
Kryeqyteti të Kosovës iu shtua edhe një ngjarje kulturore.
Dje u mbajt edicioni i parë i Festivalit të Koreve të Fëmijëve “Crescendo”. Me ftesë të drejtoreshës ekzekutive të festivalit, Diana Toska, në këtë ngjarje mori pjesë edhe drejtoresha për Kulturë në Komunën e Prishtinës, Sibel Halimi.
Halimi nëpërmjet një postimi në Facebook është shprehur e kënaqur me organizmin e edicionit të parë të këtij Festivalit dhe shtoi se “kjo nismë e re kulturore në Kryeqytet rikthen artin koral si një formë të bukur të shprehjes artistike, duke lartësuar zërin dhe talentin e fëmijëve që sonte na mahnitën me interpretimet e tyre”.

Postimi i plotë i Halimit
Me ftesë të drejtores ekzekutive Diana Toska, pata kënaqësinë të marr pjesë në edicionin e parë të Festivalit të Koreve të Fëmijëve “Crescendo”.
Kjo nismë e re kulturore në Kryeqytet rikthen artin koral si një formë të bukur të shprehjes artistike, duke lartësuar zërin dhe talentin e fëmijëve që sonte na mahnitën me interpretimet e tyre.
Drejtoria për Kulturë është krenare për angazhimin e dirigjentëve tanë, të cilët me përkushtim dhe pasion po i japin shpirt artit të Prishtinës.
Mirënjohje e veçantë për Artan Jerliu, Vehbi Shosholli, Memli Kelmendi dhe Elikona Hysaj Shala, pa të cilët skena jonë do të ishte më e heshtur dhe më e varfër!
ObserverKult






