U rrah për vdekje, gazetari Bardhok Lala “rrëfen” historinë

Bardhok Lala është një hero i gjallë. Gazetari i njohur i gazetës “Dita Informacion” u rrah barbarisht nga agjentë civilë të Shërbimit Informativ Shqiptar në vitin 1997 dhe u mendua madje se nga plagët e marra kishte vdekur.

Por fati dhe Zoti e deshi që ai të shpëtonte. I hedhur nga një makinë pa targa, atë e gjeti të masakruar një fshatar i zonës afër Liqenit Artificial të Tiranës. Fshatari e strehoi dhe e mjekoi vetë dhe Bardhoku u kthye në jetë. Për ngjarjen e rëndë në atë kohë shkruajtën jo vetëm gazetat shqiptare por edhe ato ndërkombëtare.

Gjithçka rezultoi për shkak të shkrimeve që ai bënte si gazetar i kronikës së zezë, por që për disa oficerë të SHIK kjo ishte e barazvlershme me vdekjen.

Ishte koha kur gazetarët rriheshin, masakroheshin dhe vriteshin dhe nga kjo nuk shpëtoi dot as Bardhok Lala. Pas shumë vjetësh nga ajo ngjarje e rëndë Bardhok Lala gëzon shëndet të plotë edhe pse është i tërhequr nga media.

Në profilin e tij në facebook Bardhok Lala është shumë aktiv me statuse, mendime, analiza por edhe të dhëna nga jeta private. Ai shpesh publikon fotografi nga jeta e tij duke i shoqëruar me shkrime që lidhet me situatën që kalon vendi. Në një nga postimet ai përshkruan vendlindjen e  tij e lidhur me kohën që ka kaluar.

Ja çfarë thotë Lala:

“Koha ikën pa u kuptuar!! Mbyll sytë dua, të mos jetë kështu…!! Sa shpejt kaloi mijëvjeçari , kaluan 20 vite te shekullit 21. Është një vizitë nga halli por malli më paska zënë, pushtuar për gjithçka dhe të gjithë. Për kodrat pa mbarim, malet krenare, për burimet pa ujë, për rrugët dhe shtigjet gjarpërushe, për pyjet e shkatërruara, për ajrin qe s’ngopem. Si i paskan ndryshuar gjithçka?

Edhe stina është pranverë pa shije pranverore! Kaq shumë !!?? Hap sytë dhe mbërrita në fshatin e lindjes. Si erdha??? Nga humbën 72 km rrugë me 591 kthesa që përshkuam me dy kushërinjtë e mi??? Nejse vetëm një dëshirë kam për ty o lule trëndafili, lulëzofsh gjithmonë. Koha ikën pa u kuptuar apo jo o miqtë e mi???”

Ata gazetarë, kolegë dhe miq që e kanë njohur dhe dëshirojnë të dinë më shumë për të, mund të shikojnë Bardhokun që kanë njohur afër një çerek shekulli më parë”.

ObserverKult


Lexo edhe:

AMANETI I GJIMNAZISTIT SHKODRAN QË E LAN’ PA KËMBË E DUAR NË BURG… PAS NJË KOHE U NDA NGA JETA