U vlerësua me çmimin “Shkrimtarja më e mirë”, Mira Meksi: Vërtet ja di shumë për nder përkthimit…

Panairi i Librit 2023 në Tiranë, që cilësohet si njëra nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore mblodhi botues, shkrimtarë e përkthyes nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut e shumë vende të tjera të botës.

Në edicionin e 26-të të panairit të librit çmimin “Shkrimtari më i mirë” e mori Mira Meksi për romanin “Parisi Vret”, me këtë motivacion: Për gërshetimin e erudicionit me hedonizmin, për zhytjen në zgafellet e historisë dhe të psikologjisë; për shkrirjen e fakteve me trillimin; për një këndvështrim tjetër mbi disa tabu me rrënjët në kohën e diktaturës, të cilat ende na shoqërojnë; për lëvrimin elegant të gjuhës.

Meksi tha se ndjehet shumë e vlerësuar ndërsa shpreson se libri “Parisi vret” do të ketë edhe më shumë lexues, pas këtij çmimi.

” Puna bën që pikërisht Shoqata e Botuesve që kulmon veprimtarinë e saj me panairin, aq më tepër pastaj vendosja e një guri të sivjetshëm në sistemin e vlerave të letërsisë tonë është shumë e rëndësishme.Në saje të këtij çmimi mendoj se “Parisi vret” do të ketë edhe më shumë lexues”, deklaroi Meksi.

Më tej, fituesja e çmimit “Shkrimtari më i mirë”, foli edhe për fillet e saj në rrugëtimin e saj si krijuese e përkthyese.

“Së pari kam nisur si krijuese, sepse pak veta e dinë që kam shkruar që e vogël. Por jam njohur së pari si përkhtyese e veprave shumë të rëndësishme.

Përkthimi i mjeshtrave të letërsisë më ka ndihmuar mjaft shumë si krijuese. Vërtet ja di shumë për nder përkthimit”, theksoi ajo më tej.

Në vazhdim mund të ndiqni një intervistë të realizuar nga Anisa Ymeri, me Mira Meksin, publikuar në faqen e facebookut të Shoqatës së Botuesve Shqiptarë

Përgatiti: ObserverKult


Lexo edhe:

PANAIRI I LIBRIT “TIRANA 2023” HAP DYERT NGA DATA 15 DERI NË 19 NËNTOR- JA ÇKA NA PRET SIVJET

Në mjediset e Pallatit të Kongreseve në Tiranë nga data 15-19 nëntor do të mbahet panairi i 26-të i librit, një ngjarje mbarëkombëtare e kulturës që pritet me shumë interes.

“Muaji nëntor është muaj shumë i rëndësishëm për kulturën shqiptare. Janë pothuajse 100 ekspozues dhe të gjithë do të kenë mundësi jo vetëm të zgjedhin librat që dëshirojnë por gjithashtu të marrin pjesë në aktivitete”, tha Petrit Ymeri, kreu i Shoqatës së Botuesve në Shqipëri.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult