se pas restaurimit, Hamami i Madh do të shërbejë për ekspozita, konferenca dhe ngjarje të tjera që do të organizohen nga komuna që ai udhëheq.
Ndërsa dje, Komisioni i Ministrisë së Kulturës për Shqyrtimin e Ankesave, anuloi projektin e Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA), për restaurimin e Hamamit të Madh në Prishtinë, i cili ishte miratuar nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve (IKMM).
Lajmin e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, Qerim Ondozi, këshilltar për media i ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku.
“Po, ky projekt është anuluar”, ka deklaruar Ondozi të martën.
Ai ka shtuar se vendimin për anulimin e këtij projekti e ka marrë Komisioni i Ministrisë së Kulturës për Shqyrtimin e Ankesave, pas pranimit të ankesave të parashtruara nga Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore – MKRS, dhe nga disa profesorë të Universitetit “Hasan Prishtina”.
Por Komuna e Prishtinës, ka reaguar duke thënë se “projekti i Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) sa i përket restaurimit të Hamamit të Madh në Prishtinë, nuk është anuluar, mirëpo është anuluar vendimi i Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve nga komisioni i Ankesave në IKMM”.
Adrian Berisha, drejtor i Kulturës në Komunën e Prishtinës, tha se anulimi i vendimit nuk vjen si pasojë e emrit të Hamamit të Madh të Prishtinës, por shkaku i disa problemeve të tjera në projekt, si: paramasa, plani dinamik, etj.
“Ju njoftojmë që, Këshilltari për Media i Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka deklaruar për media që projekti është pezulluar. Ndërsa, Komisioni i Ministrisë së Kulturës deklaron se është anuluar vendimi i IKMM, që nënkupton se projekti është hedhur poshtë. Pezullim do të thotë që projekti mund të rishikohet dhe të plotësohet, përderisa në vendim të komisionit kjo nuk shkruhet. Andaj, Komuna e Prishtinës kërkon sqarim të menjëhershëm rreth këtyre deklaratave që janë në kundërshtim me njëra-tjetrën e për të cilat vendime Komuna e Prishtinës nuk është njoftuar paraprakisht, por lajmin e ka kuptuar nga mediat”.
“Fakti që qytetarët po dezinformohen dhe mediat informohen para institucionit për një vendim të tillë është shqetësues”, tha në fund të reagimit të tij, drejtori Berisha./zeri