Për dy ditë me radhë, më 24 dhe 25 tetor, Peja ka frymuar me poezi,duke mirëpritur poetë e studiuesë nga mbarë viset shqiptare e po ashtu edhe ndërkombëtarë, për të shënuar kështu jubileun e XX-të, të Takimeve Letrare Ndërkombëtare “Azem Shkreli”.
Drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Pejës, Xhenet Syka ishte ajo që ka bërë hapjen e manifestimit, ndërsa të pranishmit i kanë përshëndetur Akademik Ali Aliu, Drejtoresha e bibliotekës “Hivzi Sylejmani” në Prishtinë, znj.Naime Beqiraj dhe i biri i poetit Azem Shkreli, z.Valon Shkreli.
Programi i takimit letrar në dy ditë përfshiente deklamimin e poezive të autorëve pjesëmarrës, tryezën shkencore që kishte për temë boshte poezinë e Azem Shkrelit dhe rolin e saj në letërsinë shqipe si dhe ndarjen e çmimeve të Takimeve Letrare Ndërkombëtare “Azem Shkreli” 2024 në Pejë.
Tryezën e rrumbullakët e ka moderuar Dr.Sali Bashota, ndërsa për poezinë e Azem Shkrelit dhe rolin e saj në letërsinë shqipe kanë referuar Akademik Ali Aliu, PhD.Naime Beqiraj dhe Dr.Murteza Osdautaj.
Çmimi “Azem Shkreli” për Letërsi i është ndarë poetit, prozatorit, skenaristit dhe akademikut, Eqrem Basha, Çmimi “Azem Shkreli” për Kinematografi i është ndarë pedagogut dhe aktorit Timo Flloko dhe Çmimi “Lirikë me shi” i është ndarë poetit Lulzim Tafa për poezinë “Sa shpejt më harroi nana”.
ObserverKult