Në oborrin e Institutit të Albanologjisë në Prishtinë, sot u hap edicioni i parë i Panairit të librit të vjetër, të rrallë e të përdorur ku u ekspozuan mbi 700 tituj librash.
“Pandemia, kjo gjendje e jashtëzakonshme në përgjithësi i ka dhënë jetës karakter disi tjetër. Në fillim kur u shfaq kjo pandemi, miku im Berat Daka, e pati marr goxha me stres këtë punë. Me kalimin e kohës sikur u adaptu… Ai është ideatori i kësaj ekspozite. Ditë më parë gjatë kontakteve që kishim me të kërkoi që edhe Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës t’i bashkangjitet me një ekspozitë dhe kishte ide që ne t’i ekspozojmë ekspozitat të mëhershme.
Dua vetëm 12 pano të m’i sjellni më tha”, tha Bedri Zyberaj, kryeshef ekzekutiv i Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, në hapje të panairit, duke bërë të ditur se në kuadër të panairit do të ekspozohen të 12 panot e ekspozitës që kishin organizuar së bashku me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë për nder të pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt.
Drejtori i Institutit Albanologjik , Hysen Matoshi përgëzoi nismën e organizatorëve që libri të kthehet në agjendat e jetës sonë të përditshme.
“Uroj që ky aktivitet të jetë një nismë e mirë…të kthejmë agjendën e aktiviteteve ku libri do të jetë kryefjalë kryesore, që brezat tonë të ardhshëm t’i rrisim në praninë e librave dhe me librin gjithmonë”, theksoi Matoshi.
Ndërsa poeti Adem Gashi tha se nisma të këtilla kanë në vetëvete një dalldi aventurore por para së gjithash kanë mund e përpjekje, sakrificë.
“Është libri pra ai i rralli, i moçmi, i përdoruri, i përdorshmi, pse mos t’i implantohet një faltore atij, një panair i tillë, për herë të parë te ne. Vitet do ikin, dhe ne do të themi se ishin ata, Kimetja, Berati, Vlora, Agroni e Venera që e nisën këtë punë. Në mos qoftë mburrje do të jetë kujtesë”, tha Gashi.
Organizatori, Berat Dakaj, tregoi se panairi do të jetë i hapur për tri ditë me radhë, ndërsa motivi për hapjen e tij ishte që të kthehet vëmendja ka libri, e sidomos libri i vjetër e i përdorur, pasi atij po i kushtohet shumë pak rëndësi nga institucionet e shtetit.
Dakaj bëri të ditur se në kuadër të panairit do të ketë edhe oganizime të tjera:
-Më datë 25 shtator, në orën 19.00, në platenë e kafe-librarisë Sonder në Prishtinë mbahet një mbrëmje letrare, kritike, poetike me shkrimtarin Milazim Krasniqi.
-Më datë 26 shtator, në orën 11.00, në oborrin e Institutit të Albanologjisë përurohet dhe hapet ekspozita e Librit të vjetër dhe të rrallë.
-Më datë 26 shtator, në orën 19.00, në platenë e kafe-librarisë Sonder në Prishtinë mbahet një mbrëmje letrare, kritike, poetike me shkrimtarin Primo Shllaku.
-Më datë 27 shtator, në orën 13.00, në hollin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” mbahet ora poetike, me moton Pandemia na largoi, poezia na ofroi.
-Më datë 27 shtator, me fillim nga ora 15.00, në oborrin e Institutit të Albanologjisë në Prishtinë organizohet Dita e Dhurimit të Librit. Librat që do të dhurohen, nga botues dhe individë, në këtë edicion do t’u dhurohen bibliotekave të shkollave të Komunës së Prishtinës. Të gjithë librat e dhuruar do të regjistrohen nga aktivistët e panairit dhe dhuruesit do të nënshkruhen në dëshmi me rastin e dhurimit të librave./ObserverKult