
Nga Blerim Valla
Në Bibliotekën “Ibrahim Rugova”, të Gjakovës organizuar nga Klubi Letrar “Gjon Nikollë Kazazi” u promovua, ditë më parë, romani më i ri i Jusuf Buxhovit, “Lufta e fshehur, Anteu”, libër ky që posa u botua me rastin e 80-vjetorit të jetës dhe 60-vjetorit të veprimtarisë së tij krijuese.
Padyshim është ky edhe një nga romanet e shumta të shkrimtarit J. Buxhovi, ku përmes sfondit historiko – letrar dhe një stili modern të të shkruarit trajtohet lufta e fundit në Kosovë, në pasqyrën e realitetit historik e mitologjik.
Një dimension i rëndësishëm është edhe ai mitologjik. Referenca ndaj Anteut (figura mitologjike që merr fuqi nga toka) sugjeron lidhjen e njeriut me realitetin dhe humbjen e kësaj lidhjeje në kushte lufte. Personazhi kryesor, në njëfarë mënyre, është një Anti-Anté: ai nuk merr fuqi nga toka, si heroi mitologjik por humbet gjithçka që e lidh me jetën.
Moderator i këtij promovimi ishte shkrimtari Muharrem Kurti kryetar i Klubit Letrar “Gjon Nikollë Kazazi” i cili pasi foli për veprimtarinë letrare dhe për profilin e J. Buxhovit si romansier të klasit të psrë në letërdinë shqipe, potencoi se është kjo vepra e 51 – të e Buxhovit duke shpresuar se ky numër i veprave të tij do të rritet ende!
Për librin në fjalë kanë folur shkrimtar e studiues të shumtë. Kështu Engjëll I. Berisha mes tjerash ka thënë “Ky roman më i ri i Buxhovit pos tjerash është edhe një analizë e thellë e shpirtit njerëzor me ngjarjet që zhvillohen në Gjakovë dhe ku si kryepersonazh është një Artist në përballje me sfidat e ekzistencës. Në këtë rast Gjakova, si sfond nga një pamje e gjerë e realitetit shqiptar, kryepersonazhi – artisti bëhet dëshmitar i përplasjeve të mëdha historike, por edhe i dramave të heshtura të individëve siç është vet artisti”.
Shkrimtari Agim Byci, duke hequr një paralele në mes heronjve antikë, kohës që jetuam dhe premtimit për të nesërmen në paqe nga mësimet e luftës së fundit mes tjerash ka theksuar se: “‘Lufta e fshehur, Anteu’ nga Jusuf Buxhovi është një roman modern realist ku nuk ka heronj absolutë, por njerëz të zakonshëm që bartin në vete dobësi, kontradikta e absurditet. Një roman historik me ngjarje të vërteta kronologjike, një roman psikologjik qe shpreh botën e brendshme të personazheve në kushte lufte, që tregon frikën e mëdyshjet morale, një roman filozofik mbi filozofinë e mbijetesës që bazohet në fjalë të urta, urtësi e përvojë popullore, që e bën romanin edhe më të thellë dhe fjalët e personazheve marrin kuptim të ri, që shpreh dimensionet e ekzistencës njerëzore.
Kjo vepër është roman për luftën, vrasjet, masakrat e shkatërrimet marramendëse, ku në çdo anë të qytetit të Gjakovës ndihet era e gjakut e kundërmimi i tymit, ku gjithçka është shkrumb e hi. Pamje ferri, ku bredhë frika, ankthi e pasiguria. Këtu në këtë roman janë të pranishëm rrathët e Dantes me të gjitha mëkatet, veset e veprimet e këqija, që nga mashtrimet, tradhtitë, përfitimet etj. Roman për përgjegjësinë e individit, për fatin e popullit në rrethana para, gjatë e pas luftës së fundit.
Pjesa e parë titullohet lufta e fshehur. Pse lufta e fshehur? Sepse kjo luftë është menduar, përgatitur dhe ka filluar fshehtas, befas në mënyrë perfide, sikur shfaqen me flamur të bardhë, kurse prapa flamurit fshehën kurthet e mashtrimeve dhe krimeve. Me këtë veprimtari pushtuesi synon ta dobësojë popullin me qëllim që të fusë sa më shumë huti, dyshime e pasiguri në vendbanimet e shqiptarëve, te grupet, partitë, e religjionet për ta çrregulluar e përçarë sa më shumë vendin e sulmuar – Gjakovën.
Kryepersonazh i pjesës së parë të romanit, Ceni i Monaosës ky antihero, ndahet nga jeta si figurë tragjikomike.
Që të mos ndodhë apo të përsëritet katrahura e tillë e paimagjinueshme pason koha pas luftës së fundit, pjesa e dytë e romanit Anteu, vigani i fuqishëm mitologjik.
