reklamë

U promovua monografia për piktorin e njohur shqiptar, Esat Valla

Nga Blerim Valla

Në Gjakovë, në vendlindjen e tij, u bë promovimi i monografisë së dedikuar profesorit të njohur të pikturës, maestros Esat Valla – me autor Zeni Ballazhi. Organizator i këtij aktiviteti ishte Shoqata e Intelektualëve “Jakova”, e udhëhequr nga kryetari Ruzhdi Sefa, ndërsa moderimin e realizoi studiuesja Migena Arllati.

Në këtë ngjarje ku morën pjesë shumë miq, kolegë të piktorit E. Valla por edhe shumë artdashës e intelektualë nga mbarë Kosova, folën disa vet. Kështu studiuesja Migena Arllati në rolin e moderatores tha se “Sot kemi kënaqësinë dhe nderin të jemi bashkë për të përuruar një botim të veçantë, një monografi që përmbledh jetën dhe veprën e një artisti të shquar, piktorit Esat Valla, në jubileun e 60-vjetorit të karrierës së tij artistike.
Nëpërmjet pikturës dhe veprave të tjera në art, Esat Valla ka arritur të ndërtojë një univers të vetin. Përmes saj, publiku ka mundësinë të njohë më thellë jo vetëm krijimtarinë, por edhe shpirtin artistik që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në artin pamor shqiptar.
Ky përurim nuk është vetëm respekt për një emër të madh të pikturës, por edhe një festë e vlerave kulturore që frymëzojnë breza të tërë”.

Ndërkaq autori i monografisë Zeni Ballazhi mes tjerash vlerësoi se “Profesor Esati dhe familje e nderuar Valla, na ka mbledhur sot për të promovuar një monografi që nuk është vetëm një libër për një artist, por një dëshmi e thellë për një epokë, për një realitet historik dhe për fuqinë e artit si akt lirie.
Kjo monografi i kushtohet Esat Vallës, njërit prej personaliteteve më të rëndësishme të artit pamor në Kosovë dhe një figure kyçe në ndërtimin e kujtesës vizuale të shoqërisë sonë.
Për mua personalisht, kjo vepër ka edhe një dimension të veçantë. Ishte viti 1998 kur pata fatin ta njoh nga afër profesor Esat Vallën, gjatë studimeve të mia të magjistraturës, si profesor i lëndës së pikturës. Në atë periudhë u njoha më thellë jo vetëm me krijimtarinë e tij artistike, por edhe me personalitetin e tij njerëzor dhe akademik, një përvojë që ka lënë gjurmë të qëndrueshme deri më sot. Faleminderit, profesor Esat.
Që nga vitet ’70 e deri në ditët tona, krijimtaria e Esat Vallës shpaloset si një udhëtim i gjatë artistik, ku arti nuk shërben vetëm si përvojë estetike, por si dokument i gjallë historik, si formë rezistence dhe si hapësirë e pavarur e mendimit dhe shprehjes. Kjo monografi përpiqet ta vendosë veprën e tij në kontekstin e kohës, duke e lexuar atë në raport me zhvillimet shoqërore, politike dhe kulturore që kanë shënuar Kosovën gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX dhe fillimit të shekullit XXI.
Arti pamor në Kosovë, sidomos gjatë periudhës 1981–1999, u zhvillua në kushte represioni të ashpër, përjashtimi institucional dhe dhune sistematike. Në këtë realitet të errët, arti u shndërrua në një gjuhë mbijetese. I përjashtuar nga institucionet zyrtare, ai gjeti strehë në hapësira alternative, në qarkullim privat dhe në vetëdijen e komunitetit. Pikërisht në këtë kontekst, krijimtaria e Esat Vallës merr një peshë të veçantë.
Pikturat e tij të viteve ’90 nuk janë thjesht kompozime figurative, surreale apo ekspresive – ato janë arkiva vizuale të dhimbjes, traumës, shpërnguljes dhe rezistencës. Figurat e copëtuara, ngjyrat dramatike, simbolika e demit, dashit, kokave apo objekteve të shkatërruara flasin për një shoqëri të plagosur, por jo të dorëzuar. Arti i Vallës bëhet dëshmi, por edhe akt moral: një mënyrë për të mos heshtur.
Por kjo monografi nuk e sheh Esat Vallën vetëm si artist të rezistencës. Ajo ndjek rrugëtimin e tij të plotë jetësor dhe krijues – nga formimi akademik në Pejë dhe Beograd, te veprimtaria e tij pedagogjike në Universitetin e Prishtinës, ku ai ndikoi drejtpërdrejt në formimin e gjeneratave të tëra artistësh. Roli i tij si profesor, mentor dhe figurë institucionale është po aq i rëndësishëm sa edhe opusi i tij krijues.
Pas vitit 1999, arti i Esat Vallës hyn në një fazë të re. Nga gjuha e drejtpërdrejtë e dhunës dhe rezistencës, ai kalon në një shprehje më meditative dhe reflektuese. Dyert, dritaret, arkat, perdet dhe objektet e përditshme shndërrohen në metafora të kujtesës, të kalimit dhe të rindërtimit shpirtëror. Ngjyrat qetësohen, kompozimi bëhet më introspektiv, por përgjegjësia ndaj realitetit nuk humbet kurrë. Edhe në kohën e lirisë, arti i Vallës mbetet kritik, i ndjeshëm dhe thellësisht i lidhur me fatin kolektiv.
Krijimtaria e tij, e rrënjosur fort në realitetin tonë, arrin të komunikojë edhe në nivel universal. Simbolet arkaike, referencat mitike dhe lidhjet me traditën e ekspresionizmit evropian e vendosin Esat Vallën në një dialog të gjerë me artin bashkëkohor ndërkombëtar, pa humbur asnjëherë identitetin e vet.
Në fund, kjo monografi synon të tregojë se jeta dhe vepra e Esat Vallës janë më shumë se një biografi artisti. Ato janë historia e një populli që, në mungesë të lirisë, e gjeti atë në art. Janë dëshmi se arti mund të jetë njëkohësisht arkiv, protestë, kujtesë dhe shpresë.
Faleminderit, profesor, për trashëgiminë tuaj pamore dhe shpirtërore, si dhe për mundësinë që më dhatë të jem pjesë e kësaj monografie” tha Z. Ballazhi.

