U mbajt Akademi Përkujtimore në nderim të Nexhmije Pagarushës

Në nderim të bilbilit të këngës shqipe, Nexhmije Pagarusha sot në Teatrin Kombëtar u mbajt akademi përkujtimore.

Kryparlamentarja Vjosa Osmani tha se e gjithë Kosova dhe të gjithë ata që e vlerësuan artin e kulturën dhe ikonës së muzikës shqipe, Nexhmije Pagarusha, sot janë në dhimbje të madhe, duke shpresuar se institucionet në nderim të veprës së saj do të bëjnë të pamundurën që tash e tutje të përkrahin artin e kulturën dhe njerëzit që i dhanë kaq shumë Kosovës me veprën e tyre.

Osmani theksoi se Pagarusha do të jetë shembull për të gjitha gratë dhe vajzat e reja në Kosovë, që të guxojnë të ëndërrojnë e ato të bëhen realitet.

Kryeministri Albin Kurti tha se muzika dhe arti tani kanë humbur ikonën e tyre, kombi ynë ka humbur anëtaren më të çmuar.

“Ata që e kanë njohur nga afër, ata që kishin pasur fatin të punonin me to tregonin për disiplinën dhe artin në punë. Jetonte për atë që bënte. Nexhmija ishte një vajzë nga fshati. Larg kryeqytetit ku jetonin dhe vepron njerëzit e artit. Ajo ka lënë pas vetës pesë albume dhe 88 këngë, secila më e mirë se tjetra. Zëri i saj ishte unik. Nexhmije Pagarusha, Dada Nexh ishte bilbil i gëzuar edhe sa i trishtë. I përjetshëm do jetë kujtimi për të”, ka thënë ai.

Në shenjë respekti për yllin e muzikës ka folur edhe ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi.

“Bilbili Pagarusha ka qenë simbol i dashurisë mes Shqiptarëve. Pak e kanë njohur shpirtin, bujarinë dhe karakterin e saj. Ajo nuk jeton më por ne jetojmë tek ajo. Faleminderit zonjë që ishe. Ikonat nuk vdesin kurrë. Ato vetëm lartësohen”, thotë ai

Kompozitori Rafet Rudi, tha se Nexhmije Pagarusha hyn në radhën e personaliteteve që e shënojnë kohën e vet.

“Ajo identifikohej me zërin e saj. Ajo ka qenë shenja me të cilën muzika popullore është njohur në Ish-Jugosllavi, Ballkan. Përmes muzikës së saj e kemi njohur veten. Ajo ka pasuruar në veçanti muzikën kosovare, duke bërë të njihet si e tillë. E ka definuar muzikën shqipe të Kosovës”, ka thënë ai.

Varrimi i Nexhmije Pagarushës do të bëhet sot në orën 14:30 në fshatin Pagarushë të Malishevës, në një ceremoni familjare sipas amanetit të saj të fundit.

Pas varrimit, e pamja do të vazhdojë edhe për dy ditë të tjera deri më datë 11.02.2020 në Teatrin Kombëtar në Prishtinë, nga 8:00 deri në 17:00.

Bilbili i muzikës shqipe ndërroi jetë të premten në moshën 86-vjeçare.