U raportua se kishte vdekur, aktorja e “James Bond” është ende gjallë

Aktorja Tanya Roberts, e cila u raportua se kishte vdekur, një ditë më parë, nga mediat ndërkombëtare, duket se është ende gjallë. Të paktën kështu tha për CNN publicisti i saj, Mike Pingel.

Ai tha se ishte njoftuar të dielën, nga partneri i Roberts, Lance O’Brien, se Roberts kishte vdekur. O’Brien i tha CNN se ishte i dërrmuar pasi i kishte thënë lamtumirë partneres së tij, të shtruar në Qendrën Mjekësore Cedars-Sinai në Los Anxhelos, duke besuar se do të ishte hera e fundit që e shihte të gjallë. Por të hënën në mëngjes, ai u njoftua nga stafi i spitalit se aktorja ishte ende gjallë, transmeton ‘a2news.com’.

Roberts u shtrua në spital më 24 dhjetor, pasi i kishin rënë të fikët në shtëpinë e saj në Kaliforni. Gjithsesi ajo mbetet në gjendje kritike, sipas Pingel dhe O’Brien.

65-vjeçarja ka një karrierë prej më shumë se 3 dekadash në kinematografi, ku spikat roli krah Roger Moore në filmin “James Bond, A View to a Kill”, por edhe në serialin “Charlie’s Angels”.