
Avangard, i guximshëm, patriot e urban. Kështu qe kujtimi për solistin e ndjerë të grupit “Ilirët”, Shemsi Krasniqi – Shemi nga komuniteti artistik, miq e familjarë në mbledhjen komemorative të mbajtur të martën në Teatrin Kombëtar të Kosovës në Prishtinë.
Naser Gjinovci, solisti i grupit “Minatori” e cilësoi si profesionalistet shumëdimensional. Ai ndau kujtimet e shumta me të, duke përfshirë momente nga xhirimet në studio, qëndrimet e përbashkëta në apartament e shumë detaje të tjera.
“Shemi e ka shtruar shtresën e parë të asfaltit urban të Prishtinës, me hitin e parë të madhin ‘Merita’, mandej kënga ‘Moj zogo’, këto ishin fillesat e para te ne…ajo çka unë dua të përmendi janë incizueset pasuese me një zë të mrekullueshëm që nuk ishim mësuar deri atëherë…këngët ‘Jam për dreq’, ‘Flora’. Nuk ishim mësuar deri në atë kohë të dëgjonim asi zëri të kitarës”, tha ai, duke kujtuar fillesat e krijimtarisë të Shemit.
Ministri në detyrë i Kulturës, Hajrulla Çeku tha se kontributi i tij s’ishte veç muzikor por edhe shoqëror. “Aktiviteti i Shemit me grupin ‘Ilirët’ ka arritur të jetë përbashkues për të gjithë ne, në periudhat më të vështira si popull gjatë viteve ’80 e ’90. Edhe avangard, edhe patriotik, Shemi ishte ikonë e rokut shqiptar”, tha Çeku.
Këngëtari Kastriot Grajçevci i cili e ka pasur dajë Shemin, tha se ai ka pasur guxim e përkushtim që kënga e tij të ishte e palëkundur për atdheun.
“Në vitin 1990 Shemi e Ilirët sollën ‘Zgjohu moj Kosovë’, si një këngë që s’u bë veç album, por u bë zë i një kohe, ishte një kushtrim i kënduar që e kthente frikën në guxim. Në çdo tingull kishte qëndrim, në çdo varg kishte dinjitet dhe në çdo refren kishte thirrje që ngrinte në këmbë”, tha ai.
Dje u dha lajmi për vdekjen e tij, teksa sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës i ndjeri gjetur pa shenja jete në banesën e tij, pasi gjendja shëndetësore i ishte përkeqësuar, pas një ataku kardiak./rtklive
ObserverKult
Lexo edhe:






