Me rastin e shënimit të Ditës së Flamurit, në fshatin turistik “N’Mal” në Rekë të Allagës në Rugovë, mysafire ishin disa emra të njohur të grave nga të gjitha trevat shqiptare, të cilat u bën bashkë për të kujtuar rolin e gruas në historinë shqiptare.
Nën moton “Festojmë duke kujtuar”, ato nëpërmjet veshjeve të trevave të ndryshme shqiptare kanë përfaqësuar simbolikisht rolin e grave në çlirimin e vendit, një rol ky që historikisht nuk ka qenë edhe shumë i shpërfaqur.
Organizatorja e kësaj iniciative, Vlora Nikçi, ka treguar se me anë të këtij manifestimi kanë kujtuar ato heroina që nuk patën vend në fotografinë e famshme të 28 Nëntorit në Vlorë, si dhe u organizua për gratë që punojnë e veprojnë për një jetë më të mirë.
“Përpos veshjeve tradicionale, kemi interpretuar poezi dhe kemi festuar me këngët tona të vjetra dhe performanca tjera, me ushqimet tona tradicionale dhe duke biseduar për gratë tona heroina dhe përpjekjet e tyre për lirinë e vendit dhe ngritjen e shoqërisë dhe shtetit”, tregoi Nikçi.
Sipas Nikçit, ideja e manifestimit tashmë tradicional, “Festojmë duke kujtuar”, ka lindur pra nga fotografia tradicionale e Festës së Flamurit.
“Kjo fotografi është me kalavesh burrash e asnjë grua, as Marigona e shkretë me duart e therme nga gjilpëra, t’u u munduar me e krye me nguti flamurin e qëndisur”, tha Nikçi.
Siç ka ndodhë edhe në manifestimet e kaluara ky aktivitet u përmbyll me fotografinë simbolike të Festës së 28 Nëntorit.
ObserverKult
Lexo edhe: