U ndamë si shokë, për të mbetur gjithmonë të tillë…

ika
Foto ilustrim

Copëza jete

Nga Xhafer Bytyqi

Ishte njëra nga ditët e para të korrikut 1999. Prishtina kishte filluar të shijonte ditët e para të lirisë. Dielli përvëlonte me rrezet e tij.
E takova diku afër Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.
Ajo pjesë e qytetit ishte shndërruar në qendër të zhvillimeve. Thuajse aty frymonte gjithçka. Në të vërtetë ishte qendra e gravitetit të lirisë që sapo kishim filluar ta jetonim.
Ishte veshur me një fustan ditor, por që ishte shumë afër fustaneve solemne. Sigurisht se ato ditë nuk kishte shumë përzgjedhje.
Më tha se revolen të cilën e kishte kujtim nga lufta, ja kishte marrë KFOR-i prandaj kishte ardhur të bënte ankesë në Shtab të UÇK-së.
E ftova të pinim nga një kafe. Erdhi pa hezitim.
Në ditët sa ishim në kazermën ushtarake, kishte krijuar një simpati për mua, por unë nuk isha i vendosur ndaj gjithmonë bëhesha kinse s’po merrja vesh. Si duket edhe ajo e ndjente pavendosmërinë time.
U ulëm në një tavolinë në mes të restorantit. Shumë nga tavolinat ishin me njerëz. Fillova të ndihesha në siklet nga grimi i tepërt që kishte bërë. Djersët që i rridhnin nga të nxehtit, kishin filluar t’ia çrregullonin grimin.
Nxorra një pako letër higjenike xhepi dhe e vendosa para saj. I thash që të shkonte në banjo dhe ta hiqte grimin nga fytyra. Pa thënë asnjë fjalë mori letrën higjenike dhe shkoi në banjo. Kur u kthye, fytyra e saj nuk mbante asnje shenjë grimi.
– I keq koke, më tha.
I thash se s’mund të rri me një vajzë që duket si e përdalë. Nuk ndjehem rehat para njerëzve që mund të më njohin. Thjesht, jam mësuar të jem i rregullt.
Nuk bëri zë. Biseda vazhdoi rrjedhshëm, me përmbajtjen shoqërore, aty ku mbeti paraprakisht.
Disa herë kisha menduar që ta ftoja në një drekë dhe të bisedonim për një lidhje të mundshme. Pse jo! Ishte një nga vajzat intelegjente që njohja ato ditë.
Ëndrrat e saj ishin aq të mëdha sa ishte edhe kapaciteti i saj i intelegjencës. Tek ajo shihja një vajzë ambicioze, intelegjente, punëtore dhe të suksesshme.
Vetja mu duk i pafuqishëm për të qëndruar krah saj, në fluturimin e gjatë dhe të lartë që dukej sheshazi që ajo e kishte përpara. Një lidhje eventuale e imja me të, do ta zbehte fluturimin e saj jetësor. Nuk fola asgjë, thjesht solla këto mendime nëpër kokë. Heshta për të mos folur kurrë.
Pas kafesë u ndamë si shokë, për të mbetur gjithmonë të tillë. Ajo vazhdoi jetën për të arritur nivelet më të larta të fluturimit, m’u ashtu siç e kisha paramenduar atë ditë.
Më mirë një spektator që sheh nga larg fluturimin se një kafaz që mbanë të mbyllur brenda një zog këngëtar, mendova.

ObserverKult

——————–

Lexo edhe:

ARTAN MULLAJ: DO TË IKI NGA KY VEND… NUK MUND TË DUROJ MË