Kurse në emër të organizatorit Shoqatës së Intelektualëve “Jakova”, kryetari i saj Ruzhdi Sefa, pasi shpërndau nga një mirënjohje dhe disa libra për piktorin E. Valla dhe autorin e monografisë Z. Ballazhi, potencoi se kjo monografi paraqet pos tjerash ftesë për reflektim mbi përgjegjësinë që kemi si intelektual dhe si artistë për ta ruajtur kujtesën tonë kulturore.
Kurse i fundit e mori fjalën maestro i njohur i pikturës Esat Valla i cili padyshim që është dhe do të mbetet një pikë referimi për të kuptuar jo vetëm artin pamor kosovar, por edhe shpirtin e një kohe që nuk do të harrohet kurrë. Ai falenderoi pjesëmarrësit dhe organizatorët e promovimit, pastaj autorin e monografisë si dhe familjen e tij.

*
Arti pamor në Kosovë ka njohur zhvillime të rëndësishme gjatë dekadave të fundit, falë një brezi artistësh që jo vetëm krijuan vepra të qëndrueshme, por edhe ndërtuan identitetin estetik të vendit. Në këtë kontekst, kontributi i Esat Valla zë një vend të veçantë dhe të merituar.
I njohur për një qasje të veçantë figurative dhe simbolike, Valla ka ndërtuar një gjuhë artistike të dallueshme, ku figura njerëzore shpesh shfaqet e transformuar në forma që ndërthurin realen me imagjinaren. Veprat e tij karakterizohen nga një ndjeshmëri e thellë emocionale dhe një reflektim i vazhdueshëm mbi njeriun, shoqërinë dhe kohën në të cilën jetojmë.
Në historinë e artit kosovar, E.Valla përfaqëson një nga zërat që i dhanë drejtim modernizimit të pikturës, duke e çuar atë përtej kornizave tradicionale. Ai kontribuoi në afirmimin e artit kosovar jo vetëm në nivel vendor, por edhe në skenën më të gjerë shqiptare dhe ndërkombëtare, përmes ekspozitave dhe prezantimeve të ndryshme artistike.
I konsideruar si një nga përfaqësuesit më të spikatur të artit modern shqiptar, Esat Valla ka ndërtuar një gjuhë të veçantë artistike, ku ndërthuren elemente të ekspresionizmit me simbolikë të thellë kulturore dhe historike. Veprat e tij jo vetëm që pasqyrojnë realitetin e një kohe të trazuar, por arrijnë të komunikojnë edhe në nivel universal, duke e vendosur atë në një dialog të denjë me artin bashkëkohor evropian.

ObserverKult