Sot në hollin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” , organizuar nga Shtëpia Botuese “Armagedoni”, u mbajt ora poetike me moton “Pandemia na largoi, poezia na ofroi”.
Duke respektuar masat dhe rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës, në këtë orë poetike nuk pati publik të pranishëm, mirëpo adhuruesit e fjalës së shkruar manifestimin mund ta shikojnë të plotë, të xhiruar, nesër në portalin ObserverKult.
Muçaj para se të fillonte me interpretimin e poezive tha:
Dashamirës të fjalës poetike,
Sot është ditë e diel. Këtu ku jemi është holli i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës.
Biblioteka, për shkak të pandemisë, ua ka mbyllur dyert lexuesve për lexim dhe për shërbime, por ua ka mbajtur hapur librave të rinj dhe të vjetër gjatë gjithë kohës.
Për shkak të masave qeveritare, kufizimit të lëvizjes së njerëzve, pandemia na ka larguar nga njëri-tjetri disa muaj, por na ka ofruar me njëri-tjetrin poezia, arti i fjalës suaj, nga i cili thesar sot kemi përzgjedhur për lexim disa fjalë.
Padyshim se do të ndieja kënaqësi po sikur sot të ishit me mua në këtë hollë ta dëgjoni frymën time duke lexuar frymën tuaj. Po ashtu, do të ndihesha mirë po sikur edhe t’ju përshëndesja dorë me dorë e t’ju përgëzoja për krijimet artistike me shumë vlerë. Por, meqë jo sot, shpresoj shumë se do t’ju takoj e t’ju përshëndes në një të diel tjetër të afërt, pasi t’ia gjejmë ilaçin pandemisë e cila ka vështirësuar jetën dhe punën tonë.
Pandemia dhe poezia, që nga marsi, kanë qenë rivale me njëra-tjetrën. E para ua ka marrë jetën disa krijuesve tanë dhe të huaj, e dyta ka marrë motive të ndryshme për jetën nga e para.
Sa kam parë, dëgjuar dhe prekur me dorë, s’dyshoj se jemi bërë njerëz më të ndjeshëm, më njerëzorë dhe më lirikë në këtë vit.
Sot e duam jetën më shumë sesa që e donim në vitin e kaluar.
Sot e duam dhe kujdesemi për natyrën më shumë sesa që kujdeseshim vitin e kaluar.
Sot e duam dhe kujdesemi për njëri-tjetrin më shumë sesa që duheshim dhe kujdeseshim në vitin e kaluar.
Po kujdesemi për njëri-tjetrin sepse po mbajmë maskë, distancë fizike, higjienë.
Po shprehim respekt edhe për punën tuaj artistike sepse në këtë ditë të diel, kur edicioni i parë i Panairit të Librit të Vjetër, të Rrallë dhe të Përdorur veç po mbyllet suksesshëm e me shumë aktivitete në Prishtinë, në kuadër të tij po i lexojmë 12 poezi të 12 autorëve shqiptarë, përzgjedhjen e të cilëve e ka bërë shtëpia botuese Armagedoni.
Dashamirë, m’i falni dhjetë minuta kohë.
Më pastaj aktori i njohur kosovar vazhdoi me leximin e poezive nga veprat e autorëve, Xhevdet Bajraj, Adem Gashi, Salajdin Salihu, Emin Emini, Qibrije Demiri-Frangu, Bedri Zyberaj, Lulzim Tafa, Arif Molliqi, Lulëzim Etemaj, Shkëlzen Halimi, Pal Ndrecaj dhe Donika Dabishevci.
Manifestimi u organizua në kuadër të Panairit të librit të vjetër, të rrallë dhe të përdorur.
/ ObserverKult