
Si të gjitha gratë e bukura,
ajo ka sy të ëmbël e zemër të bardhë.
Shtegton udhëve të kohës,
me peshën e një emri që e bart prej së kaluarës.
Ajo e di se emri i çdokujt është një histori,
si emri i asaj Evës që jeton në secilin njeri.
Shpesh e kam pa` rrugëve të kryqëzimit,
kur i kalonte barrierat dhe me një cohë të bardhë,
shfaqej përpara të kryqëzuarit
dhe ia fshinte djersët e gjakut.
Kohët ndryshojnë, por gjithmonë
një njeri kryqëzohet në kalvar
për dëshirat e dikujt dhe më e thjeshta,
për epshet e një turme të çmendur.
Dhe ajo sa herë i sheh gozhdët e ndryshkura të urrejtjes
në duar të barbarëve, nxiton
dhe e nxjerr një cohë të bardhë prej zemrës së saj
dhe ia fshin fytyrën të llangosurit.
Ajo e di se një shikim i butë
i zbut dhembjet, është ilaç, si vetë dashuria.
Prandaj, besojani mjekimin e plagëve Veronikës,
asaj që shkëputet prej turmës,
që nuk kthehet në turmë
dhe përherë gjen një shteg,
një shteg të bardhë,
një shteg plot dritë,
të shfaqet krahëhapur përpara një dhembjeje
që e merr dhe e shtrëngon në gji.
(VERONIKA)
Poeti Ndue Ukaj, me krijimtarinë e tij të gjerë e të larmishme, në poezi e në prozë, ka shfaqur një angazhim të fuqishëm për të mbrojtur personin njerëzor kundrejt arrogancës së sistemeve dhe “gozhdëve të ndryshkura” të urrejtjes së ideologjive. Shqyrtimi filozofik i Ukajt, duke ndjekur parimin sociologjik të gjendjes njerëzore, është një qasje në hapësirën e së jetuarës, përvojës personale, e cila nuk niset nga thelbi, por nga ekzistenca e mishëruar dhe ku Uni i lëvizshëm plazmohet dhe përcaktohet në marrëdhënie me tjetrin.
“Veronika” është një poezi me një status sakral, një antitezë e personalizmit, që shenjohet nga tensioni mes lirisë dhe solidaritetit, duke vlerësuar interioritetin e vërtetë të persiatjes, si një ikje nga “epshet e një turme të çmendur”. Poeti është i lirë përmes lirisë së të tjerëve, duke mos qenë skllav i lirisë. Universi i “Veronikës” është universi i njerëzores, një substancë e fshehtë që duhet të udhëheqë sjelljet tona, një parim abstrakt i veprimeve tona konkrete, një vetëkrijim, si komunikim dhe pjesëmarrje, një kushtrim lirik për të humanizuar njerëzimin. Ndjenja e dinjitetit të qënies njerëzore sjell trazim në rendin tonë të patrandur e të përçudnuar, ku tundimi dualist i imponohet me vendosmëri madhështisë paradoksale të ekzistencës.
Kjo poezi, me ngjyrimet kantiane të idealizmit transcendental, e çon në zenit kuptimin e lirisë, në lidhjen e saj rrënjësore me jetën e brendshme, me ekzaltimin e vetëdijes dhe kuptimin e absolutes.
Vargjet përmbajnë një dialektikë të shpirtit dhe të veprimit, që i përmbys dekoret spiritualiste, duke rikrijuar mitin e Veronikës, si person pavetor përtej sistemeve të formuluara prej nesh, së cilës duhet t’i besojmë “mjekimin e plagëve”.
Ndërmjetës i kudondodhur i jetës së shpirtit, poeti Ndue Ukaj, mes optimizmit të palodhur të iluzionit dhe ekzistencave të patjetërsueshme të universeve të shkërmoqura, mëton të sfidojë egoizmin egocentrik të një qytetërimi që po jep shpirt para syve tanë.
Duke qëndruar përballë turmës së çmendur, Veronika, si alter ego e poetit, kërkon t’i japë dimension njerëzor historisë së përbotshme, sipas përmasave mbi të cilat ngrihet njeriu, deri te një rrafsh mistik organizimi shoqëror dhe politik, te një shoqëri racionale, bazuar te takimi i shpirtrave dhe te ekzoterizmi.
Poezia “Veronika” është ndërtuar mbi një arkitekturë mjeshtërore stilistike, që nuk lejon të maskohet ankthi ynë ekzistencial, ku njeriu nuk është thjesht një subjekt, por një res societas, dhe ku transhedenca e personit nuk nënkupton që njeriu t’i përkasë vetëm vetvetes.
Ndue Ukaj ka lindur më 2 shtator 1977 në Viti të Kosovës. Ai është poet, prozator, kritik letrar dhe publicist.
Botime:
Diskursi biblik në letërsinë shqipe”- studim, AIKD, 2004, Prishtinë.
“Ujëvarat e metaforave”, poezi, Botimet M&B, 2008 Tiranë.
“Ithaca of the word “, poezi, përkthyer nga Peter Tase dhe botuar në SHBA, Lulu Enterprises.
“Godo nuk vjen”, poezi në shqip, anglisht dhe spanjisht, me përkthim të Peter Tasesm Lulu Enterprises.
“Arka e shpëtimit”, poezi, “Drita”, 2012, Prishtinë.
“Gjithmonë diçka mungon”, poezi, OM, 2017, Prishtinë.
“Krijimi i dashurisë”, përzgjedhje poetike, botuar nga Festivali Ndërkombëtar ‘Ditët e Naimit, 2017, Tetovë,
“Ismail Kadare: Kryqëzime letrare dhe kulturore”, Onufri, ese, 2019
“Mbretëria e ëndrrave”, tregime, Onufri, 2021.
“Retë prej drite”, poezi, Onufri, 2022.
“Dritarja e Marin Shkrelit”,roman, Onufri, 2023.
“Shtegu i të verbërve”, tregime, Onufri, 2024
“Mund të jetë si në fillimet e kohëve“ (Poezi), Onufri,2025
ObserverKult
Lexo edhe:
Ndue Ukaj: Letërsia e bën jetën më të vlefshme, më të bukur dhe më humane