Personazhi i romanit, Aktori, gjendet në mes të dy e më shumë zjarreve dhe mundohet të shpëtojë veten, fytyrën e vet dhe të njerëzve që e rrethojnë – publikut. Të bëhet Ante do të thotë se është i lidhur me origjinën, tokën, identitetin e vet. Anteu e merr fuqinë sa herë që e prek tokën, që është nëna e vet. Por Aktori duket se nuk e njeh mirë Anteun. Fuqia nuk bazohet në instinkt ose me forcën e pakontrolluar e sfiduese të një gjiganti, por në zgjuarsi dhe arsye të shëndoshë, kështu që humb duelin e mundet nga Herakli, përkatësisht zotat, që janë ata që kurdisin fitimtarët në luftëra. Aktori dëshiron të shfrytëzojë rastin që tani pas luftës së fundit të bëhet Ante. Një kundërshti rolesh. Si mund të bëhet Anteu i fuqishëm e shpëtimtar i vendit dhe i njerëzve të vet, kur gjatë jetës ka qenë palaço?
Në fund, Aktori i lodhur e i dërrmuar, e sheh veten përballë gjyqtarëve, i akuzuar sepse mbronte tokën dhe njerëzit e rëndomtë. Nga prapa i afrohen dhe e ndjekin heronjtë e vetëshpallur e të imagjinuar, heronjtë me grada, me ose pa përmendore, por me pushtet absolut e të pakufishëm. Po ashtu e sheh veten edhe si gjyqtar që duhet të dënojë palaçot, jokurrizorët e kameleonët që heroizmin e lavdinë e kishin maskë për pushtet. Në atë çast duket se vetëdijesohet, se dëshira që ta luajë rolin e Anteut ishte e gabueshme dhe tragjike, sepse Anteu humb e vdes. Prandaj me grahmat e fundit e lut Anteun që për herën e fundit, të tregojë të vërtetën, të bëhet i sinqertë dhe të pranojë kurdisjen e tij me zotat për t’i mashtruar njerëzit e pafuqishëm.
Edhe jeta e Aktorit si antihero përfundon” vlerësoi A. Byci.
Ndërkaq shkrimtari Lulzim Logu, duke folur për hulumtimet historike dhe veprimtarinë tejet të bujshme të J. Buxhovit vlerësoi shumë këtë roman qoftë për ka fabula e tij, ndërtimi fenomenal i karaktereve të personazheve dhe në gërshetimim mjeshtëror mes letërsisë dhe historisë të këtij romani.
Përndryshe libri “Lufta e fshehur, Anteu” u botua nga shtëpia botuese “Faik Konica” & Jalifat Publishing”, ku në emër të kësaj të fundit këtë promovim e përshëndeti botuesi dhe veprimtari i shquar shqiptar Ramiz Tafilaj, veprimtarë ky i madh i ngjarjeve të shumta kulturore dhe për kauzën shqiptare në Amerikë e Evropë si dhe mbështetës i shumë veprave qoftë të -Jusuf Buxhovit dhe të tjerëve kudo në trojet shqiptare. Tafilaj rrëfeu për përkthimin dhe plasimin e veprave të Buxhovit në Bibliotekën e Kongresit Amerikan dhe në shumë Universitete të Amerikës.
Ishte vet autori i Jusuf Buxhovi ai i cili në fund e mori fjalën duke thënë: “Pse qyteti i Gjakovës dhe qytetarët e tij, është (janë) personazh (e) edhe në këtë roman, si gati tek të gjitha romanet e tjera që ia kam kushtuar, është sepse jam munduar gjithnjë që ashtu si shkrimtari i njohur Gabriel Garsia Markesi i cili përmes romaneve të tij e bëri të njohur fshatin e tij të lindjes Makondo- n, ashtu edhe unë po përpiqem që përmes romaneve të mia ta bëj të njohur në botë – Gjakovën time! Meqë Gjakova është qendër shpirtërore e shqiptarisë dhe gjithmonë përgjatë historisë ndaj Gjakovës dhe popullit të tij, janë bërë luftra të fshehura, qoftë nga armiqtë e huaj, e sot edhe nga disa të brendshëm..!”, ka deklaruar në fund, para publikut shkrimtari e historiani i njohur Jusuf Buxhovi!
Përndryshe simbolika e Anteut në letërsi pra edhe në këtë roman më të ri të Buxhovit, shpesh përdoret si simbol i forcës që buron nga lidhja me vendlindjen apo rrënjët. Në letërsi dhe art, figura e Anteut ka tejkaluar mitin antik për t’u shndërruar në një simbol të fuqishëm me disa shtresa kuptimore:
Lidhja me tokën dhe vendlindjen: ky është kuptimi më i përhapur. Anteu simbolizon njeriun që e merr fuqinë nga rrënjët e tij, nga atdheu dhe tradita. Sa herë që njeriu “shkëputet nga toka” (humbet kontaktin me identitetin e vet), ai dobësohet dhe mposhtet lehtësisht.
Burimi i frymëzimit artistik: shumë shkrimtarë e përdorin Anteun si metaforë për artistin. Ashtu si Anteu kishte nevojë të prekte tokën për t’u ringritur, artisti ka nevojë për kontaktin me realitetin e prekshëm dhe jetën e thjeshtë për të gjetur frymëzim. Pa këtë kontakt, arti bëhet abstrakt, i zbrazët dhe “vdes” në ajër.
Rezistenca dhe Ringritja: Anteu përfaqëson aftësinë e njeriut për t’u ringritur pas çdo dështimi. Rënia e tij në tokë nuk ishte fundi, por burim force. Në letërsi, kjo përdoret për të përshkruar popujt ose individët që, edhe pse të shtypur apo të rrëzuar, gjejnë forcën për të vazhduar luftën.










