U nda nga jeta regjisori i njohur shqiptar, Leka Bungo

Është ndarë sot nga jeta në moshën 81-vjeçare regjisori, aktori dhe skenaristi i njohur shqiptar, Leka Bungo. Regjisori do të përcillet për në banesën e fundit këtë të mërkurë ( 11 qershor), në orën 16:00, dhe do të prehet në varrezat e Sharrës ndërsa ngushëllimet priten në “Alba 2000” në Rrugën e Durrësit.

Leka Bungo ka qenë një nga emrat më të rëndësishëm të skenës në Shqipëri si regjisor, skenarist dhe aktor, duke i lënë vendit një trashëgimi të larmishme artistike në fushën e humorit dhe të skenës shqiptare.

Leka Bungo ka kryer shkollën e lartë për aktorë “Aleksandër Moisiu” dhe më pas një kurs njëvjeçar për regji në Institutin e Lartë të Arteve. Punoi për një kohë si regjisor në teatrin “Bylis” të Fierit. Në fund të viteve ’80 u emërua regjisor në Estradën e Shtetit, në të cilën vuri në skenë disa shfaqje, ku u prekën probleme të mprehta sociale të kohës dhe ku satira përbënte elementin më të theksuar.

Pas viteve ’90 krijoi në hollin hyrës të godinës së Teatrit Kombëtar teatrin privat “Rubairat”, por që shpejt humbi destinacionin e vet artistik, derisa u mbyll më 2001 me rikonstruksionin që iu bë holleve të këtij teatri. Pas vitit 2002, emigroi në SHBA. Përveç punës si regjisor dhe aktor, ka shkruar edhe disa drama dhe skenarë filmash, ndër to dramën “Pabesia” si dhe skenarët “Pas fasadës”, “Gjuetia e fundit” etj. Në filmin e vitit 1990 “Një djalë edhe një vajzë” ai luajti rolin e Bardhylit. Ishte autor i skenarëve për disa filma artistikë.

ObserverKult


Lexo edhe:

GAZETARI E QUAN SPIUN TË SIGURIMIT DHE HAJDUT, REAGON LEKA BUNGO I REVOLTUAR